Luhet “Der Klassiker”

Shorti i Kupës së Gjermanisë ka qenë i pamëshirshëm, duke vënë përballë njëra-tjetrës Bayern Munich dhe Borussia Dortmund në 1/8-at e këtij kompeticioni. Megjithatë, bavarezët mund të jenë të kënaqur për faktin se do të kenë mundësinë të eliminojnë kërcënimin e tyre më të madh, edhe duke parë se verdhezinjtë nuk po kalojnë një moment shumë të mirë. Ky nuk ka qenë një sezon perfekt për Bayern, por ata kanë arritur të gjejnë formulën e fitoreve nën drejtimin e trajnerit Jupp Heynckes, i cili ka rritur nivelin e lojës së kampionëve në fuqi të Gjermanisë pasi mori vendin e Carlo Ancelotti-t. Bayern do të paraqitet në “Der Klassiker” pas pesë fitoreve radhazi të marra në të gjitha kompeticionet, duke përfshirë këtu edhe fitoren e bukur 3-1 të marrë në Champions League kundër Paris Saint-Germain.
Lojtarët e Heynckes i kanë fituar në ndeshjet e fundit edhe pa pasur nevojë të shënojnë shumë gola. Kjo ka ndodhur edhe falë një mbrojtjeje solide që nuk ka pësuar asnjë gol në tri ndeshjet e fundit të fituara me rezultatin 1-0 kundër Frankfurt, Koln dhe Stuttgart. Ndërkohë, Borussia Dortmund, kampionia në fuqi e Kupës së Gjermanisë, nuk po zhvillon një sezon shumë të mirë. Por, nën drejtimin e trajnerit të Peter Stoger, ata duket se janë kthyer në rrugën e duhur, siç tregojnë edhe dy fitoret e marra në dy ndeshjet e fundit të kampionatit. Pierre-Emerick Aubameyang dhe Christian Pulisic kanë realizuar dy golat që i kanë dhuruar verdhezinjve një fitore të rëndësishme 2-1 kundër Hoffenheim në javën e fundit të kampionatit.
Shifra dhe fakte
– Dortmund ka marrë një fitore befasuese 2-3 kur këto dy skuadra janë përballur në gjysmëfinalen e edicionit të kaluar të Kupës së Gjermanisë.
– Hakmarrja e bavarezëve erdhi në Superkupën e Gjermanisë, të fituar pas gjuajtjes së penalltive. Gjithashtu, Bayern mori një fitore bindëse 3-1 në ndeshjen e këtij kampionati të luajtur në “Signal Iduna Park”.
– Bayern ka dominuar përballjet me Dortmund, siç tregojnë 52 fitoret e marra në 110 ndeshje të luajtura kundër verdhezinjve, të cilët kanë fituar vetëm 29 takime.

 

Exit mobile version