Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka hedhur dritë mbi një seri skandalesh dhe pazaresh të pista që lidhen ngushtë me tre liderët e politikës shqiptare: Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën. Në një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Basha ka zbuluar marrëveshje të fshehta për ndërtimin e kullave, lejet e dyshimta të ndërtimit dhe një amnisti të fshehtë për të korruptuarit që kërkojnë shpëtim politik.
Ai ka denoncuar gjithashtu goditjen e SPAK-ut dhe manipulimet që po zhvillohen nën tavolinë për të mbyllur listat zgjedhore nga dyshja Rama-Berisha, që sipas tij, po përpiqen të mbrojnë një sistem të korruptuar dhe të dështuar. Ndërkohë gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka këmbëngulur gjithashtu se është koha që drejtësia të zbulojë të vërtetën sa i takon dosjes së “21 Janarit”.
-Zoti Basha, si e shikoni arrestimin e Ilir Metës nga SPAK? A mendoni se ky është një hap i drejtë drejt pastrimit të korrupsionit, apo është një manovër politike nga ana e qeverisë për t’i shpërndarë vëmendjen opinioni publik nga skandalet?
T’i japësh kredite qeverisë për arrestimet e kryera nga SPAK, do të thotë të bësh pis punën e SPAK. Prej shumë kohësh ka një investim të madh për të delegjitimuar punën e SPAK në sytë e opinionit publik, kjo ndodh sepse me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe besimin e qytetarëve shqiptarë, Prokuroria e Posaçme po lëkund kupolën e vjetër dhe të korruptuar të këtyre 34 viteve. Tani që drejtësia ka nisur të hedhë hapa konkretë dhe shohim se koha e llogaridhënies ka ardhur për të gjithë, angazhimi ynë duhet të jetë për ta kthyer këtë moment të forcimit të ndarjes së pushteteve, për ta përdorur për të krijuar më shumë demokraci, më shumë liri për median, më shumë mirëqenie për qytetarët.
-Në dosjen e SPAK “Meta-Kryemadhi” dalin edhe emra biznesmenësh, një ndër ta është edhe oligarku Samir Mane që dyshohet se ka porositur ligje në favor të tij. Ka ardhur koha që Prokuroria e Posaçme ta ngrejë stekën më lartë, duke goditur oligarkinë në Shqipëri?
Pandëshkueshmëria që ka sunduar në këto 34 vite nuk ka qenë vetëm e politikës, por edhe e klientelës së politikës në botën e biznesit dhe të krimit të organizuar, dhe kur flasim për fundin e pandëshkueshmërisë kërkojmë barazi para ligjit për të gjithë ata që kanë përfituar nga pushteti në mënyrë të paligjshme, pa përjashtime.
-Si i shikoni hetimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha sa i takon dosjes “Partizani”? Duke qenë se keni bashkëpunuar me të, ju vjen keq nëse Berisha do të shpallet fajtor…
Është normale që herë pas here politikanët të përballen me të shkuarën e tyre. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, apo i preferuar i tij. Atë standard që kërkojmë për qytetarët dhe kundërshtarët duhet ta aplikojmë pikësëpari tek vetja. Çështjet e drejtësisë janë të drejtësisë dhe zoti Berisha ashtu si dhe çdo qytetar tjetër duhet të japë llogari. Sepse kur demokratët përballeshin me regjimin e Edi Ramës, kullat, lejet e ndërtimit dhe pasuritë e familjes Berisha shtoheshin.
Kjo vjen erë të keqe dhe për këtë ai duhet të japë llogari. Është e pafalshme në rastin e z. Berisha, nisur nga përvoja, mbështetja dhe pushteti i madh që ka marrë nga demokratët në këto tre dekada, që me egoizëm të verbër mbivendosi interesat e tij personale mbi ato të PD, duke e përdorur partinë, mbështetësit dhe funksionarët e saj si zyrë avokatie për dosjet me të cilat ai po përballet në SPAK. Kjo ka dobësuar opozitën dhe ka forcuar Ramën, duke dëmtuar interesat e shqiptarëve që kërkojnë largimin e kësaj qeverie të korruptuar dhe të lidhur me krimin.
-Ju keni qenë i pari që keni paralajmëruar shkërmoqjen e “Trekëndëshit të Bermudës” (Meta-Berisha-Rama). Në këto kushte, a mendoni se kryeministri Edi Rama, si pjesë e kësaj aleance historike, do të jetë ndonjëherë subjekt i hetimeve të SPAK dhe a besoni se ai mund të përballet me pasojat ligjore për veprimet e tij gjatë këtyre viteve qeverisje?
Besoj se me përcaktimin e treshes si ‘Trekëndëshi i Bermudës’ jam bërë zëdhënës i një mendimi të përhapur gjerësisht te qytetarët mbi natyrën e marrëdhënieve që tre personazhet më jetëgjata të tranzicionit mbanin dhe mbajnë me njëri-tjetrin, duke diktuar të mirën dhe të keqen për familjet shqiptare, në një lojë nga e cila ata fituan pushtet, para dhe paprekshmëri, ndërsa qytetarët vetëm korrupsion, varfëri dhe shpopullim. E kam pasur bindje që ata pa njëri-tjetrin nuk qëndrojnë dot në këmbë, prandaj kanë bërë gjithçka, në veçanti 3 vitet e fundit, për të penguar zhvillimin normal të jetës politike, për të zgjatur sa më shumë pushtetin e tyre.
Por fundi i kësaj kaste ka nisur dhe pas avancimit të punës së drejtësisë pyetja nuk është nëse do të jetë ndonjëherë z. Rama subjekt i SPAK, pyetja e vetme është kur do të jetë, pra është vetëm çështje kohe. Jam i bindur se kështu si unë mendojnë dhe shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë, të cilët e kuptojnë se paligjshmëria gjatë qeverisjes së Edi Ramës ka arritur maja të panjohura, me korrupsion të përhapur në çdo zyrë të shtetit, me lidhje me krimin që i kanë dhënë vota me të cilat pamundësuan fitoren tonë në 2021. Sot Edi Rama ka mandat nga krimi i organizuar në Durrës. Një kryeministër me mandat krimi do të jetë njolla që ai do të lërë si trashëgimi në historinë e pluralizmit.
-Situata politike në opozitë duket se ka kaluar në një fazë të pasigurisë. Si e shikoni situatën brenda PD-së?
Kur z. Berisha vendosi të parin interesin e tij personal, duke mos u shqetësuar për pasojat që do të binin mbi opozitën, duke e trajtuar çështjen e tij si një çështje që mbizotëron mbi hallet e familjeve shqiptare, ajo nuk ishte parti por një fraksion i PS-së. Partitë ekzistojnë për t’i shërbyer qytetarëve, kanë parime dhe vizion për të ardhmen, nga momenti që çdo gjë në atë grupim ka në fokus hallin e z. Berisha dhe karriget e atyre që i shkojnë pas për një rrogë deputeti, dhe nuk kanë as parime e as vizion, por vetëm pazare, janë të destinuar të jenë vetëm një patericë e Edi Ramës, me të cilin bashkojnë votat kundër interesave të qytetarëve sa herë i duhen Ramës.
Shikoni pak, ku e ka revolucionin? Kulmi i tij ishte bashkimi i votave për amnistimin e të korruptuarve dhe mbylljen e listave. Nisi mosbindjen civile nga kolltuku i shtëpisë, ku është sot? Po bëhen gati të bashkojnë votat për pazarin e radhës. Berisha ka bërë pazar me pushtetin e 2025, Rama mandatin e 4, Berisha vulën e PD-së. Kjo është gjella e prishur që duan t’i servirin shqiptarëve, por ta harrojnë.
-Ju si Demokratët Euroatlantikë do të hyni në zgjedhjet e vitit 2025?
Sigurisht që do të jemi në zgjedhje, pavarësisht pengesave që pazari Rama-Berisha krijoi përmes vendimit skandaloz të 11 qershorit, ne do të jemi në zgjedhjet e ardhshme me ekipin tonë dhe me programin tonë. Nëse Gjykata e Lartë nuk vonon në dhënien e drejtësisë, ne do të jemi me siglën e Partisë Demokratike, duke e kthyer atë në boshtin e parimeve dhe vlerave me të cilat ka lindur, për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo nuk është çështje vule, por është çështje e drejtësisë. Prandaj ne jemi shprehur të vendosur për të kërkuar drejtësi deri në Strasburg. Beteja sot në Shqipëri është mes drejtësisë dhe padrejtësisë. Dhe si ata që konsideroheshin të paprekshëm sot po japin llogari para drejtësisë, ashtu dhe gjyqtarët që japin vendime antiligjore do të përgjigjen në mos sot nesër.
Por, edhe nëse për arsye që nuk janë ligjore Gjykata e Lartë do të vonojë vendosjen e të drejtës në vend, ne kemi gati të gjitha masat për të qenë në zgjedhje, pavarësisht pengesave që Trekëndëshi i ‘Bermudës’ do të vendosë në rrugëtimin tonë. Nuk do ta lëmë vendin me ofertën fallco, ose Ramën, ose Berishën, siç edhe është plani i tyre. Ne nuk besojmë se opozita duhet të konkurrojë si e keqja më e vogël përballë qeverisë më të korruptuar të tranzicionit, por do të jemi në zgjedhje me ofertën më të mirë qytetare, që shëmbëllen aspiratat e shqiptarëve për të mbyllur kapitullin e tejzgjatur të tranzicionit, duke çelur një faqe të re zhvillimi e mirëqenie.
-Çfarë mund të na thoni për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme? A janë listat e kandidatëve për deputetë gati dhe cilat do të jenë prioritetet e partisë tuaj për t’u paraqitur para shqiptarëve?
Po punojmë intensivisht për të dalë me grupin e parë të kandidatëve që do të mishërojnë ofertën tonë programore, me njerëz me integritet, të përgatitur në fushat e tyre të ekspertizës, për t’u dëshmuar qytetarëve që ne besojmë të një tjetër model politik. Një politikë që nuk është e mbyllur në vetvete, nën ankthin e interesave të vogla personale, por e fokusuar te problemet e njerëzve dhe te zgjidhjet konkrete që ne kemi për familjet shqiptare, për sipërmarrësit e ndershëm, për shëndetësinë dhe arsimin, për të rinjtë e të rejat që kanë ambicie të ndërtojnë Shqipërinë e të ardhmes.
Kemi gërshetuar të rinjtë me figura me eksperiencë. Pjesa më e madhe janë njerëz që ndajnë të njëjtat probleme me zgjedhësit e tyre, janë pranë tyre 24/24. Siç më tha dhe një qytetar në Shkodër – “Duam kandidat që t’i vijë uji kur na vjen ne e t’i fiken dritat kur na fiken ne.” Prioriteti kryesor është një qeveri që lufton korrupsionin dhe siguron mirëadministrimin e burimeve të shumta që vendi ka, me paketën tonë për uljen e taksave dhe planin ambicioz të investimeve në arsim dhe shëndetësi, do të krijojmë kushtet për një hov të ri ekonomik dhe shoqëror.
Forcimi i shtresës së mesme është një tjetër prioritet, ne duam që të rinjtë të kenë mundësi të ndërtojnë familjen e tyre, të kenë mundësi të blejnë banesa, të kenë mundësi të përballojnë kostot e jetesës dhe të jetojnë me dinjitet, gjë që deri tani është e pamundur për shumicën e tyre, prandaj dhe largohen. Ne kemi një program të detajuar i mirëpritur nga faktorët shoqëror, që duan të dëgjojnë për alternativën, e jo për sherret e lodhshme të politikës. Sot është bërë e modës si loja e kungulleshkave me ofertën për pagat e pensionet, pa asnje plan, apo llogaritje. Njësoj si shëndetësia e dikurshme falas e Edi Ramës dhe sot qytetarët paguajnë 60% të shërbimeve shëndetësore nga xhepi dhe pse paguajnë siguracione.
Ne kemi prezantuar planin e detajuar për çdo sektor. Ne besojmë se kjo është rruga përmes të cilës do të bindim qytetarët për seriozitetin e angazhimit tonë, sidomos pasi kemi dëshmuar me qëndresën tonë se kur është momenti për të zgjedhur mes interesit personal dhe interesit publik, ne kemi zgjedhur interesin publik edhe duke marrë kosto personale. Kemi treguar se kemi forcën morale dhe karakteriale të nevojshme për të marrë vendime të rëndësishme për vendin dhe jam i bindur se qytetarët do të dinë ta vlerësojnë.
-Keni shpresë se do të fitoni të drejtën për të rimarrë vulën dhe logon e PD-së në Gjykatën e Lartë?
Shqipëria ka urgjentisht nevojë për drejtësi të pavarur, drejtësi të shpejtë dhe efektive. Shpresoj që Gjykata e Lartë të mos shohë se kush bërtet më shumë në media e në portale, por të shohë ligjin. Vendimi skandaloz i Apelit, që shkeli udhëzimet e Gjykatës së Lartë, ka prodhuar një padrejtësi që përkthehet në një dëm për jetën politike të vendit. Dhe dua të përsëris sot se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Unë besoj se do të ketë një vendimmarrje të drejtë, që respekton demokracinë dhe shtetin e të drejtës.
Përmes atij vendimi shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtar do të shohin nëse investimi në drejtësi të pavarur është cënuar nga klikat e errëta të tranzicionit, apo do të kemi një drejtësi të fortë që pasqyron investimin transformues të aleatëve strategjikë. Kjo nuk është betejë e Lulzim Bashës për një vulë, por beteja e shqiptarëve për drejtësi. E nëse bëhet një padrejtësi e tillë aq hapur, aq trashë në shkelje të çdo norme ndërkombëtare, çfarë mund të presin qytetarët.
-SPAK aktualisht po heton dosjen e “21 Janarit”. A jeni të gatshëm të dëshmoni në Prokurorinë e Posaçme për këtë ngjarje, dhe cili është qëndrimi juaj lidhur me përgjegjësitë politike dhe ligjore që mund të nxirren nga ky hetim?
Sigurisht që do të respektoj kërkesat e Prokurorisë së Posaçme. Kam kërkuar prej ditës së parë një hetim të plotë dhe transparent, pasi nuk kam gjë për të fshehur, apo për t’iu trembur dhe besoj se drejtësia duhet të veprojë e papenguar nga politika. Pas 13 vitesh është qartë besoj se ajo tragjedi është përdorur për përfitime politike. Fatkeqësisht kemi parë sesi sebepi i asaj proteste, u bë aleati më i ngushtë i Edi Ramës, duke e bërë edhe President madje.
Njerëz që janë akuzuar natën e ‘21 janarit’, si të ashtuquajtur grup zjarri, u graduan nga Partia Socialiste si kryetarë degësh, apo kryetarë bashkish të Partisë Socialiste. Për çfarë kontributi i promovoi dhe i gradoi Edi Rama? Besoj se kjo pyetje kërkon po ashtu një përgjigje nga ana e drejtësisë. Pra, fatkeqësisht është një lojë e turpshme me ndjeshmërinë e qytetarëve por edhe me gjakun e katër viktimave të pafajshme, që meritojnë drejtësi.
-Zoti Basha, një vit më parë ju keni depozituar amendamente që ndihmojnë në forcimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Reformës në Drejtësi në Shqipëri, por Edi Rama dhe qeveria e tij kanë penguar diskutimet dhe votimin e këtyre propozimeve. Si e shikoni këtë veprim nga ana e kryeministrit dhe çfarë mesazhi i dërgoni qytetarëve shqiptarë lidhur me përpjekjet e qeverisë për të minuar funksionimin e SPAK-ut dhe luftën ndaj korrupsionit? A mendoni se ky është një tregues i një konflikti të hapur interesi mes qeverisë dhe Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion?
Edi Rama është sabotatori më i madh i Reformës në Drejtësi. Pasi pa të z. Berisha dhe Z. Meta pasqyrimin e fatit që e pret, po bën çdo gjë për të penguar SPAK. Kjo është e qartë me qëndrimet e tij publike, duke e komentuar me terma të pahijshme rolin jetik të SHBA në procesin e reformës, e bën duke sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë prokurorët e SPAK teksa i fshikullon për të mos prekur investitorët e tij strategjikë, e po ashtu e bën përmes përdorimit të institucioneve, siç ishte rasti i amnistimit të subjekteve të SPAK dhe GJKKO dhe fatkeqësisht përmes kontrollit që ushtron mbi Parlamentin përmes të cilit i pengon mbështetjen e duhur financiare institucioneve të drejtësisë. Por kjo nuk ka pse të na surprizojë, Edi Rama e di që kambanat po bien për atë, prandaj mban të mbyllura në sirtarët e Kuvendit amendamentet e mia për të vendosur SPAK në kushtet e duhura për t’u përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Edi Rama nuk e do këtë, sepse është në konflikt interesi me SPAK. Mjafton rasti i Jurgis Çyrbes për të kuptuar sa të rënduara janë pozitat e tij, ku është faktuar që edhe mandati i tij në Durrës është produkt i votave të krimit të organizuar. Pa harruar pastaj aferat e panumërta që mbajnë gjurmët e gishtërinjve të Edi Ramës, nga inceneratorët, te PPP-të e me radhë. Pra paniku që e ka kapur, e shtyn të pengojë amendamentet e mia, sepse ai e di mirë që ndodhet në një pamundësi totale për të mbrojtur veten përballë një pyetje shumë të thjeshtë: Ose është bashkëfajtorë me këta që kanë bërë krime ekonomike të shumta në qeverisjen e tij, ose është i paaftë për të drejtuar vendin pasi ka zgjedhur të rrethohet nga të korruptuar, apo kriminelë që i shërbejnë në zgjedhje. Në të dyja rastet ai nuk mund të jetë më kryeministër i Shqipërisë.
Të mos harrojmë çështjen e McGonigal. Rast skandaloz se si një kryeministër minon shërbimet e sigurisë së një partneri strategjik vetëm për të sulmuar kryetarin e opozitës. Kjo nuk mund dhe nuk do të harrohet as në Amerikë e as në Shqipëri. Prandaj dhe është e domosdoshme që qytetarët të mbështesin ndryshimin, pasi për të çuar përpara luftën ndaj korrupsionit, duhet një qeveri që e ka prioritet mbështetjen e SPAK dhe nuk bëhet pengesë në veprimtarinë e tij.
-Keni një koment mbi klimën e ndezur në radhët e mbështetësve të Sali Berishës, të cilët besojnë se ish-kryeministrit mund t’i hiqet “non-grata” me rikthimin e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë si President i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Shqipëria është e bekuar nga miqësia e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, interesat strategjike të tyre përkojnë me interesat e shqiptarëve, pavarësisht ndryshimit të administratave. I kemi patur në krah në momente më të vështira të historisë së kombit tonë e natyrisht do të jenë në krahun e shqiptarëve në të ardhmen. Sa për keqkuptimet e hallexhinjve të Tiranës, e cilësoj një lajm të mirë që kanë hequr dorë nga “sovranizmi” patetik, pasi retorika qesharake e viteve të fundit kujtonte atë të Shqipërisë si shkëmb graniti, pra të njëjtën retorikë anakronike që lamë pas kur protestat e studentëve të Dhjetorit ’90 arkivuan në koshin e plehrave partinë e parë të z. Berisha.
Deri dje fitoren nuk ua sillte Amerika, ambasadorët – sot po e presin nga Trump. Kaq mjafton për demokratët fanatik për të kuptuar se si i manipulon Sali Berisha për hallet e tij. Megjithatë, kjo dalldi tregon se paçka se përpiqen të festojnë fitoren e z. Trump, nuk kanë kuptuar asgjë prej saj, pasi ndryshe nga Berisha me shokë, z. Trump u bë zëdhënës i amerikanëve që donin ndryshim duke folur për problemet që ata hasin në jetën e përditshme, duke nisur nga ekonomia. Imituesit e këqinj të Ballkanit bëjnë politikë duke mbivendosur hallet e tyre mbi ato të qytetarëve. SHBA është aleat i kombit shqiptar, dje, sot, nesër e përjetë pavarësisht halleve të politikanëve, të korruptuarve dhe inkriminuarve. Këtë miqësi ne duhet ta ruajmë dhe ta ushqejmë pasi është jetike për kombin tone, aq më tepër në këto koha sfidash botërore.
Intervistoi: Rigels Seliman