Lulzim Basha, busulla e rrugëtimit europian të Shqipërisë

Sokol GJONI

Votimet moniste të 30 qershorit, nxorën në pah karakterin e pandryshueshëm të Edi Ramës dhe pamundësinë e tij për t’u shkëputur nga lidhjet kriminale, me të cilat ai, ka bërë ortakëri për të qeverisur vendin.

E konsideruar si një nga betejat më të fuqishme të opozitës së Lulzim Bashës, “dekriminalizimi” , dha menjëherë efekte spektakolare më 2016 kur u miratua, pasi shqiptarët u njohën, (jo se nuk e dinin) me fakte të llahtarshme të përfaqësuesve të tyre, që kishin zënë vende në legjislativin shqiptar, apo dhe të një sërë zyrtarësh të tjerë që ishin produkt i “rilindjes”.

Vetëm në Shqipërinë e Edi Ramës dhe të sektit të tij politik, ndodhte që trafikantët e prostitucionit, të zgjidheshin përfaqësues të komunitetit nga ku kishin trafikuar vajzat e tyre; vetëm në Shqipërinë e Edi Ramës dhe të larove të tij, ndodhte që banditë ordinerë, vrasës, trafikantë dhe kontrabandistë të ishin “zgjedhur” apo të ishin emëruar në hallkat e pushtetit të ‘rilindjes”.

Me miratimin e ligjit të njohur si “dekriminalizimi”, Rama e pa veten të lançuar ndërkombëtarisht, duke u shënjuar me gisht nga partnerët strategjikë dhe nga bota demokratike, si kryeministër i pengmarrë nga krimi dhe mandati i tij i etiketuar si narkoqeverisje.

Me gjithë kontributin real të opozitës shqiptare, dhe veçanërisht të liderit demokrat Lulzim Basha, i cili u investua personalisht dhe politikisht në aksionin e paprecedentë të “pastrimit” të politikës shqiptare me fijet e botës së krimit, sërish, Shqipëria gjendet në të njëjtën spirale dramatike, ku të emrëruarit e Ramës, si kryebashkiakë të votimeve të 30 qershorit, po rrëzohen dita-ditës, duke u skanuar si individë që kanë patur probleme të mëdha me drejtësinë e vendeve europiane.

Përtej faktit që votimet e 30 qershorit, erdhën në një klimë të pazakontë për standardin e demokracisë, ato tashmë, ndonëse të rrëzuara nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR, kanë prodhuar dhe një realitet të rëndë, i cili nuk mund të anashkalohet symbyllazi, pasi në mënyrë kokëforte nga kryetarët e emëruar të 30 qershorit, janë sfiduar ligjet dhe institucionet kushtetuese të vendit, duke mos bërë deklarimin e duhur të të dhënave të tyre në përputhje me kërkesat e legjislacionit.

Bojkoti masiv që qytetarët shqiptarë i bënë farsës së 30 qershorit, është padyshim konteksti më i qartë i asaj çfarë përfaqëson qeverisja aktuale në të gjitha nivelet e saj.

Zyrtarë të korruptuar dhe drejtues mediokër, të cilët kanë zaptuar administratën e shtetit, janë imazhi real i një qeverisje që do vinte në pushtet më 2013, duke iu vërsulur si e babëzitur dhe e shfrenuar me lloj-lloj marifetesh dhe stilemash pasurive publike dhe ekonomisë shqiptare.

Tashmë, me rënien e 30 qershorit, si data që e ktheu Shqipërinë vite pas, ekuacioni i daljes nga kriza po shkon drejt zgjidhjes, duke qartësuar gjithnjë e më shumë të panjohurat që bashkëshoqëruan këtë spirale zhvillimesh dhe përplasjesh politike mes palëve.

Rama, si palë organizatore e 30 qershorit, me raportin e publikuar nga OSBE/ODIHR ka humbur kredibilitetin dhe është diskredituar si dhunues i demokracisë dhe parimeve të saj. Kështu, që s’ka zgjidhje tjetër, përveçse largimi i tij, duke marrë me vetë njollën e shëmtuar që i dha Shqipërisë, duke ofruar modelin skizofrenik të një kryeqeveritari me qeverisje tallava.

Basha, si lideri që këmbënguli fuqishëm në denoncimin e narkoshtetit, si dhe në betejën e pashoqe me krimin e organizuar që ka mbërthyer shtetin, duke zaptuar arteriet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe nivelet e ndryshme të pushtetit dhe të administratës, është padyshim, busulla më ogurmbarë e rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Zgjidhja për daljen nga kriza, është e shpejtë dhe e kuptueshme, pasi dhe miqtë tanë që e mbështetin Shqipërinë në proceset integruese, tashmë jaën vetëdijësuar se largimi i Ramës është premisa bazike e rikthimit të dialogut politik në vend. Zgjedhjet e parakohshme, parlamentare dhe vendore, gjithashtu, janë të pashmnagshme, pasi me karakatinë institucionesh që janë stisur në mungesë të legjitimitetit kushtetues të tyre, nuk mund të ketë ecuri të proceseve integruese për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Exit mobile version