Pas eliminimit të Barcelonës nga Atletiko e Madridit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, Lionel Mesi u largua nga “Vicente Calederon”, duke prekur me dorë muskujt.
Argjentinasi nuk ishte deciziv atëherë kur skuadrës i duhej më tepër se kurrë deri në këtë moment të sezonit. Dhe sa herë ai nuk është në ditën e tij, nuk është një rastësi që katalanasit eliminohen.
Që kur ai është bërë pjesë e ekipit të parë, 5 herë kampionët e Europës janë eliminuar nga Liverpuli (2007), Mançester Junajtid (2008), Inter (2010), Çelsi (2012), Bajerni (2013) dhe Atletiko Madrid (2014 dhe 2016).
Gjatë këtyre 7 ndeshjeve me eliminim direkt në këto 10 vitet e fundit, “pleshti” ka qenë në fushë për 1.442 minuta dhe ka dhuruar vetëm një asist (atë në ndeshjen e kthimit ndaj Çelsit), duke mos shënuar asnjë gol. Madje, ai ka humbur edhe një penallti decizive.
Por herët a vonë mallkimi i përsëritjes së suksesit në këtë kompeticion do të prekte edhe katalanasit, skuadrën favorite për ta fituar edhe këtë sezon trofeun më të rëndësishëm kontinental. Asnjë ekip, që kur është krijuar formati Champions në vitin 1992, nuk ka arritur të rikonfirmohet në krye të Europës në sezonin pasardhës.
Dhe nuk janë pak që kjo të quhet thjesht një rastësi, por 24 edicione. Për të gjetur skuadrën e fundit që arriti të mbronte titullin duhet të kthehemi pas në kohë, në formatin e vjetër të Kupës së Kampioneve.
Ishte sezoni 1988-1990 dhe atëherë në krye të Europës ngjitej Milani i madh i Sakit, i cili mposhte në dy finale radhazi rumunët e Steauas së Bukureshtit dhe portugezët e Benfikës. Dhe po të kthehemi edhe pak më pas në kohë do të gjejmë pesë triumfet radhazi të Realit të Madridit, por edhe tripletën e Ajaksit të Amsterdamit dhe Bajernit të Mynihut dhe dopietën e Interit, Liverpulit dhe Notingem Forestit. Të shohim çdo të ndodhë pas datëlindjes së 25-të të Champions-it!?