Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapoviç ka bërë të ditur se dy nga tre personat e arrestuar tre ditë më parë në Kosovë për mbishkrimin “Kosova është Serbi”, janë pjesëtarë të ushtrisë malazeze.
“Në këtë moment, ata dy ndodhen zyrtarisht në pushim mjekësor dhe bëhet fjalë për pjesëtarë të mirë dhe shembullorë të ushtrisë”, tha zoti Krapoviç të mërkurën.
Ai konfirmoi se dy anëtarët e arrestuar të ushtrisë së Malit të Zi “kanë qenë në sistem për një kohë të gjatë, njëri që nga viti 2011 dhe tjetri nga viti 2022”.
Policia e Kosovës arrestoi tre persona nga Nikshiqi për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në manastirin e Deçanit më 24 nëntor, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Dy ditë pasi u ndaluan, Gjykata Themelore në Pejë urdhëroi një muaj paraburgim për Rajko Krivokapiqin 34 vjeç, Marinko Jovanoviqin 24 vjeç, dhe Dragutin Llallatoviqin 24 vjeç.
Prokurori në Pejë i akuzon ata për veprën penale “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”.
Mbishkrimet që e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë, autoritetet kosovare i trajtojnë si provokim dhe nxitje të urrejtjes kombëtare.
Institucionet shtetërore nuk janë prononcuar lidhur me arrestimin e tre të rinjve nga Mali i Zi.
Kryetari i Partisë Liberale në opozitë, Vatroslav Belan kritikoi qëndrimin e Ministrit të Mbrojtjes së Malit të Zi, i cili, sipas tij, me këtë deklaratë “nuk respekton të gjitha detyrimet dhe marrëveshjet e ndërmarra ndërkombëtarisht” dhe “anëtarësimin e besueshëm në NATO”.
Me ironi ai tha se “pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes po marrin ‘pushim mjekësor’ për t’ia kthyer Kosovën Serbisë”.
Partitë politike pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por e konsiderojnë si territor të Serbisë.
Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-Presidentit Milo Gjukanoviç, e cila u rrëzua nga pushteti në gusht të vitit 2020./VOA