Pas atij në Kolonjë, një tjetër aksident i rëndë është regjistruar mesditën e sotme në aksin rrugor Fier¬-Lushnjë, duke i marrë jetën drejtuesit të mjetit. Bëhet fjalë për shtetasin Q.Sh, rreth 55 vjeç, i cili ka humbur kontrollin e mjetit tip “Volkswagen” me targa AA 831 CM, duke fluturuar në një kanal. Sipas burimeve, aksidenti ka qenë shumë i rëndë, pasi makina gati është copëtuar nga rënia në kanal. Sipas Policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 13:36, në aksin rrugor Fier¬-Lushnjë, në vendin e quajtur “Rotondua e Kolonjës”, e për pasojë drejtuesi i mjetit ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje ndodhet ende grupi hetimor dhe po kryen veprimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.
Ndërkohë, një tjetër aksident ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës. Një kamion është aksidentuar paraditen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, duke bllokuar kështu për disa orë qarkullimin e mjeteve në njërën korsi. Ngjarja ka ndodhur në Maminas rreth mesditës, ndërsa fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar. Kamioni është përmbysur, duke zënë të gjithë korsinë. Qytetarët u shprehen se qëndruan të bllokuar për disa orë në autostradë. Nga hetimet paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë lagështia në rrugë.