Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu keqardhjen për “krizën e paprecedentë” në sistemin politik global dhe bëri thirrje për aleanca të reja që do të zgjidhnin problemet e botës, një thirrje kjo që u mbështet nga udhëheqësit kinezë dhe ata të Bashkimit Evropian.
Zoti Macron priti kryetarë shtetesh dhe qeverish në Forumin e Paqes në Paris vetëm pak ditë pasi shkaktoi valë tronditjeje në kryeqytetet perëndimore duke paralajmëruar për paqëndrueshmërinë e NATO-s dhe BE-së.
“Po përjetojmë një krizë të paprecedentë në sistemin tonë ndërkombëtar”, tha zoti Macron, duke vazhduar në linjën e intervistës dhënë të enjten revistës “The Economist”, ku ai paralajmëroi se NATO po përjetonte “vdekje klinike” dhe se BE-ja rrezikon të bëhet e parëndësishme.
Presidenti francez, i cili ka kërkuar të zërë një vend parësor në skenën ndërkombëtare që kur mori pushtetin në vitin 2017, tha se “mënyra të reja bashkëpunimi, aleanca të reja” nevojiten mes shteteve dhe organizatave.
Ai shtoi se sistemi global politik dhe ekonomik i ndërtuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pati sjellë paqe në disa rajone dhe nxorri nga varfëria shumë njerëz. Por, pabarazi të reja janë shfaqur mes njerëzve dhe vendeve duke shkaktuar rilindjen e nacionalizmit dhe unilateralizmi “madje edhe mes atyre që janë gardianët më të fundit të këtij sistemi ndërkombëtar”, tha zoti Macron.
Për t’u përballur me sfidat e sotme, varfëria, lufta, rritja pa kontroll e popullsisë, emigracioni dhe burimet e paqëndrueshme natyrore, botës i duhet “më shumë bashkëpunim”, tha ai. Në vazhdim, zoti Macron paralajmëroi se nuk duhet të ketë më “hipokrizi” nëse vjen fjala për të vënë në pikëpyetje funksionimin organizatave shumëkombëshe si OKB-ja, të cilën e quajti “të bllokuar”.
Intervista e zotit Macron me revistën “The Economist” pati shkaktuar shumë debat. Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh se komentet e tij ishin shumë “drastike”. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo këmbënguli se NATO është “e rëndësishme dhe vendimtare”.
Por, komentet e zotit Macron, i cili gjithashtu ka qartësuar se dëshiron të dialogojë me Presidentin rus Vladimir Putin, u mbështetën me ngrohtësi nga Rusia. Ndoshta duke iu drejtuar kritikëve të tij, zoti Macron tha të martën se e folura pa doreza është e rëndësishme. “Mendoj se na duhet e vërteta… heshtja nuk është zgjidhje”, tha ai.
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ra dakort se ekziston “nevoja për veprim në bashkëpunimin ndërkombëtar” përfshirë edhe brenda NATO-s, duke shtuar se çështja të tilla “diskutohen haptazi”.
Në po këtë forum, Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen këmbënguli se trajtimi i sfidave të sotshme kërkon “institucione të forta dhe një bashkëpunim ndërkombëtar më efektiv”.
“Megjithatë, ndodh shpesh e kundërta; fuqitë ekzistuese po ndjekin të vetmuar shtegtime të reja; fuqi të reja po shfaqen, të tjera po rishfaqen dhe po konsolidohen”, tha zonja Von der Leyen.
Ajo shtoi se Bashkimi Evropian duhet të ushtrojë më shumë peshë politike në skenën ndërkombëtare. Zonja Von der Leyen tha se nën mbikqyrjen e saj shpreson ta bëjë komisionin “vërtet gjeopolitik”.
“Dëshiroj një Bashkim Evropian të orientuar më shumë jashtë tij, një Evropë që të mbrojë kolektivisht vlerat dhe interesat tona të përbashkëta në botë”, tha ajo.
Zonja Von der Leyen tha se multilateralizmi krijoi një Evropë të pasluftës e cila më në fund ishte “në paqe, e bashkuar dhe që zgjidhte dallimet tona përreth tryezave dhe jo në llogore”.
“Nuk duhet të harrojmë kurrë sa larg kemi mbërritur dhe pse”, tha ajo duke iu bashkuar paralajmërimit të zotit Macron ndaj hegjemonisë dhe nacionalizmit, për të cilin Presidenti francez tha se është testuar më parë dhe “na dha luftën”.
Nënpresidenti kinez Wang Qishan iu bashkua thirrje për unitet më të madh global. “Përhapja e unilateralizmit, proteksionizmit dhe populizmit, si dhe tendenca për të zëvendësuar mendimin dhe veprimin racional me shpërthimin e emocioneve, nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve”, tha zoti Wang.
“Kemi shpresë se vendet mund të punojnë së bashku për të reduktuar defiçitin e paqes, duke zgjeruar interesat e ndërthurura, duke përforcuar masat mbrojtëse të paqes, duke ruajtuar multilateralizmin… dhe duke forcuar lidhjen e paqes nëpërmjet inkurajimit të dialogut mes civilizimeve”, tha ai.