Plehrat, mafia e Campanias përveç Kosta Rikës, ka paracaktuar Shqipërinë

Termi Eco-Mafia vjen nga gjuha italiane dhe është një neologjizëm i krijuar nga shoqata mjedisore italiane “Legambiente”, për të treguar aktivitetet e paligjshme të organizatave kriminale, në përgjithësi ato mafioze, të cilat përveç aktiviteteve të tjera, kanë edhe atë të mbetjeve dhe plehrave, duke dëmtuar rëndë mjedisin dhe shëndetin e popullatës. Në mënyrë të veçantë si Eco-Mafie janë cilësuar ato organizata kriminale, të cilat posedojnë kompani të ligjshme, nëpërmjet të cilave realizojnë trafikun e mbeturinave dhe hedhjen, groposjen e paligjshme të substancave të rrezikshme për mjedisin dhe jetën, në bashkëpunim edhe më struktura shtetërore dhe me politikën. Italia e Jugut është zona ku përfundojnë shumica e këtyre mbetjeve. Aty grumbullohen dhe pastaj ose “sistemohen” prapë aty, ose shpërndahen në vende të tjera, përgjithësisht ato të Afrikës. Ky qarkullim bëhet nëpërmjet të ashtuquajturës rruga e “Adriatikut” dhe “rruga Etrusk”, nga veriu në Puglia dhe nga Campania-Kalabri e më tej. Një pjesë e këtyre mbeturinave varroset në gurore të paligjshme, tashmë objekt i gërmimeve mjedisore për të zbuluar se deri ku ka arritur kjo veprimtari kriminale. Ndërsa në Italinë Veriore, në shumicën e rasteve është konstatuar hedhja e llumit toksik, si pleh për tokë bujqësore. Por Italia është gjithashtu udhëkryq i trafikimit ndërkombëtar të mbetjeve, që vijnë nga vendet evropiane dhe të destinuara për në vende të Afrikës si Nigeria, Mozambik dhe Somalia. Bizneset, në pamje të parë mund të deklarojë te institucionet përgjegjëse të shtetit sasinë apo llojin e mbetjeve që duhen asgjësuar apo ricikluar. Në fakt, Eko-Mafia që përgjithësisht është investitorja e këtyre ndërmarrjeve, udhëzon kompanitë e operimit që të punojnë nën kosto (prandaj nuk falimentojnë kurrë), duke qenë të vetëdijshëm për faktin se ata, më pas do të përdorin metoda të paligjshme. Roli i luajtur nga mafia “tradicionale”  është shumë i rëndësishëm në aktivitetet ekomafioze. Nëse në trafiqet e tjera siç është ai i drogës apo prostitucionit, ata veprojnë në ilegalitet, në këtë rast janë më komod, sepse funksionojnë nëpërmjet kompanive private, administratorëve lokal, organeve rregullatore të korruptuara, madje edhe duke blerë heshtjen e Shoqërisë Civile, thuhet në raport.  Hedhja e paligjshme e mbetjeve toksike apo bërthamore nga kompanitë që kanë marrë kontrata për pastrimin dhe ato që kanë liçensa për përpunimin është konsideruar nga “Legambiente”, si fusha më fitimprurëse me xhiro dhjetëra miliardë euro në vit nga Eko-Mafia. Në Itali, hedhja e paligjshme e mbetjeve toksike ka qenë në veçanti aktivitet i mafies së Campanias, e cila kishte edhe një plan të detajuar, ku ka përcaktuar edhe zonat gjeografike të veprimit të etiketuara me emra të veçantë, si trekëndëshi i vdekjes “Acerra-Nola-Marigliano” dhe  “Toka e Zjarrit”.  Duhet të theksojmë se, pas hetimeve të gjata në kapitullin ku flitet për “Toka e Zjarrit”, mafia e Campanias përveç Kosta Rikës, ka paracaktuar edhe Shqipërinë si vend ideal ku mund të kryejë këtë veprimtari.

Por ku konsiston kjo veprimtari kriminale?

Në rastin më të keq bëhet fjalë për braktisje të mbeturinave nëpër territore djerë apo të blera nën mbulesën e investimeve, apo te ujërat  (shpella, gurore, pyje, lumenj, shtretër detit, …), djegia ilegale e mbeturinave, e cila shkakton emetimet e substancave toksike, duke përfshirë dioksinat;
Fshehja e mbeturinave në themelet e ndërtesave në ndërtim e sipër, përforcimet e rrugëve, gërmimeve të ndryshme, …;
Kurse në rastin më të kamufluar bëhet nëpërmjet përzierjes së mbeturinave të rrezikshme me material që me ligj konsiderohen të padëmshme për t’u ricikluar ose për ripërdorimin siç janë ato të ngurta dhe të gjelbërta.
Hedhja e mbeturinave të rrezikshme nëpërmjet mashtrimit, duke i klasifikuar ato si jo të rrezikshme, ul kostot dhe qindrafishon fitimet e Eko-Mafies.
Synimi është eksporti i mbetjeve të rrezikshme në vendet në zhvillim (si është edhe vendi ynë), me qëllim deponimin e tyre ose “riciklimin”, thotë raporti.
Ndërkohë që në një vend si Shqipëria ku nuk ka kontroll dhe siguri as për ushqimet e skaduara, apo ato të fast food-ve qeveria nxjerr një ligj të dyshimtë, Italia me një shtet ligjor ku e ku më të konsoliduar, vazhdon betejën me Eko-Mafien.
Më datë 19 maj të vitit 2015 është miratuar, me vetëm votat kundërshtuese të Forza Italia dhe abstenim të Ligës së Veriut, projektligji që fut në Kodin Penal pesë krime të reja kundër mjedisit, i cili hyri në fuqi 10 ditë më pas.
Sipas ligjvënësve që e iniciuan këtë ligj, Eko-Mafia është aq shumë e pranishme në administratën shtetërore që merret me industrinë e mbetjeve, saqë duhet shtrirë beteja te sistemi i Drejtësisë. Në këtë mënyrë pas këtij ligji,  gjyqësori është i pajisur me mjete më efikase për të luftuar problemin e eko-mafias, duke filluar me futjen në Kodin Penal të krimeve kundër mjedisit, edhe vepra të tilla si kamuflimi i mbetjeve për riciklim, apo pengesa e kontrollit të tyre, të cilat deri një vit më parë ishin thjesht kundërvajtje. Në këtë ligj për autorët e këtij krimi të organizuar parashikohet nga dënimi i rëndë me burg, deri te konfiskimi i pasurisë.

I ka Shqipëria këto zoti Rama?

Pavarësisht këtyre masave të forta represive në një shtet si Italia, Eko-Mafia vazhdon të jetë e fuqishme dhe vetëm gjatë vitit të kaluar arriti të realizojë një xhiro më të madhe se 29 miliardë euro. Të gjitha këto të dhëna dhe skema se si funksionon Eko-Mafia, edhe nën “ombrellën” e ligjit, janë zyrtare dhe të vërtetuara për një shtet si Italia.
Prandaj një pyetje kemi për kryeministrin Rama; Kush është sharlatan në gjithë këtë histori, të gjithë ata që ngrejnë shqetësimin, se edhe ne mund të jemi (në mos jemi edhe tani) viktima të Eko-Mafias, apo ai me shpurën e tij që nuk na siguron dot as se çfarë mishi hamë bashkë me qoftet e sallamrat, nën “shtetin e tij ligjor”?

Artikulli paraprakShoqëria Civile nis protestat kundër plehrave më 1 tetor
Artikulli tjetërFaturimet abuzive të OSHEE rrënojnë qytetarët