Në ekstremin lindor të kufirit Shqipëri-Kosovë, shtrihet fshati Orgjost, ndoshta nga fshatrat e vetëm në vendin tonë që nuk është shpopulluar, pasi numëron rreth 900 banorë të komunitetit goran, pjesë e njësisë administrative Zapod të Bashkisë së Kukësit.
Në kushtet kur rruga që i lidh me Kukësin mund të kalohet vetëm me mjete e larta, banorët e Orgjostit, jetën e tyre dhe shërbimet i kanë të lidhura me komunën e Dragashit në Kosovë.
Por edhe rruga drejt fshatit të parë të komunës së Dragashit në Kosovë, Orqushës dhe që kalon nëpërmjet kësaj pike kufitare, nuk lejon lëvizjen me automjete. Banorët detyrohen rreth 1 km ta bëjnë në këmbë.
Në të tilla kushte, ata i kërkojnë ndihmë dy qeverive, shqiptare dhe të Kosovës që t’u mundësojnë ndërtimin e kësaj rruge, të cilën janë gati që ta financojnë vullnetarisht edhe vetë dhe të kenë mundësi të kalojnë me automjete, pasi gjatë dimrit këto shtigje bllokohen.
Banorët e Orgjostit në Shqipëri dhe Orqushës së Dragashit në Kosovë prej vitesh janë shembulli më kuptimplotë i bashkëjetesës natyrale që nuk duhet ndarë me kufij artificialë dhe i vetmi shërbim që kërkojnë nga autoritetet burokratike shtetërore, është t’u japin leje për të ndërtuar një rrugë më të mirë që të forcojë më shumë lidhjen e tyre.