Zyrat e administrimit të Tokës në ambientet e Pallatit të Kulturës në Vlorë janë grabitur rreth mesnatës së djeshme.
Burimet bëjnë me dije se, një person i paidentifikuar i pajisur me maskë dhe i armatosur është futur mbrëmjen e të hënës në këto zyra dhe ka marrë dy dosje. Mësohet se të dyja dosjet i përkasin fshatit turistik Dhërmi në Vlorë.
Bardhi Gjika, drejtori i kësaj zyre tregon se, hajduti është futur nga dera dritarja e zyrës së zëdhënësit dhe ka dalë nga dera kryesore pasi ka thyer dyert e dy zyrave, asaj të pronës dhe të Mbrojtjes së tokës.
Gjika thekson se sinjali për këtë vjedhje është dhënë nga roja e godinës. Tashmë ka nisur procesi i inventarit për të parë se çfarë ka marrë hajduti që është futur në godinë ndërsa do të këqyren dhe kamerat e sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e tij.
‘Rreth orës 00:15 jam njoftuar që kanë hapur zyrat. Një person ka ardhur me mjete të forta dhe ka hapur zyrën e pronave. Erdha këtu, gjeta policinë dhe rojen.
Po bëjmë një inventar për të saktësuar çfarë mungon. Është zyra e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës dhe zyra tjetër. Nuk dimë për vjedhje dosjesh derisa të mbarojmë inventarin. Këto janë zyra që kanë rëndësi tjetër në krahasim me zyrat e tjera të qarkut.
Nëse ka humbur një dokument origjinal, ka një rrezik se nuk mund të krahasohet me dokumentin fotokopje. Roja e ka konstatuar, e ka njoftuar. Sipas të dhënave, ka hyrë nga dritarja tek zyra e zëdhënësit dhe ka dalë nga dera kryesore. Edhe dera kryesore ka kamera’, tha Bardhi Gjika, shef i zyrës së Administrimit të Tokave pranë qarkut Vlorë.