Bledi KASMI
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu rrëfeu dje një të vërtetë të dhimbshme. Ai tha se prej shtatë muajsh i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, ministrit të Drejtësisë dhe Kryeprokurorit që të arrestojnë Eskobarin e Ballkanit, Klement Balili dhe ai nuk është arrestuar ende.
Pasi ka pritur për shtatë muaj që Balili të arrestohej ambasadori Lu ka folur publikisht dhe ka pranuar se mos arrestimi i tij është një dështim i madh i policisë dhe gjithë sistemit të drejtësisë.
Ku po shkojmë?
Shqiptarët gjithmonë kanë qenë me sytë tek Amerika. Mesazhet nga ai vend kanë qenë konsideruar si të shenjta. Diktatura ra duke dëgjuar “Zërin e Amerikës”. Këtu nuk kishte ambasadë amerikane në atë kohë. Kishte vetëm disa valë të dobëta pa imazhe që dëgjoheshin në radiot shkataraqe “Iliria”. Imazhet më pas krijonin në imagjinatën e secilit prej nesh superfuqinë dhe përballë asaj superfuqie regjimi më barbar në Europën Lindore na dukej si një tigër letre.
Mjaftonin ato valë pa figurë për të na frymëzuar që të kërkonim lirinë, që të dilnim në rrugë dhe të përlesheshim me policinë, ushtrinë e Sigurimin e Shtetit, pa marrë parasysh rreziqet. Po tani një çerek shekulli pas atyre ngjarjeve të Dhjetorit ’90 çfarë po ndodh?
Ambasadori amerikan, që atëherë na mungonte, del sot më zë dhe figurë dhe deklaron se ka shtatë muaj që i flet qeverisë dhe i kërkon arrestimin e një kryetrafikanti ndërkombëtar droge dhe askush nuk e dëgjon. Si është e mundur kjo?
Si ka mundësi që 26 vjet më parë përmes valëve të radios “Zëri i Amerikës” në Shqipëri ndryshohej regjimi barbar, ndërsa sot megjithëse me një qëndrim të prerë politik të ambasadorit amerikan, një palo qeveri me palo ministra nuk pranojnë të arrestojnë një trafikant droge?
Si duhet ta kuptojmë një ndryshim të tillë?
Është e thjeshtë. 26 vjet më parë valët e radios “Zëri i Amerikës” nuk i drejtoheshin qeverisë, por i drejtoheshin qytetarëve. Edhe atëherë, në rast se “Zëri i Amerikës” do t’i drejtohej Ramiz Alisë, as busti i diktatorit nuk do të ishte rrëzuar dhe as burgjet politikë nuk do të ishin hapur. “Zëri i Amerikës” i foli atëherë njerëzve që dëgjuan dhe vepruan.
Ky është një leksion historie që duhet të përsëritet nga etërit tek bijtë. Leksioni i një Amerike të madhe.
Ne nuk duam sot të shikojmë që ambasadori amerikan në vendin më pro amerikan në Europë të presë shtatë muaj dhe prap ministrat e një organizate kriminale të mos e arrestojnë një trafikant ndërkombëtar droge. Ne duam të besojmë se Amerika duhet të gjejë rrugën e shkelur edhe më parë për të vendosur kredibilitetin dhe për këtë mjafton t’i drejtohet qytetarëve.
Kjo nuk është vetëm nostalgji.
Prandaj duhet “Make America Great Again” në Shqipëri, zoti ambasador, që krimbat të kuptojnë.