Lukaku: Më e mira nuk ka ardhur

Sulmuesi i Manchester United, Romelu Lukaku, beson se është shumë shpejt për ta gjykuar, sepse ai ka ende kohë për t’u përmirësuar. Lukaku e ka bërë këtë deklaratë në prag të përballjes me Chelsea, skuadra që e solli në Premier League. Lukaku kaloi nga Everton te Manchester United, gjatë merkatos së verës, për 90 milionë euro, dhe shënoi 11 gola në 10 ndeshjet e para për “djajtë” në të gjitha veprimtaritë, por nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës në gjashtë ndeshjet e fundit. Jose Mourinho e mbrojti dy herë qendërsulmuesin e tij në konferencat e fundit për shtyp, duke e mbajtur larg kritikave që kanë nisur të vërshojnë…
“Unë mendoj se shumë njerëz kanë filluar të më gjykojnë, sepse mendojnë se jam ky i tanishmi, – tha Lukaku për “Sky Sports”, i intervistuar nga Thierry Henry. – Megjithatë unë jam vetëm 24 vjeç dhe besoj se kam ende shumë për t’u përmirësuar. Në vend që të jetë viti im i gjykimit dhe analizave, unë po mendoj vetëm për t’u përmirësuar më tej. Ende nuk kam arritur aty ku synoj. Ende nuk kam kapur maksimumin tim. Vetëm më pas mund të më analizoni. Më e mira ime ende nuk ka ardhur.” Edhe pse nuk ka shënuar vetë, Lukaku ka qenë shumë i rëndësishëm për ekipin, si në ndeshjen e fundit ndaj Tottenham ku dha asist për golin e fitores të shënuar nga Anthony Martial.
“Unë e di që kam shumë talent. Mund të bëj shumë gjëra në fushën e lojës. Të shënoj me të majtën, me të djathtën dhe me kokë, por unë mund të jem edhe një “krijues”. Dua të jap sa më shumë asiste, si në ndeshjen e kaluar ndaj Tottenham. Unë dua t’i jap shokëve të skuadrës sigurinë se që sa herë janë në vështirësi mund të bazohen te unë. Jam në etapën perfekte në moshën ideale. Unë dua të bëhem një futbollist fitues te Manchester United dhe ta çoj karrierën time në një nivel tjetër”. Manchester United do të luajë të dielën në fushën e Chelsea, atje ku nuk fiton që nga viti 2012.

Artikulli paraprak2 “finale” në 3 ditë
Artikulli tjetërNis zhdukja e provave të trafikut të drogës në Ministrinë e Mbrojtjes