Malësorët kosovarë luftojnë për tokën e tyre

Valerie PLESCH

Që t’i arrish fshatrat e largët e të shpërndarë poshtë majave të shquara të Bjeshkëve të Nemuna duhet të ngjitesh relievit të rrëpirët e kryesisht të paasfaltuar nga rruga 28 kilometërshe Pejë-Rugovë që gjarpëron përgjatë Grykës së Rugovës.
Me të ardhur në livadhet e gjelbëruara të Haxhajt dhe Stankajt në kufi me Malin e Zi, ku dhentë e lopët kullosin lirshëm, një grumbull shtëpish të gurta e të drunjta zinin pamjen kodrinore. Ky është vendi ku janë zhvilluar beteja për mbrojtjen e tokave shqiptare nga pushtuesit dhe fqinjët në pesë shekujt e fundit.
Edhe pse kthimi i verës është zakonisht kohë gazmore, shumë komunitete vendase ndihen të pasigurta për të ardhmen e atdheut të tyre stërgjyshor, buzë kufirit me rëndësi historike Kosovë–Mal i Zi.
“Njerëzit kanë mbetur vetëm si një foshnje e vogël pa nënë e babë, si një jetim – kështu ka mbetur Rugova”, thotë për gazeta “JNK” Ali Hajdaraj, 57 vjeç, një malësor rugovas nga fshati Haxhaj, i cili flet për konfliktin e fundit që e ka zënë këtë pjesë të Kosovës.
Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tashmë e shndërruar në kusht për liberalizimin e vizave për Bashkimin Evropian, është një çështje kontroversiale për malësorët, por edhe për partitë opozitare që pretendojnë se Kosova do të humbë mëse 8,000 hektarë territor përgjatë një vije 60 kilometërshe nëse Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen.
Bisedimet për këtë marrëveshje mes Kosovës dhe Malit të Zi kanë filluar në vitin 2011.
Më shumë se 100 kilometra larg Rugovës, aktivistë kundër qeverisë në Prishtinë kanë protestuar rregullisht në rrugë dhe brenda Kuvendit gjatë vitit të fundit.
Protestat e organizuara nga partitë kryesore opozitare kundërshtojnë Marrëveshjen për Kufirin Shtetëror të nënshkruar nga Kosova dhe Mali i Zi në gusht të vitit 2015 në Vjenë dhe marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe e nënshkruar në të njëjtin muaj. Opozita kërkon një rishikim të marrëveshjes dhe shkarkimin e Murat Mehës, udhëheqësit të komisionit.
“Qeveria e Kosovës na ka sjellë kufirin në prag të derës. Por cili person i arsyeshëm bën marrëveshje me Malin e Zi pa u konsultuar me ne, njerëzit që jetojmë këtu?”, thotë Hajdaraj i frustruar.
“Ata na e kanë marrë tokën që është trashëguar nga baba te biri për breza të tërë; kemi varre këtu, varret e etërve tanë që kanë luftuar në anën tjetër të kufirit”, shton ai.
Meha insiston se komisioni i qeverisë për demarkacion ka zhvilluar mëse 20 takime me fshatarët e rajonit të Rugovës dhe me kryetarët e katër komunave të prekura.
“Kemi studiuar të gjitha dokumentet zyrtare, ligjore dhe teknike të Kosovës dhe Malit të Zi. Bazuar në ato dokumente, Kosova nuk humb territor në këtë rajon sepse të gjitha dokumentet qëndrojnë matematikisht në vijë”, ka thënë Meha në një përgjigje përmes postës elektronike për gazeta “JNK”.
Ai shtoi se komisioni i tij “ka bërë punën e vet me përgjegjësi maksimale, në përputhje me ligjet dhe dokumentet zyrtare, pa bërë gabime”.
Hajdaraj dhe bashkëfshatarët e tij janë të paduruar t’u tregojnë vizitorëve vendndodhjen e kufirit të propozuar, që gjendej vetëm disa qindra metra larg shtëpisë së tij përtej një përroi dhe një shtegu malor.
Vendasit thonë se kanë parë policë malazezë që patrullojnë pyjet e fshatit javët e fundit. Ata druhen t’i lënë delet e tyre të kullosin në trevat përtej kodrave sepse frikohen se do t’ua konfiskojnë policët malazezë ose ata kosovarë. Një fshatar i Haxhajt, 55-vjeçari Zog Selmanaj, thotë për gazeta “JNK” se, Policia e Kosovës e ka gjobitur atë me 80 euro 10 vite më parë sepse kishte kaluar kufirin e padukshëm afër shtëpisë së tij teksa i kërkonte delet.
“Çështja nuk ka të bëjë vetëm me cenimin e pronave të një grupi njerëzish, kemi punë me caktimin e kufirit të shtetit, gjë që nuk duhet të bëhet nën trysni”, thotë Fatmire Kollçaku, zëvendëskryetare e Vetëvendosjes në një intervistë në Pejë, komunë që përfshin edhe Grykën e Rugovës.
“Është për të ardhur keq që demarkacioni me Malin e Zi është kriter për liberalizimin e vizave nga BE-ja”, tha ajo për gazeta “JNK”, duke theksuar se shtete të tjera të rajonit si Sllovenia dhe Kroacia nuk kanë pasur këso lloj marrëveshjesh si parakushte për anëtarësim në BE; ato ende janë në proces të zgjidhjes së kontesteve kufitare mes dy shteteve.
Kosovarët janë i vetmi popull në Ballkan, të cilëve ende u duhen vizat për të udhëtuar në zonën Schengen të Evropës. Në maj, Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për kosovarët, por me kusht që Kosova të angazhohet më shumë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Larg nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, familjet që kanë jetuar në Rugovën e largët me shekuj të tërë nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga trojet e tyre për përfitime politike.
Stankaj është një ndër fshatrat e fundit në këtë pjesë të Kosovës, ku janë të shpërndara rreth 50 shtëpi përgjatë kodrave të thikta. Këtu nuk ka as shkolla e as dyqane dhe për këtë arsye familjet që jetojnë afër kufirit tërhiqen në Pejë dhe rrethinë për pjesën më të madhe të vitit, kryesisht gjatë muajve të ftohtë.
Balë Ali Hysnikaj, 69-vjeçar, vetëm sa ishte kthyer në fshatin bujqësor të Stankajt me gruan e tij disa javë më parë dhe mezi priste të kthehej te kullosat dhe lopët e tij. Si shumë rugovas të tjerë të kësaj lugine, shumë gjenerata të familjes Hysnikaj kanë jetuar në Stankaj.
“Jemi këtu me shekuj”, thotë ai për gazeta “JNK”, duke treguar drejt paraardhësve të tij të varrosur në Kullën e Mokrës, një nga pikat e referencës përgjatë kufirit Kosovë-Mal i Zi.
“Vija kufitare po i afrohet shumë fshatit tonë”, shton ai nga shtëpiza e tij e drunjtë me pamje nga lugina e Rugovës. Një burrë shtatshkurtër me duar të përthara, Hysnikaj kishte hedhur një flamur të SHBA-së në shpinë dhe u ishte bashkëngjitur malësorëve të tjerë në protestën kundër marrëveshjes së demarkacionit në Prishtinë në prill. Ai çuditet me ngurrimin e qeverisë për rishqyrtimin e dokumenteve dhe hartave të disponueshme para se të vijojnë me marrëveshjen e demarkacionit.
“Ata sigurisht përfitojnë diçka nga kjo dhe tash mundohen t’ua shpaguajnë”, thotë ai. “Diçka nuk është në rregull”.
Në Haxhaj, fshati që konsiderohet të jetë ndër më të prekurit nga demarkacioni, Hajdaraj thotë se ai dhe shokët e tij do ta nisin një luftë të re nëse marrëveshja miratohet në Prishtinë.
“Shumë nga stërgjyshërit tanë kanë rënë duke e mbrojtur kufirin në Çakorr”, thotë ai. “Nëse e ratifikojnë këtë marrëveshje, betohem se ditën tjetër do të dëgjoni të shtëna armësh. Haxhaj është rajoni më i prekur. Kjo tokë është e çmuar për ne”.
Sidoqoftë, ndryshe nga disa malësorë, Hajdaraj ka refuzuar të marrë pjesë në protesta të nxitura nga parti politike, përfshirë protestën e fundit kundër qeverisë të organizuar prej dy nga tri partitë kryesore opozitare, AAK-ja dhe Nisma.
“Ata [qeveria] po luajnë me ne. Ata janë tradhtarë të kombit shqiptar”, thotë ai.
“Kjo gjë nuk ka ndodhur askund në botë përveç këtu”, shton ai. “Si është e mundur që Mali i Zi të ketë të drejtën të hyjë me kilometra brenda Kosovës dhe t’i rrëmbejë trojet tona?”.
Për ta adresuar çështjen e kufirit dhe shqetësimet e malësorëve, Komuna e Pejës ka krijuar një komision në vitin 2012 për t’i përfaqësuar fshatarët. Një nga anëtarët e komisionit, Sadri Zekaj, përfaqëson 35 fshatra në rajonin e Pejës, duke përfshirë Deçanin dhe Rozhajën – pikën kufitare zyrtare me Malin e Zi.
Zekaj thotë për gazeta “JNK” se nëse Kuvendi miraton demarkacionin, kufiri me Malin e Zi do të zhvendoset brenda Kosovës për së paku 6.5 kilometra në rrugën Pejë-Rozhajë, rrugë që është portë dhe kalim vital për automjetet që udhëtojnë nga Evropa Perëndimore në Kosovë.
Territori në mes të Rozhajës në Mal të Zi dhe Kullës në Kosovë është ende i kontestuar. Policia Kufitare malazeze tashmë e patrullon atë pjesë edhe pse marrëveshja për demarkacion ende nuk është ratifikuar.
Një komision ndërkombëtar ad hoc i dekretuar në mars nga Presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga për ta rivlerësuar marrëveshjen e demarkacionit nuk ka prodhuar rezultate të favorshme për malësorët.
Disa ekspertë thonë se komisioni është mbështetur gabimisht vetëm në dokumente kadastrale për ta tërhequr vijën kufitare, gjë që është në kundërshtim me kriteret standarde të së drejtës ndërkombëtare për përcaktim të kufirit.
“Ata shkuan drejt te demarkacioni duke përdorur të dhënat kadastrale si pika referimi për ta përcaktuar kufirin Kosovë-Mal i Zi”, thotë Enver Hasani, ekspert i së drejtës ndërkombëtare dhe kryetar i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese. Hasani thotë për gazeta “JNK” se komisioni do të duhej të kishte konsideruar harta, interesa ekonomike dhe konfigurimin e trojeve po ashtu.
Meha, kryetari i komisionit qeveritar, ka thënë se dokumentacioni që përmban të dhëna mbi kufijtë kadastralë, kufijtë komunalë dhe harta të ndryshme topografike janë marrë parasysh.
Por Zekaj thotë se ky është rasti i vetëm në Evropë ku është përdorur vetëm dokumentacioni kadastral për ta përcaktuar një kufi. “Për herë të parë, Mali i Zi do e ketë pamjen mbi fushat e Kosovës”, shton ai.
Një anëtar tjetër i komisionit, Ali Lajqi, kryetar i mëhershëm i Pejës, do që ta çojë kufirin në Çakorr dhe Kullë. “Malazezët e njohin vijën kufitare shumë mirë, por sigurisht që Mali i Zi parapëlqen këtë version të kufirit”, thotë ai për gazeta “JNK”.
“Arsyeja pse ky proces po ndodh në këtë mënyrë është sepse Mali i Zi mendon se ne nuk e çajmë kokën se humbin tokat tona vetëm për të hyrë në BE”, shton Lajqi.
Një malësor rugovas, i cili ka luftuar për këtë kufi për gati 5 dhjetëvjeçarë është Zeqir Dreshaj.
Ai është një nga aktivistët më të spikatur dhe të zëshëm mbi marrëveshjen për demarkacionin.
Prej shtëpisë së tij dimërore, të cilën e ndan me gruan dhe nipërit e tij në Nabërxhan të Pejës, ai mban një arkiv të librave, fotokopjeve të fotografive të vjetra të luginës së Rugovës dhe copa gazetash për kontestin kufitar.
Në një fotografi brenda valixhes së metaltë të Dreshajt shihen luftëtarë shqiptarë në veshje kombëtare duke mbrojtur kufirin në Çakorr. Dreshaj ende mban shallin karakteristik të rajonit të Rugovës dhe kujton kur ka qëndruar në fshatin e Kuqishtës afër liqenit gjatë dimrit si fëmijë.
Tash, 85-vjeçari thotë se nuk do të heqë dorë nga lufta për ta mbrojtur tokën e tij.
“Të gjithë gjyshërit dhe stërgjyshërit e mi kanë luftuar dhe vdekur atje [në Çakorr] duke e mbrojtur kufirin për 500 vjet. Edhe mua më duhet ta bëj, më duhet. Më duhet të mendoj edhe për nipërit e mi. Më duhet ta bëj me gjithë mishin, gjakun dhe shpirtin”, thotë ai. “Nuk mund të heqim dorë sepse ky është vendi jonë”.
Dreshaj mban shpresa te komuniteti ndërkombëtar – jo te qeveria e Kosovës – për ta zgjidhur çështjen e kufirit përmes ruajtjes së kufirit të tanishëm në Çakorr, i cili thotë se bazohet në Kushtetutën jugosllave të vitit 1974.
Kriza e kufirit me Malin e Zi me gjasë nuk do të jetë e fundmja për Kosovën. Kosova ndan një kufi 300 kilometërsh me Serbinë dhe ekspertët si Hasani frikohen se çfarë do të ndodhë nëse Kosova merr parasysh vetëm dokumentet kadastrale për demarkacionet e ardhme.
“Do të përballemi me një telash të madh”, thotë ai. “Mali i Zi është vetëm maja e akullnajës për atë se çfarë mund të ndodhë dhe ky është shqetësimi im kryesor”.
Në anën tjetër, Tomor Çela, gjeograf dhe ekspert i GIS (sistemit të informimit gjeografik) nuk pajtohet. Ai ka kryer një analizë të pavarur të rezultateve të prezantuara nga Komisioni Shtetëror për Demarkimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror të emëruar nga ish-Presidentja Jahjaga.
Ai konkludon se përdorimi i të dhënave kadastrale për të përcaktuar kufirin ishte i drejtë. “Nëse hiqet kriteri i përdorimit të të dhënave kadastrale dhe administrative prej sistemit të demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, do të krijonte një precedent shumë të rrezikshëm kur vjen puna e demarkacionit me Serbinë”, thotë ai.
“Serbia pastaj mund të kërkojë që të eliminohen të dhënat kadastrale dhe administrative, duke argumentuar se ato nuk janë përdorur për ta përcaktuar kufirin me Malin e Zi – dhe kufiri [me Serbinë] mund të vijë deri te Lumi Ibër”, thotë Çela në Prishtinë, duke shpalosur harta të vjetra të Kosovës dhe Malit të Zi të 50 viteve të fundit.
Tani për tani, qeveria duket e vendosur ta çojë punën para. Presidenti Hashim Thaçi së fundi ka thënë për “The Wall Street Journal” se “kjo punë nuk ka më asnjë arsye të shtyhet” sa i përket heqjes së vizave për Kosovën, duke shtuar se ai do të sigurohet se Kuvendi i Kosovës do të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi para përfundimit të verës.
Me këtë nuk pajtohen malësorët. “Nëse e ratifikojnë këtë marrëveshje, njerëzit këtu do të bëjnë luftë”, paralajmëron Hajdaraj për gazeta “JNK”.

Artikulli paraprakLidhjet e partive radikale me Putinin
Artikulli tjetërValdet Rama pranë Balikesirspor