Milani mund të konsiderohet në duart e kinezëve tashmë, pavarësisht se u shndërrua në një “telenovelë” të gjatë, me procedura dhe negociata të shumta. Ai që e konfirmon i pari se ka përfunduar gjithçka është Arrigo Saki, ish-trajner i kuqezinjve dhe mik i afërt i Berluskonit.
“Gjithçka ka përfunduar, Milani është i kinezëve. Shitja është realizuar. Ma tha vetë Silvio”, ka deklaruar Sakim në një deklaratë për “Repubblica”. Zyrtarizimi pritet të bëhet ditën e premte, më 3 mars, ku do të prezantohet edhe presidenti i ri. Këto ditë, grupi kinez që do blejë pronësinë do të kryejë edhe transaksionin prej 320 milionë euro, për të mbyllur edhe të gjitha detyrimet financiare ndaj pronarëve të mëparshëm.
Në total, blerja shkon 520 milionë euro, duke qenë se 200 milionë i kanë kaluar, ndërkohë familjes së Berluskonit dhe 200 të tjera janë borxhe që ka klubi dhe do të merren përsipër nga administruesit e rinj.
Presidenti i 22-të i historisë së Milanit do të jetë Jonghon Li, i cili ka udhëhequr edhe negociatat për blerjen. Ai do të jetë edhe drejtuesi ekzekutiv, ndërkohë që pritet një përgjigje nëse Silvio Berluskoni do të pranojë pozicionin e presidentit të nderit. Li Han do të jetë ndërlidhësi midis stafit në Milano dhe pronarëve në Kinë, pak a shumë roli që mbulon Steven Zhang tek Interi.
Sa i përket Këshillit Administrativ, ai do të përbëhet nga 6 anëtarë, 3 italianë (njëri është Marko Fasone) dhe tre kinezë. Konferenca që do prezantojnë të gjithë pritet të bëhet ditën e shtunë, në orën 11:30, ku presidenti Li do të bëjë një deklaratë dhe më pas në konferencë për median do të jenë Fasone me Han. Muajt e mbetur të këtij edicioni do të vlejnë për të sistemuar si duhet funksionimin e administratës, ndërkohë që në verë do të nisë puna për sezonin e ardhshëm.