Prokuroria e Vlorës ka vendosur nën sekuestro 220 hektarë tokë në zonën e Karaburunit, vlera e të cilës përllogaritet sipas çmimeve zyrtare në rreth 100 (njëqind) milionë euro, e dyshuar si e përfituar në bazë të dokumenteve të falsifikuar. Prokuroria e Vlorës ka nisur kryesisht hetimin dhe më tej i janë bashkuar edhe kallëzimet e dy shtetasve, të cilët pretendojnë pronësinë në një pjesë të kësaj hapësire. Pas veprimeve procedurale, Prokuroria mori lejen e Gjykatës për të vendosur nën sekuestro preventive të gjithë sipërfaqen e tokës, e cila është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, bazuar në një seri dokumentesh të falsifikuar.
Në bazë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit të Njësisë Task-Forcë së Prokurorisë së Vlorës, ka rezultuar se, prona me sipërfaqe 220 hektarë në Shën Vasil, Karaburun, fillimisht është regjistruar në emrin e shtetasi Rajmond Mezi.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dokumentacioni që ka shërbyer për njohjen, kthimin dhe më pas regjistrimin e kësaj prone, është i falsifikuar. Konkretisht, rezulton se është falsifikuar dokumenti datë 13.05.1943, në bazë të të cilës figuron si pronar shtetasi Jakup Mezi. Ky dokument i falsifikuar është paraqitur më pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, gjatë shqyrtimit gjyqësor për njohjen e pronësisë trashëgimtarit Rajmond Mezi.
Po kështu, nga hetimet rezulton e provuar se vendimi nr. 100, datë 19.04.1994 ish-KKKP-së Bashkia e Qytetit Vlorë, i paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, është i falsifikuar. Gjithashtu nga hetimet rezulton se edhe vendimi gjyqësor civil nr. 1360, datë 29.12.2000 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, përmes të cilit është kthyer fizikisht sipërfaqja e pronës prej 220 ha, është i falsifikuar.
Kjo është e provuar pasi, nga të dhënat e deritanishme, është provuar se e gjithë dosja që i përket këtij vendimi gjyqësor është falsifikuar dhe më pas është regjistruar në indeksin e vendimeve gjyqësore dhe bërë pjesë e arkivit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, në kundërshtim të plotë me ligjin.
Nga hetimet e kryera, është provuar se pasuria e mësipërme, është regjistruar në regjistrin hipotekor datë 12.10.2012, me përshkrimin “Një sipërfaqe kullotë prej 220 ha, në vendin Karaburun sipas kufijve”, në emër të shtetasit Rajmond Mezi.
Pas regjistrimit të kësaj pasurie, ajo është ndarë në dy pasuri të tjera, me sipërfaqe prej 130 ha dhe 90 ha. Më tej, mbi këto pasuri janë kryer transaksione të ndryshme, duke u tjetërsuar tek persona të tjerë dhe veprimet e tjetërsimit të kësaj pasurie janë pasqyruar më pas edhe në regjistrat e ZVRPP Vlorë, veprime, të cilat janë kryer me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë së mësipërme.
Lidhur me sa më sipër, deri në këtë fazë të hetimit, ndodhen nën hetim disa persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale të “Falsifikimi i dokumentave” e kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.