Kryetari i PD, Basha ka deklaruar sot se makthi i Ramës nuk është më vetëm dosja 339, por tani edhe një dosje e re me numrin 184. Basha nuk ka dhëë detaje se çfarë përmban kjo dosje , por i ka kërkuar gazetarëve që ti drejtohen Prokurorisë. “Makthi i tij nuk është vetëm Dosja 339, por edhe dosja 184”, tha Basha. Duket se kemi të bëjmë me të tjera përgjime të partnerëve në lidhje me një tjetër skandal ku është i përfshirë vetë kreu i qeverisë.
“Edi Rama, dosja 339 është makthi yt. E di fare mirë se çfarë përmban ajo dosje. Uroj ta dish çfarë përmban dosja 184. Të gjithë politikanët e përzier me kokat e krimit do shkojnë para drejtësisë. Beteja do vazhdojë.
Janë ditë dhe orë intensivë për opozitën. Dita ka nisur me takimin partnerët tanë ndërkombëtarë. 16 shkurti është një rrugëtim shpresë dhe do mundë frikën dhe propagandën e Ramës. Sot makineria e Ramësh është shkërmoqur. Policia kërkon ti mohojnë qerrtarëve të drejtën për të protestuar. Dosja 184 dhe 339 do të zbardhen. Beteja do vazhdojë çdo ditë. Mesazhi është i qartë se kështu nuk do vazhdohet më dhe ne do qëndrojmë në krah të qytetarëve”, tha Basha.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Basha u shpreh se, zëvendësimi i deputetëve që dogjën mandatet, me emra nga listat, nuk janë tjetër përveçse klonime të dështuara që kryeministri Edi Rama do t’i shesë si opozitë fasadë. Por, as ata dhe as vendimet e Kuvendit ilegjitim nuk do të njihen nga opozita,
“Klonimet e dështuara! Edi Rama do të përpiqet t’i shesë nesër si fasadë opozitë. Shqiptarët janë të vendosur të marrin atqë që ua kanë vjedhur.
Çdo hap i Kuvendit ilegjitim nuk njihet nga ne. Çdo vendim i këtij Kuvendi që përfaqëson interesat e një grushti hajdutësh nuk njihet nga ne. Këto janë vendime që nuk kanë asnjë efekt në rrugën që kemi nisur”, tha Basha.
“Partnerët ndërkombëtarë po ndihmojnë PD për zbatimin e sistemit perëndimor të primareve dhe zgjedhjeve të kandidatëve për deputetë me sistemin “një anëtar – një votë”.
Përzgjedhja e kandidatëve me përfshirjen e anëtarësisë së PD është një hap shumë i rëndësishëm, si pjesë kyçe e rrugëtimit të shpresës, që kemi nisur bashkë me shqiptarët, më 16 shkurt.
16 shkurti është një rrugëtim shprese, që do të mundë sistemin e frikës, me të cilin ka sunduar vendin Edi Rama, duke përdorur si vegla dhunën, kërcënimet, propagandën, përçarjen dhe mashtrimet
Makineria e Edi Ramës është shkërmoqur. Po mbron parlamentin ilegjitim me një regjim ushtarak, ku duan t’u mohojnë qytetarëve të drejtën kushtetuese për të protestuar, një e drejtë themelore e qytetarëve.
Edi Rama, “dosja 339” është makthi yt! Uroj ta dish se çfarë përmban edhe “Dosja 184”. Politikanët e përfshirë me krimin do të shkojnë para drejtësisë. Shqiptarët do të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Beteja vazhdon si në protesta, edhe në rrugëtimin tonë të shpresës, alternativës dhe të nesërmes që shqiptarët do të kenë. Mesazhi i qartë që vjen dhe nga miqtë tanë: kështu nuk do të vazhdohet më.
Protesta nesër para parlamentit për të shprehur kundërshtimin me parlamentin ilegjitim dhe me klonimet e dështuara që Edi Rama do të përpiqet të shesë nesër si “fasadë opozitë”.
Nuk ka për të pasur fasadë opozitë. Çdo hap dhe vendim i një Kuvendi ilegjitim, nuk njihet nga ne.Orët e këtij sistemi kanë filluar të numërohen mbrapsht më 16 shkurt”, tha Basha
Prononcimi i plotë i Bashës
Këto janë ditë dhe orë intensive për opozitën. Dita ka filluar me takime me partnerët tanë ndërkombëtarë që po ndihmojnë Partinë Demokratike dhe janë të gatshëm ta shtrijnë këtë ndihmë edhe tek partitë e tjera të opozitës, për përgatitjen e Partisë Demokratike që të adoptojë sistemin perëndimor të primareve dhe zgjedhjeve të kandidatëve për deputetë me sistemin “një anëtar – një votë”, që tani është edhe në statutin e Partisë Demokratike.
Për dy ditët e ardhshme, partnerët ndërkombëtarë të Institutit Republikan Amerikan dhe më pas partnerët e Partisë Konservatore Britanike, në bashkëpunim edhe me Fondacionin “KonradAdenauer” të partisë simotër të kristiandemokratëve gjermanë, do të përfshihen në një asistencë të vazhdueshme ndaj Partisë Demokratike, që të nisë zbatimi i rregullit të kushtetutës tonë, kushtetutës së Partisë Demokratike, për përzgjedhjen e kandidatëve të ardhshëm për deputetë, me pjesëmarrjen dhe përfshirjen e të gjithë anëtarësisë së Partisë Demokratike.
Ky në vetvete është një hap shumë i rëndësishëm, sepse është pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të shpresës, që kemi nisur bashkë me shqiptarët, më 16 shkurt.
16 shkurti është mbi të gjitha një rrugëtim shprese, i cili do të mundë sistemin e frikës, me të cilën Edi Rama ka sunduar vendin këto pesë vite e gjysmë. Dhunë, frikë, kërcënime dhe propagandë, përçarje dhe mashtrime, këto kanë qenë veglat e sundimit të Edi Ramës.
Por sot, makineria e Edi Ramës është shkërmoqur dhe këtë e shohim në vendimin absurd për të mbrojtur parlamentin ilegjitim, nesër, me një regjim ushtarak, ku policë dhe ushtarë që detyrohen të sillen si policë, duan t’u mohojnë qytetarëve të drejtën për të protestuar, e drejtë kushtetuese, e drejtë themelore e qytetarëve.
Opozita dhe qytetarët e bashkuar do të vazhdojnë aksionin e përbashkët kundër parlamentit ilegjitim, kundër kësaj qeverie ilegjitime, e cila është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me krimin e organizuar siç reagon “Dosja 339”.
Edi Rama, “Dosja 339” është makthi yt!
Ti e di fare mirë se përtej minutave që janë botuar nga Zëri i Amerikës dhe nga BIRN, çfarë përmban ajo dosje, uroj ta dish se çfarë përmban edhe “Dosja 184”.Të dyja këto dosje do të zbardhen!Drejtësisë do t’i zgjidhen duart!
Të gjithë politikanët e përfshirë me kokat e krimit të organizuar do të shkojnë para drejtësisë dhe shqiptarët do të kenë:
Zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një Kuvend të zgjedhur nga ata dhe jo nga krimi.
Një qeveri që jep llogari para atij Kuvendi, para shqiptarëve dhe jo para kriminelëve dhe oligarkëve.
Kjo është pengesa, për uljen e taksave.
Kjo është pengesa, për çmimin më të lartë të naftës.
Kjo është pengesa, për papunësinë, varfërinë që ka pllakosur.
Kjo është pengesa, për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve, për emigracionin që ka arritur në shifra record, që nga fillimi i viteve ’90.
Ne jemi të vendosur ta heqim këtë pengesë. për të hequr këtë pengesë na duhet një qeveri dhe një parlament që të japë llogari vetëm para njerëzve dhe, për këtë arsye, duhet të jetë produkt i votës së njerëzve.
Ndaj beteja vazhdon e do të vazhdojë ditë për ditë, si në aksionin qytetar, në protesta, ashtu edhe në rrugëtimin tonë të shpresës, alternativës dhe të nesërmes që shqiptarët do të kenë.
Një mesazh është i qartë dhe gjithmonë e po vjen edhe më i fortë, jo vetëm nga qytetarët shqiptarë por edhe nga ata që i duan të mirën Shqipërisë dhe e duan me të vërtetë Shqipërinë europiane, nuk e kanë thjesht fjalë goje, që kështu nuk do të vazhdohet më.
Dhe ne si opozitë do t’i qëndrojmë krah për krah qytetarëve duke nisur me nesër në orën 10.00.
Ftoj të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës së njoftuar nga opozita për të shprehur mospajtimin total dhe kundërshtimin absolut me këtë parlament ilegjitim dhe me klonimet e dështuara që Edi Rama do te përpiqet të shesë nesër si “fasadë opozitë”.
Nuk ka për të pasur fasadë opozitë. Orët e këtij sistemi kanë filluar të numërohen mbrapsht më 16 shkurt dhe nesër është një ditë tjetër për të treguar se shqiptarët janë të vendosur të marrin atë që ua kanë vjedhur: të drejtën e sovranit për të përcaktuar vetë qeverinë, parlamentin që u takon dhe për t’ua hequr këtë njëherë e mirë nga dora krimit të organizuar dhe oligarkëve, që sot përfaqësohen dhe mbrohen nga Edi Rama.
Pyetje: Zoti Basha, cilët janë zyrtarët e lartë të përfshirë në dosjen 184 që ju thatë?
Basha: Do të kemi kohë për të zbuluar çdo informacion që na vjen dhe, natyrisht, detyra dhe nderi jua kërkon që këtë pyetje t’ia bëni prokurorisë, sikundër të pyesni: Pse janë vonuar hetimet? Pse nuk zbardhen dosjet?
Pyetje: Zoti Basha gjatë kohës që ju prisnit aleatët, KQZ i ka dhënë mandatin katër deputetëve dhe po nis ajo që po quhet opozita e re. Ndërkohë që,maxhoranca u shpreh menjëherë se po kërkon votat për ndryshimin e kodit zgjedhor. Keni një koment?
Basha: Çdo hap i një Kuvendi ilegjitim, nuk njihet nga ne. Asnjë ligj, asnjë vendim i një Kuvendi ilegjitim që mbron dhe përfaqëson interesat e një grushti hajdutësh të kapur duke vjedhur paratë e shqiptarëve dhe një grushti kriminelësh të kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve, nuk njihet nga opozita. Këto pra janë vendime që nuk kanë absolutisht asnjë efekt në rrugën që ne kemi nisur.