Luis Enrique pranë Borusia Dortmundit

Luis Enrique mund të ndërpresë pushimet dhe të rikthehet në drejtimin e një skuadre të madhe europiane. Bëhet fjalë për Borussia Dortmund, pasi sipas mediave, Peter Bosz rrezikon gjithmonë e më shumë shkarkimin pas rezultateve negative, ku në sfidat e fundit ka koleksionuar 4 humbje dhe 2 barazime. Gjithsesi pas Enrique edhe Favre e Blanc shikohen si kandidatë të mundshëm për stolin e verdhezinjve. Aktualisht pas 13 javësh kampionat, Dortmundi renditet në vendin e 5 me 21 pikë të grumbulluara.
Ndërkohë, babai dhe menaxheri i futbollistit brazilian, Neymar, ka mohuar njëherë e mirë negociatat me klubin e Realit të Madridit. Ai u shpreh se është e pamundur të mendosh largimin pas vetëm 3 muajsh në Paris dhe jo më të negociosh detajet e transferimit.
“Nuk e kuptoj se ku i gjeni këto fantazi. Është e pamundur të mendosh dhe jo më të negociosh largimin, vetëm 3 muaj pas realizimit të transferimit më të shtrenjtë në histori. Neymar është i lumtur në Francë dhe po ambientohet më shpejt nga sa e kishim parashikuar. Klubi ka një projekt serioz dhe djali im erdhi për të luajtur gjatë këtu. Besoj se për 5-6 vite nuk do të jetë nevoja të negocioj me asnjë klub tjetër, pasi Neymar do të qëndrojë te PSG-ja”, tha babai i brazilianit.

Exit mobile version