Paolo Maldini thotë jo. Ish-kapiteni i Milanit nuk do të jetë drejtori teknik i klubit, pasi kinezët të kenë marrë pronësinë. Lajmërimi erdhi nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook të vetë Maldinit. “Nuk kam shtruar asnjë kërkesë ekonomike, por që në takimin e parë kam thënë që përcaktimi i rolit tim do të ishte çelësi i një bashkëpunimi të mundshëm. Nuk do të pranoj kurrë të përdorem thjesht si një “flamur i thjeshtë”. Nuk kam kërkuar kurrë një rol si ai i Gallianit. Më është propozuar roli i drejtorit teknik, por është marrë në punë një drejtor sportiv i besuar i administratorit të deleguar, kështu që, sipas organigramës që m’u prezantua, duhet të ndaja çdo projekt, blerje ose shitje me drejtorin sportiv. Kur pyeta se si do të veprohej nëse me drejtorin sportiv nuk do të ishim me një mendje, nga zoti Fassone m’u tha që do të vendoste ai. Thënë këtë, nuk besoj se ishin premisat për një skuadër fituese”, lexohet në postimin e Maldinit.
Ish-mbrojtësi shkruan: “Vlerat e mia dhe pavarësia ime e mendimit do të jenë gjithmonë më të rëndësishme për mua sesa çdo vend pune”. Maldini e mbyll letrën e tij, duke thënë se është i “hidhëruar për një ëndërr që u shua”.