Lunaçek: Si serbet e ndihmuan Thaçin të bëhet President

Zëvendëspresidentja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, është shprehur se Serbia duhet ta njohë Kosovën, teksa ka shtuar se Serbia është e vetëdijshme se Bashkimi Evropian, pas rastit të Qipros, nuk do të pranojë më asnjë shtet anëtar që nuk i ka kufijtë e definuar.

Kur ka folur për integrimin e serbëve, Lunaçek ka përmendur edhe faktin se serbët janë të përfaqësuar në Qeverinë e në Kuvendin e Kosovës. “Madje e ndihmuan Hashim Thaçin të zgjidhet President i Republikës së Kosovës, duke i siguruar kuorum”.

Në një intervistë dhënë Kuririt të Beogradit, ajo ka folur edhe për liberalizmin e vizave, duke thënë se kjo duhet të bëhet sa më shpejt për Kosovën, duke nënvizuar se është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka ende regjim vizash, përcjell Koha.net. Por një çështje tjetër që prek Lunaçek është Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Lunaçek për Asociacionin thotë se duhet të zbatohet si Marrëveshje e arritur në Bruksel mes Prishtinë dhe Beogradit. Ajo ka thënë se gjetjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për këtë marrëveshje duhet të përfshihen në formulimin e Ligjit dhe Statutit.

Lunaçek ka marrë një shembullin e UNESCO-s kur ka folur për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka thënë se refuzimi i UNESCO-s vitin e kaluar e thekson bllokadën politike të vazhdueshme që Serbia i bën Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Kjo shkelje sistematike e parimit të fqinjësisë së mirë dhe qëllimit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve e vë dialogun në rrezik”. Më poshtë mund të lexoni pjesë të intervistës që kanë të bëjnë me Kosovën:

Kapitulli 35 (i negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE) është një nga ata që ne tashmë e dimë se do të jetë i vështirë. Çka kërkohet veçanërisht nga Serbia në këtë kapitull?
Keni të drejtë, negocimi i Kapitullit 35-të është i rëndësisë vendimtare për progresin e Serbisë në rrugën e saj drejt integrimin në BE.

Në lidhje me këtë, normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është një kusht i rëndësishëm për hyrjen e Serbisë në BE. Çka saktësisht nënkupton me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën?

Më lërë të të jap një shembull: Refuzimi i UNESCO-s vitin e fundit e thekson bllokadën politike të vazhdueshme që Serbia i bën Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kjo shkelje sistematike e parimit të fqinjësisë së mirë dhe qëllimit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve e vë dialogun në rrezik.

Rasti i UNESCO-s vë në dilemë se sa i suksesshëm është ky dialog. Sepse veprimet e Serbisë përball përpjekjes së Kosovës për në UNESCO, nuk ka qenë në frymë të mirë. Përkundrazi, disa përfaqësues qeveritarë të Serbisë kanë shfaqur një nivel të lartë të urrejtjes, e cila është shumë kundërthënëse me atë që përfaqësuesit serbë e tregojnë kur ulen në tryezë me përfaqësues qeveritarë të Kosovës.

Zbatimi kupton zbatimin e çdo gjëje për të cilën palët janë pajtuar. Të dy palët duhet ta bëjnë këtë, dhe jo të presin se cila e bën e para. Serbia duhet të ecë përpara për heqjen e strukturave paralele jotransparente në veri të Kosovës.

A do të thotë kjo që Serbia duhet ta njohë Kosovën?
Normalisht që po. Serbia e di që Bashkimi Evropian, pas Qipros, nuk do të pranojë asnjë shtet tjetër anëtar që nuk i ka kufijtë plotësisht të definuar.

Sigurisht, unë kam bërë thirrje te pesë shtetet ngurruese të Bashkimit Evropian që të heqin dorë nga rezistenca e tyre dhe të njohin Kosovën. Në shkurt, Parlamenti Evropian miratoi raportin tim për Kosovën dhe deputetët e atij Parlamenti kanë bërë thirrje përsëri që shtetet anëtare të BE-së të përfundojnë njohjet e tyre zyrtare për Kosovën. Ndikimi pozitiv i BE-së në Kosovë do të ishte më i fuqishëm nëse të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të vepronin të bashkuara.

Pse mendoni që Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat?
Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, që qytetarëve të saj nuk u lejohet të udhëtojnë të lirë për tre muaj në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo gjendje jonormale duhet të ndryshojë sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët të mos ndjehen më të “mbyllur”.

Si do të ndiheshin qytetarët e Serbisë nëse do të ishin të vetmit në Ballkanin Perëndimor që ende ju duhen vizat? Ata do të ndiheshin si qytetarë të dorës së dytë, sidomos kur kujtohet se gjatë kohës së Jugosllavisë, vetë ata ose prindërit apo gjyshërit e tyre, si kosovarët në Jugosllavi, kanë mundur të udhëtojnë lirshëm në pothuajse të gjitha vendet e botës.

Komisionari Johannes Hahn beson se Marrëveshja e Kosovës me BE-në për Stabilizim e Asociim obligon Prishtinën që të përmirëson marrëdhëniet me Serbinë. Si e shihni ju këtë?
Bashkimi Evropian luan rol të madh në sigurimin e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Rezultati pozitiv i zhvillimit të perspektivave të pranimit në BE për të dy shtetet është mirëpritur, me hapjen e negociatave për pranimin e Serbinë dhe finalizimin e MSA-së me Kosovën. Qartazi është e nevojshme vigjilenca në monitorimin e progresit të marrëveshjeve të arritura në të dy vendet.

Ju e vizitoni Kosovën shpesh. Si e shihni bashkëjetesën mes serbëve dhe shqiptarëve sot, në krahasim me gjendjen e një dekade më parë?
Në përgjithësi gjendja është bërë shumë e mirë në krahasim me dhjetë vjet më parë. Serbët janë të përfaqësuar në Qeverinë e Kosovës, janë anëtarë të Kuvendit të Kosovës dhe madje e ndihmuan Hashim Thaçin të zgjidhet President i Republikës së Kosovës, duke i siguruar kuorum.

Në përditshmëri situata është përmirësuar shumë nga një dekadë më parë: vështirë ka akte të dhunës (po që nëse ka, ato janë më shumë kriminale dhe jo me probleme etnike). Transmetuesi publik i Kosovës, ka kanal në gjuhën serbe. Fatkeqësisht, edhe pse të dyja janë gjuhë zyrtare, shumë pak serbë të Kosovës flasin ose mësojnë shqip, dhe të rinjtë shqiptarë të Kosovës flasin apo mësojnë serbisht.

Unë mendoj se të dy grupet do të bëjnë më shumë në mësimin e gjuhës së tjetrit.Në veri të Kosovës situata është përkeqësuar prej që kryetarët e komunave nuk janë vërtetë të gatshëm për të orientuar politikat e tyre drejt Prishtinës.

Përpjekjet më të shumta nga të gjitha palët janë ende të nevojshme. Qeveria në Prishtinë ende duhet të bëjë më shumë për të arritur te serbët në veri dhe t’i fitojë ata, por edhe më shumë Serbia ka nevojë për të mbështetur integrimin e serbëve në të gjitha pjesët e Kosovës, sidomos në veri, në vend të rrezikimit të këtij procesi.

Veriu i Kosovës duhet të bëhet një pjesë plotësisht e integruar e Republikës së Kosovës. Sigurisht që të gjitha marrëveshjet e arritura mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të zbatohen, përfshirë edhe Asociacionin/Bashkësinë e komunave serbe.

Gjetjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mund dhe duhet të zbatohen në formulimin e Ligjit dhe Statutit të Asociacionit/Bashkësisë. Dhe kjo është e qartë për mua se komunat nuk kanë funksion ekzekutiv në nivel të shtetit: ato ekzistojnë në mënyrë që të ofrojnë shërbime te qytetarët e tyre dhe jo të bëjnë politika nacionale.

Artikulli paraprakGazetarët e mafias
Artikulli tjetërBE i tregon kufijtë Boris Johnsonit