Më 6 mars, në Kinë u hap faqja e robotit të Inteligjencës Artificiale, Manus. Vetëm disa orë më vonë, vizitorët që vërshuan në internet, shkaktuan mbingarkesë dhe ndërprerjen e shërbimit online.
Kompania që e krijoi robotin, Butterfly Effect, thotë se teknologjia e saj është më e mirë se ajo e kompanisë amerikane të Inteligjencës Artificiale, OpenAI, e cila krijoi platformën ChatGPT. Tani kompania lejon hyrjen në sistem vetëm me ftesë, për të përballuar trafikun, shkruan The Economist.
Manus është shembulli i fundit i manisë që ka kapluar Kinën që nga janari, kur firma startup e Inteligjencës Artificiale DeepSeek, tronditi botën me një model të ri të çuditshëm që rivalizoi menjëherë modelet perëndimore.
Efekti në tregjet kineze ka qenë vërtet tronditës. Aksionet janë rritur në nivelin më të lartë në histori, duke lënë pas edhe aksionet amerikane.
Indeksi i teknologjisë Hang Seng, që gjurmon kompanitë më të mëdha kineze të teknologjisë të listuara në bursën e Hong Kongut, është rritur me më shumë se 40% që nga mesi i janarit (shih grafikun).
Shumë veta në Kinë besojnë se Inteligjenca Artificiale do t’i ndihmojë novatorët të krijojnë aplikacione të reja. Kompanitë teknologjike po rrisin investimet në qendrat e të dhënave, duke shkaktuar një rritje të shpenzimeve kapitale.
A do të zgjasë ky lulëzim?
Javët e fundit, me qindra ndërmarrje të mëdha kineze, nga prodhuesit e makinave dhe kompanitë shtetërore të energjisë, deri te bankat dhe shitësit e ushqimeve dhe pijeve, kanë thënë se kanë në plan të përdorin teknologjinë e Inteligjencës Artificiale të krijuar nga DeepSeek.
Disa kompani gjigante teknologjike në vend, si Tencent, po e përfshijnë DeepSeek në produktet e tyre, pavarësisht se kanë modelet e veta.
Qeveritë lokale tani po integrojnë modelet e DeepSeek në aplikacionet celulare që përdoren nga banorët për shërbimet bazë, ndërsa departamentet qeveritare, spitalet dhe universitetet në të gjithë vendin, po bisedojnë se si mund ta përdorin atë në leverdi të Partisë Komuniste.
Analistët lokalë të kapitalit tani thonë me shaka se duhet të përdorin DeepSeek që raportet e tyre të tërheqin vëmendje. Disa investitorë madje mendojnë se kompania mund të ringjallë tregun e pronave në Hangzhou, qyteti ku ka selinë.
Kapitalistët e sipërmarrjes kineze janë po aq optimistë. Një firmë me seli në Pekin është e kënaqur që përfshirja e teknologjisë së DeepSeek në portofolin e saj të robotikës ka ulur kostot dhe ka rritur rendimentin.
Mes këtij vrulli, kanë lindur firma të panumërta startup të Inteligjencës Artificiale, në të gjithë Kinën. Disa investitorë po hedhin para, edhe pse dyshojnë se mund të krijohet një flluskë në treg. “Është dërrmuese, por nuk kemi zgjidhje tjetër”, thotë një investitor në Hangzhou.
“Ekonomia nuk është e mirë dhe nuk ka shumë mundësi gjetiu. Kështu që duhet të investojmë në Inteligjencën Artificiale sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ai shton se strategjia është të investohet në një raund “A”, pika më e hershme e financimit, dhe pastaj të dilet gjatë një raundi “A+”, që mund të ndodhë vetëm disa muaj më vonë.
Më 6 mars, qeveria e Kinës tha se do të krijonte një fond kapitali sipërmarrës me vlerë 1 trilion juanë (140 miliardë dollarë) për investime të përqendruara në teknologji.
Vrulli
Firmat më të mëdha teknologjike në Kinë, duke përfshirë Alibaba, Baidu, Huawei dhe Tencent, po e përqafojnë këtë vrull dhe shpresojnë të përfitojnë në veçanti nëpërmjet divizioneve të tyre cloud.
Muajin e kaluar, kompania Alibaba tha se qëllimi i saj kryesor ishte që Inteligjenca Artificiale të arrinte nivelin e njeriut. Më 6 mars, ajo hodhi në treg një model të ri arsyetimi që thotë se është po aq i mirë sa ai i firmës DeepSeek.
Kompania ka premtuar të shpenzojë rreth 53 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme, për të ndërtuar qendra të dhënash, me qëllim për të përmbushur kërkesën për shërbimet cloud të Inteligjencës Artificiale.
Kjo është më shumë se sa ka shpenzuar gjatë dhjetë viteve të fundit. Ajo zë vendin e parë në tregun kinez cloud, me një pjesë prej 36%, dhe rritja mund të vazhdojë më tej. Kompania Baidu tashmë ka shënuar një rritje të të ardhurave nga divizioni cloud, duke ndihmuar në kompensimin e rënieve në divizione të tjera.
Kërkesa gjithnjë e më e madhe për Inteligjencë Artificiale, mund të ndihmojë gjithashtu në rritjen e marzheve të fitimit në industrinë cloud të Kinës. Këto marzhe zakonisht janë më të ulëta se në Perëndim, për shkak të konkurrencës së ashpër.
Që nga fillimi i shkurtit, është rritur edhe kërkesa për serverë të përshtatur për Inteligjencë Artificiale, sipas Liu Yiran nga Banka HSBC. Furnizuesit kanë filluar të mundësojnë serverë të “para-pajisur” me softuer të Inteligjencës Artificiale.
Shumë prej tyre u shiten drejtpërdrejt kompanive, apo edhe ndërmarrjeve shtetërore, që mund të parapëlqejnë të kenë serverë në ambientet e tyre, për të përmirësuar sigurinë.
Kompania Sangfor Technologies, e cila u krijua nga një grup ish-punonjësish të kompanisë Huawei, ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj nga kjo prirje e re: çmimi i aksioneve të kompanisë është rritur me rreth 140% deri tani këtë vit.
Zonja Liu dhe ekipi i saj, vlerësojnë se tregu për serverët e Inteligjencës Artificiale do të rritet mesatarisht me më shumë se 70% në vit, deri në 2028.
Lulëzimi i Inteligjencës Artificiale në Kinë po nxit investimet kapitale në të gjithë zinxhirin e furnizimit të harduerit në vend.
Sipas disa analistëve në Bankën e investimeve Jeffries, prodhuesit e serverëve mund të shpenzojnë më shumë se 1.4 trilionë juanë gjatë dy viteve të ardhshme, teksa po zgjerojnë kapacitetin e prodhimit.
Kompania GDS, një nga më të mëdhatë në vend, ka rritur planet e shpenzimeve kapitale. Rivali i saj VNet, kohët e fundit tha se do të dyfishonte kapacitetin këtë vit.
Sidoqoftë, disa analistë kanë filluar të bëjnë thirrje për të pasur kujdes. Kai Wang, nga firma amerikane e shërbimeve financiare Moingstar, argumenton se DeepSeek nuk do të ndryshojë themelet e shumicës së kompanive që kanë bërë para me rritjen e fundit të tregut të aksioneve në Kinë.
Lindën shqetësime kur mbështetja e fortë e qeverisë për ekonominë nuk arriti të jepte frytet e parashikuara. E njëjta gjë mund të ndodhë këtë vit, thotë zoti Wang, nëse kompanitë nuk arrijnë të bëjnë mjaftueshëm para nga Inteligjenca Artificiale.
Një faktor tjetër mund të jetë qasja në gjysmëpërçues të përparuar. Tani për tani, furnizimi është i mjaftueshëm. Kompanitë ende kanë mundësi të blejnë çipa H20 nga firma amerikane Nvidia.
Edhe pse këto janë më pak të fuqishme se çipat më të mirë të Nvidia-s, të cilat Amerika i ka ndaluar në Kinë, ata duket se po funksionojnë. Modeluesit lokalë të çipave, si Cambricon, Enflame dhe Huawei, kanë filluar të furnizojnë disa kompani kineze të Inteligjencës Artificiale.
Megjithatë, mungesa e gjysmëpërçuesve mund të shuajë furinë e Kinës në Inteligjencën Artificiale. Disa analistë shqetësohen se me shfaqjen e aplikacioneve të reja dhe me rritjen e kërkesës për fuqi kompjuterike, do të kufizohet furnizimi i çipave.
Kompania shtetërore kineze SMIC po vuan nga kufizime serioze të kapacitetit dhe nuk është në gjendje të prodhojë gjysmëpërçuesit më të përparuar.
Për më tepër, edhe çipat më të mirë të modeluar nga Huawei, ende mbeten shumë mbrapa atyre të Nvidia-s amerikane. Greg Allen nga firma CSIS, me seli në Uashington, shkroi kohët e fundit se çipat e prodhuar nga Huawei dhe softueri që i shoqëron kanë ende nevojë për përmirësime derisa të mund të përdoren nga DeepSeek dhe kjo mund të zgjasë me vite.
Thuhet se administrata Trump po mendon të vendosë kufizime më të ashpra ndaj Kinës duke përfshirë kufizimin e qasjes në çipat H20. Lulëzimi i Kinës mbështetet në besimin se kostoja e trajnimit dhe të modeleve të Inteligjencës Artificiale do të vazhdojë të bjerë.
Duke kufizuar qasjen në çipa, Amerika mund t’i rrisë kostot, duke i dhënë një fund të papritur euforisë së Inteligjencës Artificiale të Kinës./Monitor