Kreu i Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi reagoi ashpër dje pas deklaratave të ministrit të Mjedisit, Blendi Klosi në lidhje me gjoja dobinë e inceneratorëve.
“Ministri i Mjedisit Blendi Klosi, që harxhon më shumë kohë në kazino se në zyrë, doli sot në qytet për të mbrojtur inceneratorët, importin dhe djegien e plehrave.
Për Partinë Demokratike është e papranueshme që shëndeti i banorëve të Tiranës të trajtohet nga ministri i Mjedisit si hedhje zarash në kazinotë e tij të preferuara.
Afera 178 milionë euroshe e inceneratorëve është një nga aferat më korruptive të qeverisë Rama. Të tre djegësit e plehrave, në Elbasan, Fier dhe Tiranë janë nën administrimin e Klodian Zotos, sekserit të Arben Ahmetajt.
Partia Demokratike ka siguruar dokumentacionin e plotë se, Klodian Zoto është bërë administrator edhe i kompanisë së riciklimit të mbetjeve në Tiranë. Kjo do të thotë se Edi Rama, duke përdorur kukullën e tij Veliaj, ka përqendruar në një dorë industrinë e ricikilmit të mbetjeve. Sipas kontratës Bashkia e Tiranës, pra Erion Veliaj, është e detyruar ta furnizojë Klodian Zoton me 550 tonë plehra në ditë dhe, nëse nuk e arrin këtë objektiv, do ta paguajë kompaninë me lekët e banorëve të Tiranës.
Për pasurimin e vet nëpërmjet inceneratorëve, Edi Rama u ka hequr licencën 100 bizneseve të riciklimit dhe po lë pa punë mijëra familje. Tani është e qartë përse Edi Rama u bë flamurtar i importit të plehrave, duke mashtruar shqiptarët se ricikluesit do të falimentonin pa lëndë të parë importi”, tha Malltezi.