Mallkimi i transfertave

Ndeshjet në transfertë kanë filluar të bëhen një problem jo pak i vogël për Juventusin, që të dielën në mbrëmje pësoi humbjen e katërt jashtë Torinos. Nëse në “Juventus Stadium” të besuarit e Alegrit vazhdojnë të thyejnë rekorde dhe kanë një ecuri shumë pozitive, jashtë tij transformohen një ekip pa shumë forcë dhe pa karakter.
Humbja ndaj Fiorentinës nuk ishte një rastësi, por një paralajmërim i asaj që ka ndodhur dy herë në “San Siro” kundër Interit dhe Milanit dhe në “Marasi” kundër Xhenoas. Këtë herë ekipi bardhezi kishte shumë mungesa në mbrojtje dhe Alegri kishte vendosur të aktivizonte disa futbollistë që u rikthyen nga dëmtimet.
Me këtë ecuri të deritanishme, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe në kampin bardhezi janë të sigurt se do të ndryshojnë në sfidat e ardhshme. Higuain me shokët e tij kanë fituar 5 ndeshje dhe kanë humbur 4, nga 9 sfida të luajtura në total në transfertë. Bardhezinjtë kanë koleksionuar 15 pikë, ndërkohë që vendin e parë e mbajnë Atalanta dhe Roma me 17 pikë dhe pastaj, Napoli, Juventusi dhe Lacio me nga 15 pikë, por bardhezinjtë kanë dy ndeshje më pak. Jashtë Torinos, Juventusi ka pësuar 10 gola dhe ka shënuar 13. Humbjet e bardhezinjve kanë ardhur me ekipe të forta si Milani, Interi, Fiorentina dhe Xhenoa.
Pavarësisht faktit se ndjekësit janë gëzuar dhe kanë fërkuar duart për këtë ndalesë të Juventusit, trajneri i bardhezinjve Masimiliano Alegri nuk shqetësohet dhe mendon që disfata në Firence do t’u japë akoma më shumë vlerë fitoreve të ardhshme të Juventusit dhe do ta ndihmojë për të qenë një ekip i bashkuar drejt arritjes së legjendës për të fituar gjashtë kampionate radhazi. “Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Duhet të luajmë më mirë në transfertë. Do t’i rregulloj unë këto gjëra shumë shpejt. Humbja që pësuam duhet të na japë më shumë nerv, por gjithashtu nxjerr në pah vlerat e sfidës që kemi nisur.
Të gjithë bashkë, për t’u bërë legjenda”, ka thënë Masimiliano Alegri. “Zonja e Vjetër” tani duhet të përgatitet maksimalisht për të qenë gati për sfidën e ardhshme ndaj Lacios, e cila është shumë vendimtare për të ruajtur distancën e pikëve me ndjekëset si Roma dhe Napoli, që presin sërish një hap fals të Juventusit. Shumë e vështirë që të përsëritet. Alegri dhe banda e tij këtë herë duhet të marrin masa.

Artikulli paraprakBonaventura rinovon deri në vitin 2020 me Milanin
Artikulli tjetërPaqe mes Kontes dhe Diego Kostas