Nga Simon Hadaj
Në intervistën e dhënë një ditë më parë për gazetarin Artur Zheji, Lulzim Basha përvijoi figurën e tij të ngritur mbi qetësinë dhe arsyen, duke shmangur tonet e euforisë dhe të konfliktit që shpeshherë shoqërojnë diskursin politik në Shqipëri. Ndërkohë që të tjerë politikanë mund të kishin përdorur një vizitë të tillë për përfitime politike, Basha zgjodhi të mos e glorifikonte pjesëmarrjen e tij në inaugurimin e Presidentit Donald Trump, edhe pse ishte një nga të paktët liderë të Ballkanit të ftuar në këtë ngjarje.
Në vend të kësaj, ai demonstroi një qasje të matur, duke e vendosur theksin te arsyeja dhe jo konflikti, duke theksuar shumë herë se e keqja më e madhe e këtij vendi është qeverisja aktuale dhe Edi Rama, dhe është pikërisht ky që e ka future opozitën në diskurin e vetëm ku çdo gjë rrotullohet rreth Sali Berishës.
Në këtë opozitë heterogjene dhe të fragmentarizuar, figura e Lulzim Bashës është alternativa e vetme me lidhje të fuqishme ndërkombëtare, një element kyç që e diferencoi në mënyrë të dukshme nga kundërshtarët e tij. Ndërsa ai nuk ka përdorur populizmin për të tërhequr vëmendje, rruga e tij mbetet e fokusuar në ndërtimin e një opozite të përgjegjshme dhe mbështetjen ndaj reformave si ato të SPAK-ut dhe listave të hapura.
Në një kohë kur tranzicioni politik në Shqipëri është udhëhequr nga konflikti dhe gjuha e përçarjes dhe e urrejtjes, Basha synon të krijojë një model të ri lideri politik, i cili ndërthur fuqinë e diplomacisë ndërkombëtare me qëndrueshmërinë e një gjuhe që promovon alternativën dhe arsyen. Ndërsa populizmi dhe agresiviteti kanë qenë shpesh formula të suksesshme në politikën shqiptare, strategjia e Bashës për të ofruar diçka ndryshe mund të jetë ajo që vendi ka nevojë për të kapërcyer sfidat e tranzicionit.
Partitë e reja që mbështesin hapur SPAK-un dhe listat e hapura Basha i pret për të bashkëpunuar, duke i lënë derën hapur dhe duke ndërtuar një rrugë përtej asaj të politikës së tranzicionit. Qëndrimi i tij për të shmangur konfliktet dhe për të promovuar një klimë të re bashkëpunimi dhe progresi, ku alternativa qeverisëse, program dhe ekipi të jenë në qendër të fushatës së partive politike, mund të jenë pikërisht ato që Shqipëria ka nevojë në këtë moment.