Makthi i Ramës ka emër

Nga Red VARAKU

Koalicioni parazgjedhor i PD me LSI duket se e ka alarmuar rilindjen dhe kjo duket qartë në tensionimin e menjëhershëm të klimës politike. Kjo, sepse të gjithë e kanë të qartë që me LSI në krah rrotacioni është i sigurtë.

Dhe më mirë se kushdo këtë të vërtetë e ka të qartë vetë Edi Rama, sepse ishte pikërisht ‘puthja e dorës’ me ‘gishta obezë’ të Ilir Metës, që e bëri kryeministër dhe e shpëtoi nga largimi i pakthyeshëm nga politika në 2013.

Ndërkohë, duhet të mirëkuptohet shfazimi i të gjithë ‘snajperistëve’ të qeverisë në media, të cilët të alarmuar, menjëherë pas koalicionit hoqën dorë paturpësisht nga strategjia kryesore e perçarjes së Opozitës, nëpërmjet sulmit kundër LSI dhe i janë rikthyer argumenteve boshe të reformës në drejtësi dhe idiotësisë që qëllimi i Ilir Metës është që t’i marrë udhëheqjen e opozitës z.Lulzim Basha nga frika e reformës.

E gjitha kjo kthesë në propagandën e rilindjes ndodhi për shkak të impaktit që shkaktoi bashkimi i PD dhe LSI, për shkak se ky bashkim i rrëzoi shtyllën kryesore të trushpëlarjes dhe befasoi një pjesë të mirë të mbështetësve të mpirë dhe të çoroditur të PS, të cilët rrinin me shpresë se Rama i kishte në xhep edhe PD edhe LSI, dhe se do bashkohej me njërën nga të dyja pas zgjedhjeve.

Ky bashkim është prova që tashmë Opozita e Bashkuar është mazhorancë në frymë dhe në numra, ndaj e vetmja mënyrë që i ka ngelur qeverisë për ta bllokuar rrotacionin është shpresa se do t’i të vjedhë sërish zgjedhjet, duke riaktivizuar të njëjtin mekanizëm banditesk që aktivizoi në 2017.

Edhe pse tezat e tyre të deritanishme kanë qenë teza të lodhura, pa argument dhe të diskretituara që në vitin 2013, ata ia patën dalë deri diku të mpinin dhe çorodisin militantët e tyre dhe t’i mbajnë ata me gajret. Por bashkimi i një marsit shembi çdo pretendim.

Të gjithë e dimë që politika në fund të ditës nuk është çështje dëshirash e aq më pak qejfesh, por është çështje numrash. Me koalicionin më të madh të partive që është bërë ndonjëherë në Shqipëri dhe me Ilir Metën në krah, Lulzim Basha është automatikisht kryeministër.

Në fakt, ky bashkim ishte dhe makthi më i madh i kryeministrit dhe këtu qëndron edhe arsyeja e nervozizmit dhe alarmimit të rilindjes. Sepse ky bashkim dhe formula e përzgjedhur për të kandiduar si koalicion me dy lista, administron plotësisht frymën anti-rregjim, duke krijuar një sintezë që zbret deri në bazë dhe duke garantuar edhe matematikisht fitoren për këtë koalicion në tavolinë.

Siguria për rrotacionin, është një element shumë i rëndësishëm në këto momente, sepse vret frikën që ka arritur të mbjellë ky rregjim tek qytetarët, përmes krimit të krimbur ne para dhe pushtet, të cilin e ka instaluar në cdo qelizë të shtetit.

Nëpërmjet gershetimit te frymës me garancinë për rrotacion ndërtohet padyshim edhe uragani i ndryshimit që do t’i degdisë të gjithë plehrat e këtij vendi, atje ku e kanë vendin, në llumin e historisë së këtij vendi.

Artikulli paraprakBasha pret Kurtin: E garantova se nesër si kryeministër do të bëj gjithçka për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin me Kosovën
Artikulli tjetërBlush, ke halle të mëdha! Je përfshirë me mafien e plehrave! Po 700 mijë euro që bleve Lori Kafenë ku i gjete?