Nga Sokol Pepushaj
Pa Edi Ramën kryeministër, 4 Klanet Mafioze, sot do të ishin fosile, ose siç shprehen fshatarët, do të ishin bërë pleh.
Por këta sipër nesh, nuk janë ata poshtë “traut” të drejtësisë që zë e shtyp këdo shkel vijën e kuqe të rregullave të detyrueshme të shoqërisë.
Mafia ka një tjetër Mafie, sa herë duhen marifete për të mbijetuar, Babloku ka një tjetër Bablok që ja mban ushtrinë në bllok, Dumani ka një tjetër Duman që çdo zemërimi publik i bën derman.
Derdimenët davarisin edhe davave e diplomatëve, prandaj vazhdojmë të jemi pa ambasador amerikan e këta kullosin ‘laverda’ në livadhin pa roje.
Grindjet që lëshoi dikur ambasadori Donald Lu nga “Kutia e Pandorës”, ku edhe Pandeli Majko kishte 5 milion dollarë në Qipron Greke, u shpërndanë si një tufë zogjsh pas plasjes së saçmeve të çiftes së gjuetarit.
Me gjithë këto paradokse që kemi, ambasadori Donald Lu do ngelet gjuetari më simpatik i fshatit tonë.
Të paktën “qëlloi” me “çifte” dhe tërë kafshët e korrupsionit dolën nga “shkurret”.
Kishte lezet me gjithë ato lëvizje.
Vetë Lu-në që e lidhi “gjalmin” e lajmit krah-qafë, e kujtojmë edhe si dispeçerin e fshatit që regjistronte makinat e shtrenjta, orët e vilat luksoze, jetesën shkëlqimtare, pasuritë e paratë e lukunisë së harbuar nën qeverisje e antiamerikanit më të famshëm në Botë, por që, aksidentalisht e kishim, e kemi dhe, mos ndodhtë më, do ta kemi për gjatë kryeministër.
Po pse t’ia fshehim “fytyrën” vetes?!
Secilin nga 4 Klanet Mafioze, kryeministër e kemi pasur.
Pra, nëse kësaj katërsheje nuk ja shtyp kokën Amerika, ngado ta sjellim busullën politike, një kapo Klani do kemi në Olimp.
Këtej, Drakula kruan dhëmbët me diplomatët, sa herë Amerika pjek peshk.
Nuk ngopet as me garuzhde, sa i ka tmerruar shqiptarët e po marrin arratinë nga sytë këmbët drejt perëndimit.
Ndodh kështu, edhe pse ambasadorit Lu në vend të gicilimeve me gishta, një moment përdori hu me gunga, dhe sulmoi kështjellën.
Që nga mesjeta e ngjarjes, këtej janë kalbur hunjtë e opozitarizmit, por ata të pushtetit kanë ende ca kallaj edhe pse Donald Lu, ua nguli grepçat dhe shërbimet amerikane u futën si teja për ti brejtur deri ne zemër të pasurive dhe krimeve.
Donald Lu-së dikush ja krasiti krahët.
Nuk fluturoi dot më larg se tek fjala që nuk dëgjohet.
Ilaçin magjik për diplomatët dhe demonët e drejtësisë, u vlerësua se nuk e kishin asnjeri përveç Edi Ramës.
Aty u nda Berisha ne dysh, gjysmë politikan e gjysmë antiamerikan, gjysmë i hetuar e gjysmë i privilegjuar.
Edhe Fatos Nano shihet si gjysmë i mëshiruar prej shëndetit gjysmak.
Po kështu, edhe Ilir Meta është dy pjesësh. I lëmuar nga jashtë dhe i krimbur nga brenda, gjysmë opozitar e gjysmë pushtetar, sipas fuqisë së erërave qe vijnë nga perëndimi.
I plotë, i kompletuar për të mbajtur Edin në Kështjellën e Drakulës, është sot e gjithë ditën organizmi i mafies.
Po njerëzia ç’bën?!
Ca ikën, ca do të ikin, pjesa tjetër, në çdo cep të pritshmërive shfaqin një heshtje të çuditshme, çdo ndodhë me zgjedhjet e pranverës, do kemi prapë këta, apo Amerika do i shtypë kokën mafies?
Disa betohen se kanë dëgjuar që vetë kryeministri ka një plan sekret për t’i zgjidhur të gjitha problemet e vendit.
Ky plan përfshin një “marrëveshje” të veçantë mes klaneve, që sipas fjalëve të tij, nuk janë më një problem, por një pjesë e pazgjidhshme e ekonomisë dhe politikave sociale përmes investimeve amerikane.
Në fakt, ky kryeministër ka realizuar diçka që askush nuk e kishte menduar.
Jo vetëm që ka instaluar instrumentet e veta në pozitat më të larta të gjyqësorit, ka krijuar një rrjet heshtjeje që përfshin çdo zyrtar, çdo media dhe çdo zë kritik, por ka blerë edhe drejtësinë, edhe diplomacinë.
Ambasada Amerikane, që dikur kishte bërë presion të madh për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, nuk ka asnjë koment për asnjë skandal qeveritar
Shumë dyshojnë për një kapërcim kohe, ku gjithçka është vetëm një lojë për të ruajtur fasadën e demokracisë.
Të tjerë mendojnë se Amerika është e ngarkuar me çështje më të mëdha, si lufta për ndikim global të një Trumpizmi që nuk po arrijnë ta ndalojnë as paratë e Sorosit as paçavuret e Sulltanit të Surrelit, dhe thjeshtë, nuk ka kohë për një vend të vogël ku gjithçka, është nën kontrollin e një njeriu të vetëm.
Në fund, gjithçka mbështillet me mistere.
Populli, duhet të shpresojë për drejtësi dhe ndershmëri, apo t’i përshtatet realitetit të zi?
Klanet mafioze janë bërë mit, rrëfenjë, legjendë urbane.
Në çdo minutë të ditë-natës, ka debate në tavolinat e kafeneve, por asnjëherë në Parlament apo në sallat e gjykatave.
Dhe kështu, vendi që dikur ka ëndërruar për një të ardhme të ndritur, është veshur me errësirë, ku e vetmja dritë ngelet ajo e kontrolluar nga kryeministri dhe miqtë e tij të fuqishëm.
Heshtja është bërë rregull i artë dhe të gjithë e kanë kuptuar se drejtësia ka çmim, një çmim të përballueshëm vetëm nga ata që kanë fuqinë për ta blerë.
4 Klanet Mafioze janë në trajtën e një postulati të diktaturës komuniste, “një për të gjithë e të gjithë për një”, prandaj zgjedhim sot përkufizimin se Mafia është organizatë organike, dhe nuk “ngordh” pa ja shtypur kokën Amerika.