Macron, një “vazo dekorative” në Elize

Camille Pecastaing

Emmanuel Macron, ish-ministri i Ekonomisë në Francë, i cili doli në krye të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 23 prill, ka shumë gjasa të bëhet presidenti i ardhshëm i Francës. Të gjithë presin që ai t’i fitojë zgjedhjet e sotme kundër Marine le Pen të Frontit Kombëtar dhe pas performancës së tij në debatin presidencial, sondazhet u rritën në favorin e tij dhe deri në 63 për qind të shikuesve e kanë konsideruar atë si kandidatin “më bindës”. Por fitorja e tij, sado e paprecedent që mund të jetë për një kandidat të qendrës që nuk ka mbajtur kurrë një post të zgjedhur, nuk do t’i japë detyrimisht edhe pushtetin e qeverisjes.
Kushtetuta hibride e Francës përcakton se regjimi është presidencial, si ai i Shteteve të Bashkuara kur partia e presidentit mban edhe numrin më të madh të posteve parlamentare dhe parlamentar si ai i Britanisë së Madhe kur partia e presidentit nuk ka shumicën e vendeve në Parlament. Duke pasur parasysh zgjedhjet parlamentare që përbëhen nga 577 zona elektorale, priten të dalin në favor të partive të mëdha, partia e sapoformuar e Macronit, En Marche!, ka pak gjasa të fitojë veçse një pjesë të vogël të vendeve në Parlament në muajin qershor. Kjo do të thotë se qendra e pushtetit për pesë vitet e ardhshme nuk do të jetë në dorën e presidentit, por në atë të kryeministrit.
Ka ndodhur disa herë gjatë viteve 1980 dhe 1990 që presidenti të rrinte i padobishëm në pallat, pa autoritet sovran, ndërsa kryeministri, i cili vinte nga partia e opozitës, drejtonte çështjet shtetërore. Një satirë e titulluar “Les Saveurs du Palais”, përshkruan presidentin François Mitterrand, i cili ka qenë dy herë viktimë e këtij skenari, atë që francezët e quajnë “bashkëjetesë”, duke qëndruar në pallatin e Elizesë si “vazo dekorative” dhe e vetmja betejë e tij politike (të cilën e humbet) ishte të kujdesej që kuzhina të ishte e furnizuar mirë gjatë gjithë kohës.
Kryeministri i tij, Jacques Chirac, do të përballej me të njëjtin fat më vonë si president në vitin 1997, pasi zgjedhjet e shkuara keq e lënë politikisht impotent për pesë vite me radhë. Për të shmangur përsëritjen e situatës, Chirac amendoi Kushtetutën në vitin 2000, duke njehsuar shanset e presidentit dhe kryeministrit për pesë vite, përmes mbajtjen së zgjedhjeve pothuajse në të njëjtën kohë. Votuesit do të zgjidhnin pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ pothuajse me një frymë dhe nga e njëjta parti. Që atëherë, kjo ka funksionuar më së miri, por partia En Marche! do të përballet me një betejë më të fortë se ajo.
Dy parti, një goliste (e djathta e qendrës) dhe një socialiste (e majta e qendrës), e kanë dominuar politikën franceze që pas lindjes së Republikës së Pestë në vitin 1958. Edhe pse posti i presidentit mund t’i gënjejë disi partitë e vogla për të fituar pushtetin për herë të parë në gjashtë dekadat e fundit, dy partitë tradicionale do të vazhdojnë përsëri të kenë nën kontroll pjesën më të madhe të legjislaturave. Të gjithë debatet për pakënaqësi ndërmjet elektoratit dhe rritjen e populizmit nëpër Europa nuk marrin në konsideratë faktin se në Francë, Le Pen arriti të mposhtë dy burra që publiku i konsideronte të mërzitshëm dhe të korruptuar. Por fati i saj mbaron këtu!
Votuesit e nxitur nga Brexit dhe Trump shkundën raundin e parë. Zgjedhjet presidenciale franceze kalojnë në dy raunde, duke i dhënë publikut kohën e mjaftueshme për të protestuar kundër të djathtës ekstreme. Do të ishte shumë e paparashikuar që Le Pen të fitonte sot përballë kundërshtarit të saj Macron. Megjithatë, zgjedhjet parlamentare të qershorit zhvillohen në nivel distriktesh, me votime me dy raunde dhe të krijuara në mënyrë të tillë për të favorizuar dy partitë e mëdha të vendit. Votat që do ta rrjedhin nga dy partitë e mëdha për t’i shkuar Frontit Kombëtar dhe En Marche! do të janë më të pakta nga sa kemi parë në zgjedhjet presidenciale.
Mediat moderne ndonjëherë lejojnë që figurat e reja, tërheqëse dhe elokuente të projektohen më larg dhe lart se masa e politikanëve me eksperiencë. Macron, njëlloj si presidenti John F. Kennedy në kohën e tij apo kryeministri kanadez Justin Trudeau, arritën të kapin imagjinatën popullore dhe fyrmëzuan votuesit. Por zgjedhjet legjislative janë lokale, çështje të mërzitshme të nivelit të ulët, por që zgjidhen ndërmjet partive të mëdha. Nevojitet makineria politike me eksperiencë për të fituar votat, një distrikt pas tjetrit dhe struktura të ngritura që i kanë rezistuar kohës. Nëse këto makineri nuk janë shkatërruar nga lëvizja e Macronit – dhe nuk kemi parë asnjë shenjë që kjo të ketë ndodhur – kandidatët që do të kandidojnë për En Marche! do të përballen me betejën më të vështirë të karrierës së tyre.
Në këtë aspekt, duket se republikanët, partia goliste, priten të dalin fitimtarë të zgjedhjeve parlamentare. Pas pesë vitesh të administrimit tepër zhgënjyes të socialistëve, elektorati kërkon ta ndëshkojë Partinë Socialiste, kandidati për president i të cilës arriti rezultatin e turpshëm prej 6 për qind të votave. Në të kundërt, republikanët arritën të ngrihen menjëherë nga humbja e kandidatit, François Fillon. U pranua gjerësisht se skandalet ishin personale, jo institucionale dhe pavarësisht defekteve, Fillon mori një rezultat të admirueshëm prej 20 për qind në raundin e parë, vetëm 1 për qind më pak se Le Pen. Sondazhet tashmë sugjerojnë se edhe pse republikanët nuk do të kenë një mazhorancë absolute në Parlament, do të jenë përsëri partia kryesore në legjislaturën e ardhshme. Kjo do ta vendosë autoritetin legjislativ dhe ekzekutiv në duart e kryeministrit të qendrës së djathtë. Atëherë kush janë kandidatët e mundshëm?
Fushata presidenciale, duke filluar që me zgjedhjet paraprake brenda partisë, tregoi se ishte një kundërshtim i madh ndaj lidershipit të vjetër golist ku përshiheshin ish-presidenti Nicolas Sarkozy, ish-kryeministrat Alain Juppe dhe Fillon. Humbja e Fillonit i hapi derën brezit të ri të liderëve për republikanët që të marrin në dorë partinë dhe të pretendojnë kryeministrinë. Pretendentët janë teknokratë të rinj të shkolluar dhe me eksperiencë, me një gjenealogji të përkryer.
François Baroin, 51 vjeç ka mbajtur shumë portofole ministrore prestigjioze dhe u zgjodh për herë të parë në Parlament në vitin 1993. Laurent Wauquiez, 42 vjeç, është një figurë tërheqëse që ka fituar zgjedhje të vështira për partinë dhe ka shërbyer në disa poste ministrore. Megjithatë, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që i jepet barazisë gjinore në politikën franceze këto kohë dhe nevojës për të konkurruar Macronin në karizëm, një grua mund të ishte më e përshtatshme për këtë post.
Një zgjedhje e mirë do të ishte Christine Lagarde, ish-ministre e Financave që u bë drejtuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2011. Njëlloj si Macron, ajo është politikisht e jashtme dhe nuk ka mbajtur kurrë një post të zgjedhur dhe ka pasur një karrierë të suksesshme si avokate përpara emërimeve në qeveri. Tepër e respektuar ndërmjet liderëve europianë për veprimet e saj gjatë gjithë krizës së euros dhe e respektuar nga francezët, ajo do ta kishte shumë të lehtë të impononte autoritetin e saj. Por Lagarde, e dëmtuar nga një skandal mashtrimi, jo të sajin, por që është zhvilluar gjatë kohës që ishte ministre e Financave, mund të preferojë t’i qëndrojë larg politikës franceze.
Në çdo rast, beteja ndërmjet golistëve për postin e kryeministrit, zakonisht një hap larg drejt presidencës, premton se do të jetë brutale. Lagarde është vetëm një prej figurave femërore ambicioze dhe kompetente të sjellë në qeveri gjatë administratës së Sarkozy. Nathalie Kosciusko-Morizet, e njohur si NKM, garoi për bashkinë e Parisit në vitin 2013 dhe konkurroi në zgjedhjet brenda partisë për kandidaturën presidenciale. Edhe pse brilante, inxhiniere me profesion, sjellja e saj disi e vrazhdë mund të ketë shkaktuar dy humbjet e fundit dhe mund ta bëjë të papërshtatshme për pozicione të larta.
Emri që del më shpesh në dritë nga republikanët dhe votuesit është Valerie Pecresse. Njëlloj si Macron, ajo është diplomuar në Ecole Nationale d’Administration, është ekonomikisht liberale dhe pro europiane dhe ka shfaqur ambicie të mëdha reformuese gjatë pesë viteve në qeveri, së pari si ministre e Edukimit dhe më pas si ministre e Buxhetit. 10 vite më e madhe se Macron, ajo ka edhe më shumë eksperiencë politike, si anëtare e partisë dhe e Parlamentit që në vitin 2012.
Natyrisht, mbajtja në dorë e frerëve të pushtetit nuk do ta ngrejë automatikisht kryeministrin mbi presidentin të sjellë në pushtet nga vita popullore. Karizma do të ketë rëndësi të madhe. Macroni është një figurë e re politike, karizma e së cilit është personale dhe e paprecedent. Biografia e tij tashmë është e njohur. Një teknokrat, i mirëshkolluar sipas traditës franceze dhe ish-bankier investimesh, i martuar me ish-mësuesen e tij të gjimnazit, Macroni u ngjit në skenën politike kur u bë ministër i Ekonomisë në vitin 2014 në moshën 36-vjeçare. Pragmatik, pro europian dhe mbështetës i tregut të lirë, ai nuk mund të identifikohet as me të majtën as me të djathtën.
Por statusi i tij si figurë e jashtme do të jetë ai që do ta kufizojë në pushtet. Kryeministri, mbi të cilin Macron nuk ka asnjë autoritet institucional, do ta përfitojë pushtetin nga shumica legjislative e partisë së tij. Me një partneritet ideal, kryeministri i qendrës së djathtë do të shtynte për implementim reformat e nevojshme përmes Parlamentit dhe Macroni me karizmën dhe energjinë e tij mund t’ia shesë këto reforma publikut. Por në politikë, asgjë nuk është ideale dhe skenari më i mirë rrallë herë bëhet realitet.
Ngjashmëritë në karakter të dy liderëve që do të kenë në dorë pushtetin e Francës, mund të gjenerojnë rivalitet të fortë dhe paralizues. Macroni mund të mos ketë pushtet real, por si president mund t’ia lidhë këmbët kryeministrit përmes kritikave të vazhdueshme për veprimet e tij. Mitterrand, gjatë bashkëjetesës së tij me Chirac, filloi ta dëmtonte sistematikisht kryeministrin në çdo hap, në përgatitje për të fituar zgjedhjet e ardhshme presidenciale, zgjedhje të cilat i fitoi dhe partia e tij socialiste emëroi Michel Rocard si kryeministër.
Edhe nëse presidenti dhe kryeministri arrijnë të bien dakord, bashkëpunimi i tyre do të konfirmonte perceptimin ndërmjet të majtëve se Macroni është një ujk i veshur si dele dhe se qëndrimi i tij social nuk ka qenë gjë tjetër veçse kamuflim i axhendës së tij liberale. I kundërshtuar nga e majta dhe i injoruar nga e djathta, Macroni mund të përballet me një presidencë të zbrazët. Pas administratave zhgënjyese të Sarkozy dhe Hollande, të ndëshkuar pasi nuk arritën të reduktonin papunësinë dhe të parandalonin sulmet terroriste, Republika franceze mund të përballet me pesë vite të tjera në paralizë.
Sfidat që presin liderët francezë janë të vështira. Brenda vendit, Franca ka nevojë për reforma strukturore. Pavarësisht potencialit që kanë, pasi francezët janë të shkolluar dhe tepër produktivë, vendi ka performuar keq për dekada me radhë për shkak të barrës së rëndë fiskale dhe tregjeve të punës me rregulla strikte. Qeveritë e mëparshme janë përpjekur për të sjellë ndryshim, por reformat që mund të stimulojnë rritjen dhe të krijojnë vende pune vriten sistematikisht nga protestat popullore. Përveç problemeve të brendshme, Macron dhe kryeministri i tij i ardhshëm do të duhet të përballen me Brexit, krizën e euros dhe sfidën e sigurisë. Për të nxitur integrimin europian, Bashkimi Europian tani ka nevojë për një Francë të fortë dhe një Gjermani akoma më të fortë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakVeliaj, 100 leje ndërtimi në prag fushate
Artikulli tjetër3 fëmijët ndezin zetorin dhe bien në kanal, humb jetën 10-vjeçari