“Makthi” i gjyqtarit Kuipers

Juventusi udhëton drejt Barcelonës me bindje të plotë në aftësitë e veta. Rezultati i takimit të parë u jep një avantazh të trefishtë bardhezinjve, të cilët janë të vetëdijshëm se, për të bërë përpara, do t’u duhet që Higuain të thyejë një “tabu” dhe të largojnë “tersin” me emër Bjorn Kuipers.
“Sky Italia” evidentoi dje se “Zonja e Vjetër” nuk mund të ketë fundin e PSG-së, pasi ka një “gjahtar” goli siç është Gonzalo Higuain. 90 milionët që i pagoi Juventusi në verë Napolit për shërbimet e argjentinasit duket se kanë qenë një investim i mirë nga ana e shoqërisë torineze.
29-vjeçari këtë sezon ka shënuar plot 29 gola. 23 prej tyre i ka realizuar në Serinë A, 3 në Kupën e Italisë dhe tre të tjerë në Ligën e Kampioneve. Këtë sezon, argjentinasi shënon një gol në, për 123 minuta lojë, ndërsa paraqitjet e tij i ka pasuruar edhe me tri asiste (të dhëna të gjitha në Serinë A).
Dueli i kthimit i vlefshëm për një vend në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve duket se do të jetë një “asist” i mirë për Higuainin, i cili kurrë nuk ka mundur që ta ndëshkojë Barcelonën në “Camp Nou”. Gjatë eksperiencës së tij në Madrid, Higuain ka luajtur kundër Barçës 9 herë në La Liga, një herë në Ligën e Kampioneve, 4 herë në Superkupën e Spanjës dhe 4 herë të tjera në Kupën e Mbretit.
Në 18 duele në total, ai ka ndëshkuar vetëm tri herë katalanasit (dy në La Liga një në Superkupën e Spanjës). Këto gola, përveç autorësisë, kanë të përbashkët edhe arenën. Higuain i ka shënuar të tre në “Santiago Bernabeu”.
Ndeshja mes Barcelonës dhe Juventusit i është besuar arbitrit holandez, Bjorn Kuipers. Kjo nuk do të jetë hera e parë për “tulipanin” që arbitron “Zonjën e Vjetër”. Kuipers ka gjykuar Juventus-Lion të këtij sezoni (përfundoi 1-1) dhe Gladbah-Juventus (e sezonit të kaluar përfundoi 1-1).
Mediat italiane tregojnë se, Maks Alegri nuk ruan kujtime të mira nga arbitri holandez. Ky i fundit ka arbitruar një ndeshje mes Barcelonës dhe Milanit në sezonin 2011/2012, kur akordoi në favor të katalanasve dy penallti (ndeshja u mbyll 3-1 për iberikët).

Artikulli paraprak280 milionë euro në total për merkaton
Artikulli tjetërChampions, “thesar” për Juventusin