Lulzim Basha: Partia Demokratike është partia e shoqërisë shqiptare (Fjala e plotë)

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË AKTIVITETIN PËR 33-VJETORIN E PD

Të nderuar demokrate dhe demokratë,

Të nderuar të ftuar, miq të çmuar të Partisë Demokratike,

Të nderuar qytetarë shqiptarë,

Jemi mbledhur sot bashkë për të kujtuar një ditë të shënuar jo vetëm për ne, demokratët, por për të gjithë qytetarët shqiptarë.

33 vite me parë, në 11 dhjetor 1990, 343 firmëtarë dorëzuan në minsitrinë e drejtësisë së asaj kohe peticionin për të regjistruar themelimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Partinë e parë që shënoi ardhjen e demokracisë dhe pluralizmit shqiptar, që çoi drejt përmbysjes së regjimit 45 vjeçar komunist në Shqipëri.

Ata 343 firmëtare të parë të themelimit të Partisë Demokratike, pedagogë, studentë intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë, nuk përfaqësonin vetëm kurajon e tyre, nuk përfaqësonin vetëm maturinë dhe inteligjencën e tyre; ata përfaqësonin aspiratën e një shoqërie të tërë, aspiratën e të rinjve shqiptare për liri dhe demokraci.

Pikërisht për këtë arsye, Partia Demokratike e Shqipërisë, 11 dhjetori si dita e themelimit të saj, është një nga ngjarjet më të bukura dhe me domethënese në historinë e popullit tonë.

Askush, asnjëherë, nuk do të mund të bëjë pis ngjarjen historike të themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Askush dhe asnjëherë, nuk do të mund ta fshijë sakrificën e themeluesve të saj që nga Tirana e deri në skajin më të largët të Shqipërisë.

Askush dhe asnjëherë, nuk do të mund ta përvetësojë historinë e saj.

Sepse Partia Demokratike e Shqipërisë, është partia e shoqërisë së lirë shqiptare, është partia e studentëve të dhjetorit, është partia e ëndrrës së madhe të një kombi të tërë për liri.

11 dhjetori i viti 1990 do të jetë gjithmonë data e lirisë shqiptare, data e demokracisë së saj.

Ndaj sot, në 11 dhjetor, është dita për të nderuar dhe për të falenderuar gjithë themeluesit e Partisë Demokratike, gjithë ata njerëz të lirë që donin zhvillimin e Shqipërisë dhe prosperitetin e saj. Partia Demokratike ishte lëvizja e parë politike që kishte në vizionin e saj liritë politike, civile dhe ekonomike të shqiptarëve, ishte drita e parë e shpresës për një Shqipëri të hapur, për një Shqipëri demokratike.

Të dashur motra dhe vellëzër demokratë,

E di që në këtë përvjetor nuk jemi aty ku do të donim të ishim!
E di që në këtë përvjetor nuk i kemi në krah të gjithë!
E di që në këtë përvjetor shumë nga njerëzit që punuan dhe kontribuan për partinë, nuk janë këtu me ne.
E di që në këtë përvjetor jemi zhgënjyer nga shumë për të cilët vetëm kemi dhënë këto vite.
E di që në këtë përvjetor një pjesë e jona sillet akoma rrugëve,
e verbuar nga interesi personal
e frikësuar nga gjykimi i historisë
e trembur nga dora e drejtësisë!
E di që sot shumë qytetare pyesin: e kujt ËshtË Partia Demokratike?

Partia Demokratike është partia e shoqërisë shqiptare,
Është partia e vlerave euro-atlantike
është partia e Shqipërisë pluraliste
është partia e rinisë europiane shqiptare.

Në këtë datë të shënuar të përvjetorit të themelimit,
Pesha e ngjarjeve që kemi përjetuar ka lënë gjurmë tek ne!

Ngjarje me ngarkesa dhe sfida të mëdha për të gjithë ne këtu,
Por që në peshoren e kohës janë vetëm një çast;
Vetëm një çast në historinë tonë 33 vjeçare si demokratë
Vetëm një çast në historinë tonë 33 vjeçare si njerëz të lirë,

Vetëm nje çast në historinë tonë 33 vjeçare si pro-perëndimore
vetëm nje çast në historinë tonë qindra-vjeçare si shqiptarë patriotë që mbi Shqipërinë nuk vendosim asgjë dhe askënd!

PO, ne kemi bërë zgjedhjen tonë:

NE KEMI ZGJEDHUR SHQIPËRINË!
NDAJ SOT, NË 33 VJETORIN E SAJ, NE DEKLAROJMË ME KOKËN LART PARA ÇDOKUJT QË PYET: e kujt ËshtË Partia Demokratike?
Partia Demokratike ËSHTË E SHQIPËRISË!!

Çdo gjë që bëjmë si parti politike, çdo objektiv që i vendosim vetes, çdo qëllim që duam të realizojmë: është për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Është për të mirën e tyre dhe të familjeve të tyre!
Sot ju themi shqiptarëve se po përfundojmë programin tonë qe ta çlirojmë dhe ta forcojmë ekonominë tonë
që t’ju japim më shumë mundësi për punësim
që ta rrisim mirëqenien tuaj personale dhe familjare
që të krijojmë kushte për ta mbajtur këtu rininë tonë të talentuar!

Këto nuk janë premtime të mëdha:
këto janë PLANET TONA KONKRETE!
NE DUAM T’I BËJMË ATO REALITET PËR JU!
NE E DIMË SHUMË MIRË SESI ATO BËHEN REALITET!

Në këto 33 vite, ne kemi arritur shumë por kemi bërë edhe shumë gabime.
Ne kemi pësuar shumë, por edhe kemi mësuar shumë!

Logon dhe firmën e partisë sonë e mbajnë mbi ngjarjet të rëndësishme për Shqipërinë:

E mban anëtarësimi në NATO, prej të cilit të gjithe ju bashkëqytetarë ndiheni sot më të sigurt
E mban levizja e lirë pa viza kudo në Europë, një ëndërr e bërë realitet për miliona shqiptarë
E mbajnë projekte të mëdha infrastrukturore anembanë vendit, të cilat ju të dashur qytetarë i përdorni përditë.

Të dashur motra dhe vellëzër,

Sot, në 33 vjetorin e themelimit tonë, duhet ta themi pa asnjë ndrojtje që Partia Demokratike e Shqipërisë në këto 33 vite nuk e përmbushi detyrën e saj ndaj pronarëve,
nuk e permbushi detyrën e saj ndaj të përndjekurve,
nuk e përmbushi detyrën e saj për vlerësimin e kontributeve historike.

Prandaj shumë prej tyre, që ndoshta janë edhe në këtë sallë, me të drejtë janë ndjerë të nëpërkëmbur, janë ndjerë të ofenduar, janë ndjerë të tradhtuar në kauzat e tyre për të cilat kjo parti u formua.
Në emrin tim, në emrin të gjithë anëtarëve të saj sot kam një thirrje për të gjithë ata që në këto 33 vite janë larguar nga Partia Demokratike:

Për të gjitha ata kontributorë themelues të saj dhe çdo person që të djathtën shqiptare e ndjen familjen e tij politike, që për arsye të ndryshme në këto vitë nuk janë ndjerë në shtëpinë e tyre, bashkohuni me Partinë Demokratike të Shqipërisë,
Ejani jepni kontributin tuaj të çmuar ashtu sikurse e keni dhënë në vitet e para të pluralizmit dhe në këto 33 vite.

Partia Demokratike e Shqipërisë është partia e themeluesve të saj,
është partia e studentëve të dhjetorit,
është partia e të përndjekurve dhe e pronarëve,
është partia partia e njerezve të lirë
është partia e vlerave euro-atlantike
është partia e interesit kombëtar te shqiptarëve.
Partia Demokratike është familja juaj
ne ju mirëpresim të gjithëve!

Të dashur qytetarë shqiptare,

Kush mendon se Partia Demokratike e ka mbaruar misonin e saj, gabon rëndë!

Misioni ynë është misioni i shqiptarëve:

Ata sot kërkojnë një alternativë ndaj këtij pushteti të kalbur nga korrupsioni.
Ata sot kërkojnë të marrë fund teatri 30 vjeçar i tranzicionit, ku sa më shumë që bëjnë sikur inatosen, aq më të mëdha i kanë hallet,
Sa më shumë bëjnë sikur janë kundërshtarë, aq më të larta i qepin pazaret.

Shqiptarët i kanë kuptuar. I kanë kuptuar se çdo gjë që bëjnë e kanë për veten e tyre dhe asgjë në interes të Shqipërisë.
Shqiptarët i njohin mirë kush janë. Prandaj po i braktisin përditë e më shumë.

Dhe prandaj perditë e më shumë i kanë sytë nga ne.

Shqiptarët po na presin.

KY ESHTE MOMENTI YNË I VËRTETË:

Partia Demokratike e Shqipërisë, PARTIA JONË, do të bëhet partia e së ardhmes së shqiptarëve, partia e interesit kombëtar, partia e ekonomisë së lirë, partia e mirëqenies së shqiptarëve, partia e partneritetit të ngushtë dhe te përjetshëm me SHBA dhe BE.

Të dashur demokratë të rinj,

Muajt e fundit kam takuar shumë prej jush në çdo cep të Shqipërisë.

Pjesëmarrja, angazhimi dhe interesimi juaj është garancia më e bukur e së ardhmes tonë!

Sepse Partia Demokratike është shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim!

Sepse Partia jonë është e vetmja alternativë europiane ndaj kësaj kaste politike të rrënuar nga korrupsioni dhe të vjetëruar nga pushteti!

Unë e di qe sot SHQIPËRIA ka nevojë për ne: ajo po na thërret, njësoj si para 33 vjetëve:

T’i japim fund tranzicionit shqiptar
T’i japim duart klasës politike 33 vjeçare
Të hapim një faqe të re për Shqipërinë dhe për shqiptarët!

Dhe Ne, Partia Demokratike, do ta bëjmë këtë!
Sepse ShqipËria do tË bËhet!

Do ta bëjmë, ashtu sikurse kemi filluar, me sinqeritet dhe modesti me njerëzit, duke i afruar ata që kanë përzemër fatet e shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Duke folur përditë me njerëzit, duke i takuar ata nga afër dhe duke biseduar sy më sy, më këdo që është zhgënjyer me sistemin politik 33 vjeçar.

Duke e forcuar bashkëpunimin tonë të ngushtë me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe partnerët tanë strategjikë, të cilët kanë dhënë një kontribut të paçmueshëm në këto 33 vite tranzicion për demokracinë dhe shtetin shqiptar, dhe të cilët i falenderoj nga kjo sallë në emër të të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike.

Të dashur motra dhe vellëzer demokratë,
Të dashur qytetarë,

Fatkeqësisht, as Shqipëria jonë nuk është sot aty ku duhet te ishte.

Pas 33 viteteve pluralizëm, shumica e bashkëqytetarëve tanë janë në një gjendje të mjerueshme ekonomike.

Krimi duket se ka pushtuar gjithë vendin.
Korrupsioni ka arritur nivele të panjohura më parë.
Integrimi europian i Shqipërisë ka 10 vite që ecën me hapin e breshkës.

Shqiptarët kanë lënë shtëpitë dhe familjet e tyre dhe kanë emigruar si kurrë më parë.

Arsimi dhe shëndetësia janë në degradim të plotë.

Përgjegjësi kryesor për këtë gjendje është Edi Rama dhe qeveria e tij.

Kjo qeveri nuk prodhon mirëqenie, dije, vende pune dhe siguri! Ajo prodhon vetëm korrupsion, regres, arrogancë, drogë dhe krim.

Prandaj SOT nga kjo sallë, dua të theksoj edhe njëherë mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike për SPAK, të përgëzoj hetimet e saj ndaj krimit dhe pushtetarëve të korruptuar.

Shqiptarët mezi e kanë pritur këtë ditë!

Ata kanë 33 vite që presin drejtësi të barabartë, një drejtësi ku askush nuk është mbi ligjin.

Sepse vetëm kështu mund të ngrejmë shtetin e së drejtës dhe të forcojmë demokracinë në Shqipëri.
Sepse fatkeqësisht sistemi ynë politik ka dështuar.

Ketu tek ne, një person i vetëm, kryeministri, është mbi gjithçka. Sot, pushteti i tij është absolut. Ai vetë zgjedh, vetë vendos, vetë zbaton!

Sot deputetët janë kukulla të Kryeministrit që përdhosin Kuvendin e Shqipërisë duke shkelur kështu me këmbë zgjedhësit e tyre, qytetarët shqiptarë!

Kështu parlamenti çnderohet përditë, i tëri në dispozicion të interesave të Edi Ramës dhe klientëve të tij ekonomikë.

KY MODEL ËSHTË I GABUAR!
KY MODEL ËSHTË I VJETËR!
KY MODEL NUK I ÇON DOT SHQIPTARËT NË EUROPË!
KY MODEL DUHET DHE DO TË NDRYSHOJË!

Te dashur qytetare,

Ne jemi këtu sepse besojmë tek një model ndryshe. Besojmë tek demokracia dhe politika normale në shërbim të njerëzve.

Prandaj kemi propozuar listat e hapura për zgjedhjet e ardhshme, që ju japin mundësi qytetarëve të zgjedhin vetë kush do t’i përfaqesojë.
Prandaj duam t’i japim mundësinë diasporës shqiptare të votojë si një garanci e madhe për demokracinë shqiptare.

Prandaj kemi propozuar në Kuvend vetingun për politikanët, në mënyrë që të kalojmë në sitë të gjithë ata që do t’ju përfaqësojnë juve!

Prandaj duam të zgjedhim presidentin nga populli, që institucionet tona publike të mos bëhen vartëse të njëri-tjetrit në kurrizin tuaj,

Prandaj kemi hapur partinë tonë në garën e brendshme për të afruar sa më shumë të rinj, gra dhe intelektualëve,

Prandaj kemi vendosur t’jua prezantojmë 140 kandidatët tanë për deputetë një 1 vit para zgjedhjeve!

Sot besoj më shumë se asnjëherë që kjo politikë,
politika që ndërton dhe nuk shkatërron,
politika e ideve dhe jo politika e dhunës,
është politika që i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Dhe këtë do të bëjmë NE.

Ky është misioni i Partisë Demokatike të Shqipërisë
për një Shqipëri të zhvilluar
për një Shqipëri europiane.

Ndaj me mirënjohjen me të thellë për sakrificat, kurajon dhe qëndrueshmërinë e themeluesve të Partisë Demokratike.

Me mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që na kanë besuar dhe na kanë votuar ndër vite.

Me mirënjohjen më të thellë për të gjithë drejtuesit dhe drejtueset e degëve dhe strukturave tona, për të gjithë anëtarët e anëtaret e Partisë Demokratike dhe për të rejat dhe të rinjtë e mrekullueshëm demokratë,

Ju uroj të gjithëve: Gezuar 33 vjetorin!

Rroftë Partia Demokratike e Shqipërisë!

Rroftë Shqipëria!

IMG 20231211 WA0035

Exit mobile version