Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtuesin dhe dy zyrtarë të Hipotekës, një notere dhe tre shtetas të tjerë, të gjithë të dyshuar se në bashkëpunim kanë falsifikuar dokumente pronësore të rreth 15 mijë metra katrorë tokë, në zonën e Velipojës.
“Prokuroria e Shkodrës, në vijim të hetimeve, në bazë të të cilave rreth 2 javë më parë u sekuestrua sipërfaqja 15 mijë metra katrorë tokë, ka krijuar dyshime të arsyeshme se disa persona, në bashkëpunim ndërmjet tyre, kanë krijuar mundësinë për të falsifikuar dokumentet dhe për ta regjistruar atë pronë të fituar në mënyrë të kundërligjshme”.
Deri në këtë fazë të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se personat e mëposhtëm janë përgjegjës për kryerjen e veprimeve të paligjshme dhe për këtë arsye, ka marrë lejen nga gjykata për arrestimin e:
Të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” janë shtetasit, Ilir Nikleka, ish-kryeregjistrues i Hipotekës Shkodër (shpallur në kërkim), Besar Kali, jurist pranë ZVRPP Shkodër, Spartak Haxhiaj, hartograf pranë ZVRPP Shkodër, i proceduar edhe më parë për të njëjtën vepër penale dhe Valbona Hajdari, notere, Shkodër.
Të dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, Rrok Lushi, përfitues i sipërfaqes 15.000 m2, të sekuestruar tashmë, Adem Mlloja, i dyshuar si falsifikator i dokumentit pronësor dhe Ylber Mlloja, i dyshuar si falsifikator i dokumentit pronësor.
Vendimet e gjykatës janë ekzekutuar gjatë ditës së mërkurë nga ana e forcave të Policisë vendore të Shkodrës. Vetëm i dyshuari Ilir Nikleka nuk është arrestuar dhe tashmë është shpallur në kërkim.
Prokuroria e Shkodrës sekuestroi para dhjetë ditësh 15 mijë metra katrorë truall që kap vlerën e 120 mijë eurove, pasi ka dyshime se tjetërsimi i kësaj pasurie është kryer sipas një procedure false. Sipërfaqja e tokës, që ndodhet në fshatin Bërdicë, sipas dyshimeve të Prokurorisë është kryer në favor të një shtetasi shqiptar, i cili jeton në Kanada.
Hetimet e deritanishme tregojnë se Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shkodër ka regjistruar një pronë në Bërdicë të Sipërme.
Sipërfaqja e truallit, thotë Prokuroria, është 15 mijë e 500 metra katrorë e natyrës ullishte. Kjo pasuri, sipas akuzës, është në pronësi të shtetasit Adem Mlloja dhe disa personave të tjerë me të njëjtin mbiemër.
Prokuroria e Shkodrës dyshon se mbi bazën e akteve të sekuestruara është falsifikuar një vendim i këshillit të komunës në vitin 2014. Po ashtu, ka dyshime se është falsifikuar edhe akti i marrjes së tokës bujqësore në pronësi në korrik 2014. Mbi këto dyshime janë nën hetim edhe disa punonjës të ZRRP-së Shkodër.
Vitet e fundit, në Hipotekën e Shkodrës janë regjistruar disa raste të abuzimeve me dokumentet e pronësisë, gjë që është shoqëruar me lëvizje të shpeshta të drejtuesve dhe specialistëve të kësaj Zyre të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Disa prej këtyre zyrtarëve vazhdojnë të jenë në procese gjyqësore për shkak të shpërdorimit të detyrës.