“Magjia” e Mesit

Argjentina ka arritur të fitojë në orët e para të ditës së djeshme me rezultatin e pastër 3-0 në shtëpi ndaj Kolumbisë. “Magjia” e Lionel Mesit në minutën e 10 nga goditja e dënimit hapi rrugën e një fitoreje jetike për ekipin e drejtuar nga Edgardo Bauza. 29-vjeçari dhuroi spektakël në fitoren 3-0 të përfaqësueses “bardhekaltër” ndaj Kolumbisë në stadiumin e qytetit “San Jose”. Kjo ishte përgjigjja e duhur nga skuadra e Edgardo Bauzas, pas humbjes 3-0 me Brazilin pak ditë më parë.
Ylli i Barcelonës e zhbllokoi takimin me ekzekutimin perfekt të një goditjeje të lirë në minutën e 10-të, më pas dha asistet për Praton, që realizoi me kokë në të 23-ën dhe për Di Marian 4 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Një paraqitje e dobët kjo e Kolumbisë, me James Rodriguez e Radamel Falaco që mbetën në hije, ndërsa disa shkëndija të Cuadrados ishin shumë pak për të shmangur humbjen.
Kjo fitore e ngjit Argjentinën në vendin e pestë me 19 pikë, duke zhvendosur Kolumbinë më poshtë me një pikë më pak. Nuk ndalet Brazili, që me suksesin 0-2 në fushën e Perusë shkëputet edhe më shumë i vetëm në krye të renditjes. Gabriel Jesus në të 58-ën dhe Renato Augusto në të 79-ën shënuan të dy golat e sfidës, që i mjaftuan “Selecaos” për triumfin e 8-të në 12 ndeshje. Brazili nuk njeh limite duke marrë një fitore 2-0 këtë herë përballë Perusë. Brazilianët e udhëhequr nga Neymar arritën të merrnin fitoren e 8 në 12 ndeshje, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit për në Botërorin “Rusia 2018”.
Fitore me përmbysje e Kilit ndaj Uruguait. Edinson Cavani kaloi në epërsi miqtë në të 17-ën pas asistit të Luiz Suarez, por Vargas në kohën shtesë të pjesës së parë e çoi skuadrën në ekulibër të plotë në dhomat e zhveshjes. Në pjesën e dytë “La Roja” gjeti dy herë të tjera rrjetën me Alexis Sanchez, ndërsa në fund të takimit Suarez humbi një 11-metërsh. Kili gjithashtu rikuperon në renditje ku klasifikohet i katërti me 20 pikë, ndërsa Uruguai mbetet në vendin e dytë me 3 pikë më shumë. Në takimet e tjera, Bolivia mposhti 1-0 Paraguajin, ndërsa Ekuadori triumfoi 3-0 ndaj Venezuelës.

Exit mobile version