Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një konferencë të përbashkët me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ka zbardhur arsyen sepse vendi i tij nuk mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Macron u shpreh “si t’ua shpjegoj unë qytetarëve francezë, që vendi i dytë përsa i takon kërkesava të azilkërkuesve është Shqipëria”.
Presidenti francez tha se kemi lirinë e vizave me Shqipërinë edhe pse nuk kemi hapur negociatat, ndaj edhe shqiptarët kërkojnë azil në Francë.
Franca është një nga vendet që ka vendosur veton për të shtyrë procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë, ndërsa qëndrimi i saj mbështetet edhe nga Holanda dhe Danimarka, që konsiderohen edhe si 3 shtetet skeptike.
Ndërkohë që edhe Spanja ka një qëndrim pothuajse të njëjtë, ndërsa Gjermania ka artikuluar një Po me kushte, duke parashtruar 9 të tilla.
“Do t’i përmbahemi deklaratave tona politike sa i përket çështjeve kaq të rëndësishme. Evropa është një shtëpi e bukur dhe e madhe e jona. Njëri prej pjesëtarëve vendosi të largohej. Në këto lloj rastesh dritat e bukura që ka shtëpia mund të duken të bukura nga larg.
E përshëndes kurajon dhe reformat që ka ndërmarrë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Do flisja për një sinjal pozitiv, Ballkani është tejet strategjik për Evropën.
Duhet ta reformojmë procedurën. Unë po e shpall vizionin tim gjeopolitik para kancelares”, tha Macron, duke iu referuar Brexit.
Ndërsa kancelarja Angela Merkel bëri të ditur diferencat që ekzistojnë mes vendeve të BE-së.
“Kemi disa diferenca sa i përket problematikave që janë shfaqur. Ashtu siç e dini duhet një vendim unanim për çeljen e negociatave”, tha Merkel.