Romelu Lukaku kreu ditën e hënë seancën e parë stërvitore me fanellën e Manchester United, skuadër në të cilën u transferua nga Everton. 24-vjeçari Lukaku firmosi një kontratë pesëvjeçare me anglezët, me opsionin për zgjatjen e saj edhe me një vit, e cila mendohet të ketë arritur vlerën e 97 milionë dollarëve. Në këtë mënyrë belgu automatikisht pozicionohet si lojtari i dytë më i shtrenjtë në historinë e United, pas Paul Pogba që iu bashkua këtij ekipi një vit më parë për vlerën e 116 milionë dollarëve. Njëkohësisht ai është afrimi i dytë i Manchesterit për këtë merkato verore pas Victor Lindelof që u transaferua nga Benfica për shifrën e 40 milionë dollarëve.
I gjatë, me një strukturë të mirëformuar e të fortë, sulmuesi Lukaku rreshtohet për herë të dytë nën urdhrat e Mourinhos, i cili më 2014 kur drejtonte Chelsean ia shiti atë Evertonit. Në të vërtetë kampionët aktualë të Premier Leagues kërkuan sërish të rikontraktonin Lukakun këtë verë edhe pse nuk e arritën këtë objektiv. Sezonin e kaluar 24-vjeçari ishte golashënuesi i dytë më i mirë i Premier Leagues duke shënuar plot 25 gola. Aktualisht sulmuesi ndodhet me ekipin e tij të ri në Los Angelos ku po stërvitet për pjesëmarrjen në Champions Cup ku pritet të këtë rivalitet të fortë me skuadra të mëdha si Manchester City apo dhe gjigantët spanjollë të Real Madridit e Barcelonës.
Ndërsa Manchester United ka nisur fazën përgatitore në Kaliforni, Jose Mourinho po ndërton në letër skuadrën e tij të re. Kështu, pas largimit të Wayne Rooney, çështja më urgjente ishte ajo e shiririt të kapitenit që portugezi ia dorëzoi veteranit Michael Carrick. Pas shumë dekadave Tottenham do të luajë larg stadiumit “White Hart Lane”, për shkak të ndërtimit të një kompleksi të ri, por fakti që “Gjelat” do të përdorin “Wembley” si stadiumin e shtëpisë, nuk ka ndikuar aspak te tifozët. Deri në këtë moment, klubi njofton se ka shitur rreth 40 mijë abonime për sezonin 2017-18 dhe kjo shifër pritet të rritet edhe më shumë gjatë javëve të ardhshme.