Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka postuar një njoftim në gjuhën shqipe, përmes të cilit tregohej se së shpejti, nga Franca drejt Shqipërisë do të nisen ekipe të sigurisë civile dhe një skuadër e forcave speciale të zjarrfikësve.
Skuadrat speciale do marrin pjesë në operacionet e shpëtimit, pas serisë së tërmeteve që kanë goditur sot Shqipërinë që nga orët e para të mëngjesit.
Franca në këto momente solidarizohet me Shqipërinë, duke shprehur ngushëllime me familjet e viktimave dhe të lënduarit, thuhej në postim.
Postimi i plotë
Shpreh afërsinë me viktimat e tërmetit që goditi vendin tuaj, me familjet në zi si dhe me personat e dëmtuar. Franca është sot solidare me Shqipërinë. Ne po dërgojmë menjëherë ekipe të sigurisë civile, së shpejti edhe specialistë të forcave zjarrfikëse, me qëllim që të marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.
Lidhur me tragjedinë e sotme në Shqipëri kanë reaguar liderë të ndryshëm shtetesh, të cilët kanë dërguar forca të specializuara drejt Durrësit, për të ndihmuar autoritetet shqiptare për shpëtimin e atyre që kanë mbetur nën gërmadha.