Makina që ra në Liqenin e Shkopetit mund të jetë përdorur në krime

Mjeti, i cili u gjet dje i hedhur në Liqenin e Shkopetit mund të jetë përdorur për ndonjë krim. Burimet bëjnë të ditur se makina mund të jetë hedhur qëllimisht në liqen. Kjo pistë u përforcua, pasi polumbarët konstatuan se nuk është gjetur asnjë person në makinën e hedhur në Liqenin e Shkopetit. Më herët, Policia e Dibrës sqaroi se mjeti i dyshuar ka rënë në liqen me targa AA 969 ND, është në pronësi të shtetasit M.P nga Karbunara Lushnjë, dhe targat janë denoncuar të vjedhura në janar 2016.
Fillimisht ka qenë një peshkatar i zonës, i cili ka njoftuar se ka parë gjurmë të freskëta të gomave të makinës në afërsi të Liqenit të Shkopetit dhe dyshon se në liqen mund të ketë rënë ndonjë automjet. Pas mbërritjes së efektivëve të policisë është konstatuar se në afërsi të bregut të liqenit dhe poshtë rrugës nacionale kishte gjurmë të freskëta të gomave të automjetit si dhe pjesë të parafangos, parakolpit e xhama të thyer.
Po nga kontrolli i vendit ku dyshohej se mund të kishte rënë automjeti në liqen, Policia ka gjetur njërën prej targave të automjetit, konkretisht targën AA 969 ND. Kjo targë i përket automjetit tip “Benz” në pronësi të shtetasit M.P nga Karbunara e Lushnjës. Targat janë denoncuar të vjedhura në Komisariatin e Policisë Lushnjë në janar të 2016.
Pas kontrolleve të polumbarëve është konstatuar se në thellësinë 18 metra dhe në thellësinë 25 metra ishin dy automjete. Me ndihmën e një mjeti të rëndë vinç, polumbarët dhe forcat e policisë të Komisariatit të Policisë Mat, kanë bërë të mundur nxjerrjen në anë të liqenit të njërit prej automjeteve të konstatuara, konkretisht automjetin autoveturë tip “Benz” me targa FFV 562, (suedeze).
Nga këqyrja paraprake, shenjat e konstatuara si, “llumi mbi sipërfaqjet e lëmura të mjetit” rezulton se ky mjet ka kohë që ndodhej brenda në liqen. Gjithashtu po nga këqyrja paraprake rezultoi se në automjet nuk kishte asnjë viktimë. Ndërkohë, ditën e sotme do të nisin kërkimet për makinën tjetër.

Exit mobile version