Lulzim Basha i jep lamtumirën Profesor Menduh Dërgutit: “Një udhërrëfyes i mendimit dhe simbol i përkushtimit ndaj shoqërisë”

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka reaguar me një mesazh ngushëllues pas ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Menduh Dërgutit, një prej figurave më të respektuara të arsimit dhe jetës publike shqiptare.

Në një postim në rrjetet sociale, Basha e përshkruan profesorin si një njeri të urtë, të pasionuar për dijen dhe të palëkundur në integritetin e tij, që me përkushtimin fisnik ka formuar breza të tërë studentësh dhe ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për arsimin shqiptar.

“Profesor Dërguti nuk ishte thjesht një mësues i dijes, por një udhërrëfyes i mendimit, një model qytetarie dhe një simbol i përkushtimit fisnik ndaj shoqërisë,” – shkruan Basha.

Ai shton se humbja e tij është e madhe për Shkodrën dhe për mbarë Shqipërinë, duke nënvizuar se kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten përherë pasuri e përbashkët e dijes, kulturës dhe dinjitetit njerëzor.

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës:

“Sot u përcoll në banesën e tij të fundit Prof. Dr. Menduh Dërguti, një figurë e ndritur e botës akademike dhe jetës publike shqiptare.
Profesor Dërguti nuk ishte thjesht një mësues i dijes, por një udhërrëfyes i mendimit, një model qytetarie dhe një simbol i përkushtimit fisnik ndaj shoqërisë.
Me urtësinë e tij, me pasionin për dijen dhe me integritetin e palëkundur, ai formoi breza të tërë dhe i dha arsimit shqiptar një nga emrat më të respektuar e të paharrueshëm.
Shkodra humbi një nga shpirtërat e saj më të ndritur; Shqipëria humbi një nga mendjet dhe zemrat që i dha gjithçka, pa kërkuar asgjë në këmbim.
Ngushëllimet më të thella familjes, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin të ndriçoheshin nga fjala dhe shembulli i tij.
Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë përherë si pasuri e përbashkët e dijes, kulturës dhe dinjitetit njerëzor.”

Artikulli paraprakArmend Gjana, kandidat i Koalicionit Euroatlantik: “Beso te Shqipëria, voto për ndryshimin!”
Artikulli tjetërGazment Koduzi: Qytetarët meritojnë të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në Parlament