Luiz Suarez 100 gola te Barcelona

Një mbrëmje rekordesh për t’u kujtuar gjatë. Suksesi 3-1 i Barcelonës në “Camp Nou” ndaj Athletic Bilbaon, nuk vlejti thjesht kualifikimin e çerekfinales të Kupës së Mbretit, por përmirësoi edhe statistikat e tredhëmbëshit Mesi-Neymar-Suarez. Sulmuesi uruguajan arriti shifrën e 100 golave me Barcelonën në të gjitha kompeticionet, teksa shënon 120 ndeshje me fanellën blaugrana. 68 finalizime i përkasin La Ligas, 17 Championsit, 8 Kupës Mbretit, 5 botërorit për klube dhe nga një në Superkupën e Spanjës dhe atë të Europës. 29-vjeçari bëhet kështu lojtari i tretë në historinë e Barçës që arrin shifrën e 100 golave me më pak ndeshje.
Në të kaluarën vetëm dy lojtarë kanë shënuar 100 gola në më pak ndeshje të luajtuara se Suarez. Bëhet fjalë për Mariano Martin, që e arriti këtë numër finalizimesh në vetëm 99 takime, dhe për Kubalan që zhvilloi 103 sfida për 100 gola.
Lionel Mesi, duhet të zhvillonte plot 188 takime me katalanasit, për ta dërguar 100 herë topin në rrjetë.
Për yllin argjentinas goli që i dha kualifikimin Barçës ndaj Bilbaos ishte i treti radhazi nga goditja e lirë. Që nga momenti kur luajnë bashkë, Mesi, Suarez e Neymar kanë dhuruar në total 302 gola.
Edhe pse mes vuajtjesh, Barcelona ka arritur të kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Mbretit. Katalanasit kanë mposhtur në “Kamp Nou” me rezultatin 3-1 Atletik Bilbaon, duke përmbysur humbjen 2-1 të pësuar në ndeshjen e parë në “San Mames”.
Suarez shënoi golin e parë të takimit në minutën e 35-të, ndërsa Nejmar në minutën e 48 dyfishoi avantazhin e Barcelonës me anë të një penalltie. Vetëm 3 minuta më vonë, në minutën e 51-të, Saborit komplikoi çdo gjë për vendasit teksa ngushtoi diferencën, por Mesi shënoi golin që vulosi kualifikimin e ekipit të tij në minutën e 78. Kështu me rezultatin e përgjithshëm 4-3, Barcelona i bashkohet Atletiko Madridit, Alaveshit, Alkorkonit dhe Real Sociedadit në çerekfinalet e Kupës së Mbretit, në pritje të zhvillimit të ndeshjeve të kthimit edhe në 3 çiftet e mbetura, të cilat do të plotësojnë ekipet pjesëmarrëse në fazën e ardhshme të trofeut të dytë më të rëndësishëm në Spanjë.

Artikulli paraprakMorati i lumtur!
Artikulli tjetërRex Tillerson, në seancë konfirmimi