Malltezi: Ku shkuan 3 milionë eurot?

Jamarbër Malltezi ka denoncuar dje keqmenaxhimin që po i bëhet turizmit bregdetar që deri tani ka shkaktuar 23 jetë të humbura në emër të Departamentit të Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit në PD, të cilin edhe e kryeson, një deklaratë për situatën në bregdetin shqiptar dhe papërgjegjshmërinë e institucioneve që duhet të marrin masa për gjendjen katastrofike.
Duke marrë shkak nga mbytja e një fëmije ditën e mërkurë në plazhin e Zvërnecit, i 23-ti për një periudhë të shkurtër DDMP përveç papërgjegjshmërisë për mbrojtjen e jetës së pushuesve denoncon edhe ndotjen e plazheve nga nafta. Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit në Partinë Demokratike kërkon llogari në këtë deklaratë, se ku shkuan miliona euro për Agjencinë Kombëtare të Bregdetit që po fle, ose merret me afera.
“U mbyt personi i 23 dje në det dhe qeveria fle. Përditë po mbyten njerëz, përditë dalin fekalet në det, përditë po ndoten plazhet nga nafta dhe ballasti dhe askush nuk mban përgjegjësi, askush nuk di të thotë ku po fle shteti. U emërua (pa ligj) një Agjenci Kombëtare e Bregdetit, por askush nuk di çfarë bën dhe ku shkojnë milionat nga taksat tona. Drejtori i saj merret me Rrugën Egnatia në malet e Librazhdit, në vend të merret me bregdetin dhe sigurinë në të. Ka një Agjenci të Zonave të Mbrojtura, por a di njeri të thotë ku kanë vajtur thuajse 3 milionë euro? Kemi Inspektorat Mjedisi që në vend që të parandalojë dhe ndëshkojë për fekalet në det inspektorët e pashkollë të saj po zihen si qentë për të ndarë ryshfetet. Pse paguhen dhjetëra institucione dhe miliona euro kur nuk bëjnë asgjë për të siguruar jetët e njerëzve, mjedisin dhe turizmin?
Këto vdekje, ndotje dhe mungesë e standardeve minimale nuk do të ishin të mundura pa Edvin Ramën dhe çetën e tij”, shprehet Malltezi në reagimin e tij.
Ky sezon turistik është kthyer në një rrezik vdekjeje për pushuesit në të gjitha plazhet e vendit. Sipas statistikave, gjatë këtyre dy muajve të sezonit turistik kanë humbur jetën 23 pushues në brigjet tona, një shifër tepër e lartë kjo po ta krahasosh me vendet e Europës. Janë jetë njerëzish që ikin çdo ditë në kushtet e turizmit që ofron kjo qeveri. Qeveria harxhon miliona lekë me broshurat e promovimit, ndërsa nuk investon asnjë lek dhe nuk merr asnjë masë për sigurinë e jetës së njerëzve.
Pushimet janë kthyer në ferr për pushuesit në të gjitha zonat turistike. Mungesa e rojeve të plazhit dhe ndihmës së parë është kthyer vdekjeprurëse për shumë pushues. Në disa raste kanë qenë pushuesit që kanë ndihmuar të gjendurit në vështirësi, për shkak se kullat e vrojtimit mungojnë në çdo plazh.

Artikulli paraprakKeqmenaxhimi me hidrocentralet, 80% e energjisë po importohet
Artikulli tjetërRingjallen në SHBA debatet rreth simboleve