Makina e fundosur në Shkopet mund të jetë e grabitësve të Rinasit

Polumbarët kanë arritur të nxjerrin dje nga Liqeni i Shkopetit, një makinë që u fundos mëngjesin e së martës. Policia deklaroi se ka dyshime se kjo është makina që u përdor në grabitjen e parave në pistën e Aeroportit të Rinasit. Mëngjesin e së martës ka qenë një peshkatar i zonës, që ka njoftuar se ka parë gjurmë të freskëta të gomave të makinës në afërsi të Liqenit të Shkopetit dhe dyshonte se në liqen mund të kishte rënë ndonjë automjet.
Pas mbërritjes së efektivëve të policisë është konstatuar se në afërsi bregut të liqenit dhe poshtë rrugës nacionale kishte gjurmë të freskëta të gomave të automjetit, si dhe pjesë të parafangos, parakolpit e xhamave të thyer. Po aty, Policia ka gjetur njërën prej targave të automjetit, konkretisht targën AA 969 ND që i përkiste“Benz”-it në pronësi të M.P nga Karbunara e Lushnjës, targa të denoncuara si të vjedhura në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në janar të 2016.
Pas kontrolleve të polumbarëve është konstatuar se në thellësinë 18 metra dhe në thellësinë 25 metra ishin dy automjete. Me ndihmën e një mjeti të rëndë vinç, polumbarët dhe forcat e policisë të Komisariatit të Policisë Mat, kanë bërë të mundur nxjerrjen në anë të liqenit të njërit prej automjeteve të konstatuara, konkretisht automjetin autoveturë tip “Benz” me targa FFV 562 suedeze.
Nga këqyrja paraprake, shenjat e konstatuara si, “llumi mbi sipërfaqjet e lëmuara të mjetit” rezultoi se ai kishte kohë që ndodhej brenda në liqen. Kërkimet për makinën e dytë nisën dje në mëngjes.

Artikulli paraprakGrabitja në Rinas, Prokuroria zgjeron rrethin e hetimeve
Artikulli tjetërAksidentet, me numrin më të lartë të viktimave në rajon