Operacioni Forca e Ligjit ditën e sotme u ka nisur formularin për deklarimin e pasurinë, Lulzim Berishës, ish-kreu i bandës së Durrësit dhe Ardian Çapjas në Elbasan.
Në një konferencë për mediat, përfaqësuesja e OFL deklaroi se për 48 orë këta persona duhet të justifikojnë pasurinë në të kundërt do të sekuestrohet.
Pas kësaj deklarate ka ardhur edhe reagimi i avokatit të Lulzim Berishës. Detar Hysi, avokati i Lulëzim Berishës sqaroi se nuk u është dhënë asnjë lloj dokumenti për të bërë deklarimin e pasurisë dhe mbi të gjitha pasuritë e klientit të tij janë hetuar dhe i janë kthyer me vendim gjykate që në vitin 2007.
“Prej ditës që ka dalë nga burgu, Lulzim Berisha ka në posedim të tij, një bar kafe me qera, të pajisur me numër NIPT-i dhe kryen rregullisht pagesat e taksave, si edhe një autobot që shpërndan naftën për anijet, gjithashtu konform ligjit.” u shpreh Hysi për ‘BalkanWeb‘ ndërsa theksoi se prej ditës që ka fituar lirinë me kusht, Lulzim Berisha mban kontakte të rregullta me shërbimin e provës.