Dritan SHANO
Gjithë ditën e sotme, që kur ka zbardhur e deri tani, trafiku i Tiranës ka qenë një ferr i vërtetë, mbytës, që nuk mëshiroi as ambulancat që kërkonin më kot t’u hapej rruga të nxitonin për të shpëtuar ndonjë jetë. Të gjithë e dinë kush është autori i këtij ferri ku sot ka kaluar çdo vendali apo vizitor që kishte ardhur të mbaronte ndonjë punë në Tiranë. Ato punërat e bashkisë të hapura në çdo cep dhe të pambaruara asnjëra janë bërë si gjyle hekuri të lidhura në kaviljet e njerëzve që duan të vrapojnë drejt punës, drejt mundësive, drejt të ardhmes por nuk i le bashkia, e cila zgërdhihet dhe thotë se ne për të mirën tuaj po punojmë.
Askush nuk arriti në kohë askund sot në Tiranë. As të gjallët, as të sëmurët dhe as të vdekurit. Dhe këta të fundit u vonuan për të filluar udhëtimin e pafundësisë. Vetëm zogjtë e qiellit shkuan ku deshën, kur deshen. Por ata nuk votojnë. Çdokush tjetër që voton, përkundrazi, harxhoi dhe po harxhon edhe tani në mbrëmje orë të tëra në trafik, pa mbaruar punën pse gjendej në timon. E konsumoi kohën makinën e tij njësoj sikur të kishte bërë 300 kilometra rrugë. Harxhoi ferrota, goma, vaj makine, nerva, dhe mbi të gjitha karburantin nga më të shtrenjtët ne Europë. Jo rradhët e tipit “dekoderin e përditshëm falna neve sot” por uturima e makinave, borive, dhe gazrat kanceroze që nxirrnin makinat nga barku i tyre e dominuan ditën e sotme të Tiranës. Bashkia e Tiranës e ka shndërruar qytetin në një kurth të madh ku shqiptaret lenë kohën, lekët dhe leshtë. Sot kur dola në këmbë, u hidhja sytë një herë tabelave me çmimet e karburantit që nuk i uli as de-euroizimi i Bankës së Shqipërisë, dhe një herë tek fytyrat e shoferëve brenda makinave. Sa herë që ata lëviznin buzët, më dukej sikur në mënyrë të pakontrolluar i këndonin vetes refrenin: Kar-kar-karburant…