Macron në mbrojtje të klimës

Sërish një takim i nivelit të lartë për klimën? Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e di si mund të prodhosh kryetituj të mirë gazetash. Pak javë më parë, në Bonn Konferenca e Klimës e OKB-së punoi mbi detajet e mundimshme të Marrëveshjes së Parisit për Klimën të vitit 2015, me vendime të vështira për t’u kuptuar, efekti i të cilave do të duket vetëm pas disa vitesh.
Macroni përdor në vend të kësaj përvjetorin e dytë të Marrëveshjes së Klimës të Parisit, të lëvduar kaq shumë, për ta vënë veten në krye të lëvizjes së klimës. Me një takim vetjak njëditor të nivelit të lartë me pjesëmarrës të njohur: kryeministrja britanike ishte e pranishme, shumë e gëzuar për mundësinë për të mos folur një herë për Brexitin. Princi Albert i Monakos. Bill Gates nga SHBA. Dhe nga Gjermania shkoi ministrja e Ambjentit. Barbara Hendricks, por jo kancelarja.

Takim i nivelit të lartë pa Angela Merkelin
Kjo në një kohë kur, Angela Merkeli konsiderohej më parë si ruajtësja e Gralit të Shenjtë për mbrojtjen ndërkombëtare të klimës. 20 vjet më parë, ajo ndihmoi kur qe ministre e Ambjentit, për të pagëzuar marrëveshjen e parë për klimën, protokollin e Kiotos. Dhe që kur qeveris e ka prezantuar vazhdimisht Gjermaninë si paraprijëse në takimet e mëdha të klimës.
Tani rolin e këtij paraprijësi e luan Macroni. Që pak javë më parë, ai deklaroi në Bonn së bashku me kryetarë të tjerë shtetesh braktisjen e energjisë së fituar nga qymyri. Këtë Franca e ka më të lehtë se Gjermania, sepse Franca një pjesë të madhe të energjisë e fiton nga centralet atomike. Dhe tani takimi që tërheq vëmendjen dhe që merret para së gjithash me çështje të financimit.

Në Evropë po lëvizin disa gjëra
Që më parë shprehja e Macronit “Make our planet great again” si përgjigje ndaj “Make America great again” të Trumpit tërhoqi disi vëmendjen. Deklarata të tilla të vendosura zor se priten nga Merkeli, ky nuk është stili i saj.
Në Evropë po lëvizin disa gjëra. Të paktën përsa i përket mbrojtjes së klimës. Tema të tjera do të pasojnë…

Artikulli paraprakFranca: Irani synon zgjerim të ndikimit në Lindjen e Mesme
Artikulli tjetërPse republikanët humbën Alabamën, Roy Moore nuk është Donald Trump