Lukaku te Chelsea

Dua në skuadër Romelu Lukakun për çfarëdolloj çmimi. Është kjo kërkesa e Antonio Contes ndaj drejtuesve të Chelsea-t. Trajneri italian ka qenë kategorik dhe i prerë me krerët më të lartë të Bluve të Londrës, duke ua bërë të qartë se sulmuesi belg është një prioritet për të. Me shumë gjasa do të jetë Lukaku goditja e madhe e kampionëve të Anglisë në këtë merkato. Evertoni e vlerëson lojtarin, të cilin më 2011-tën e bleu pikërisht nga Chelsea plot 100 milionë stërlina, rreth 114 milionë euro, por kjo shifër kaq e lartë që i ka vendosur futbollistit klubi nga “Goodison Park” nuk e tremb aspak Conten. Ish-trajneri i përfaqësueses italiane shikon te 24-vjeçari zëvendësuesin ideal të Diego Costës, i cili nuk bën më pjesë në planet e Contes.
Pavarësisht tentativave të Chelsea-t, Evertoni nuk ka ndërmend të ulë çmimin e Lukakut dhe presidenti i kampionëve të Anglisë Roman Abramovich për të kënaqur trajnerin e tij pritet të plotësojë kërkesat financiare të klubit nga Liverpooli. Nëse marrëveshja mbyllet për 100 milionë paund, me rikthimin te Chelsea, Lukaku do të parakalojë edhe Pogba-në, duke u shndërruar në futbollistin më të shtrenjtë të blerë ndonjëherë nga një klub futbolli. Ndërkohë Chelsea po punon për të afruar nga Monaco mesfushorin e talentuar Tiemoue Bakayoko, ndërkohë një objektiv i madh i merkatos është edhe mbrojtësi brazilian i Juventusit Alex Sandro. Megjithatë blerja e parë e Chelsea-t në këtë merkato pritet të jetë mbrojtësi gjerman Antonio Rudiger për të cilin klubi londinez ka arritur tashmë marrëveshjen me Romën.
Leicester City është pranë goditjes së parë të madhe në merkaton e verës. Bëhet fjalë për mesfushorin e Sevillas, Vicente Iborra. Palët kanë rënë dakord që kapiteni i skuadrës andaluziane të transferohet në Premier League për 15 mln paund.
Pasi e ka ndjekur për shumë vjet, Rafael Benitez arrin ta ketë më në fund në skuadrën e tij. Bëhet fjalë për mbrojtësin Florian Lejeune, i cili është transferuar te Newcastle për 8.7 mln pound. 26-vjeçar i ka dhënë fund aventurës me Eibar duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.
John Terry do ta vazhdojë karrierën si futbollist te Aston Villa, por ëndrra e tij është që një ditë të marrë drejtimin e Chelsea-t. Ish-kapiteni i Bluve të Londrës do të luajë për një sezon te skuadra nga Birminghami, por objektivi i tij kryesor është rikthimi te skuadra e zemrës në rolin e drejtuesit të stolit në të ardhmen.

Artikulli paraprakRooney drejt Everton
Artikulli tjetërLeo Messi do të rinovojë me Barçën pas muajit të mjaltit