Malltezi: Përballë një të çmenduri me kartelë, gjyqtarët preferojnë të bëjnë lolon

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar dje kërkesën e PD-së për mundësinë e zgjidhjes me anë të referendumit të tri çështjeve në Tiranë (ndërtimi i parkimi nëntokësor tek Parku “Rinia”, i objekteve social-kulturore dhe administrative në hyrjen e Parkut të Liqenit, si dhe i këndit të lojërave në Parkun e Liqenit Artificial). Pas këtij vendimi, menjëherë ka reaguar Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, i cili dënoi faktin se gjyqtarët iu nënshtruan tërësisht presionit të Ramës duke rrëzuar kërkesat e PD për organizimin e tri referendumeve.
“Vend palaçosh. Pas palaçove të KQZ që mohuan të drejtën kushtetuese të qytetarëve për referendum vendor për çështjet e kafshimit të Parkut ‘Rinia’ dhe Parkut të Liqenit (mushkërive tona), marr vesh se sot edhe gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor rrëzuan kërkesën për referendume vendore.
Përballë të çmendurit me kartelë, gjyqtarët kanë preferuar të bëjnë lolon kinse nuk kuptojnë. Kushtetuta përdoret si statuti i PS ku nenet e saj nuk zbatohen, por interpretohen nga palaçot pa dinjitet. Sipas tyre Edvini dhe Erioni mund të betonizojnë sipas qejfit çdo cep lulishteje në Tiranë (deri tani kanë betonizuar dhjetëra lulishte) dhe qytetarët nuk kanë të drejtë të bezajnë fare”, shkruan Malltezi në një reagim në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Ndër të tjera Malltezi bën të ditur se PD do të vijojë betejën e saj duke depozituar kërkesën për referendum popullor pranë Gjykatës Kushtetuese.
“Kam 3 pyetje: Pse kemi nevojë për ligje (planifikim territori, mjedisi, zona të mbrojtura, etj.) nëse Edvini dhe Erioni mund të japin leje ndërtimi edhe në kundërshtim me ligjet në fuqi? Pse kemi nevojë për plane urbane së bashku me rregullore etj., nëse këta nuk i përfillin dhe ndërtojnë edhe mu brenda parqeve? Pse nuk i heqin fare nga Kushtetuta të gjithë ato nenet që flasin për referendumet?
Në këtë vend Kushtetuta që lejon referendume është krejt e pafuqishme përballë një të çmenduri (me qindra hajdutë) që nuk kanë qejf të lejojnë zbatimin e Kushtetutës dhe keqpërdorin sipas rastit shullazët apo shukritë në KQZ dhe trembin me turma gjyqtarët. Do të çojmë kërkesë në Gjykatë Kushtetuese që OSE t’u japin qytetarëve të drejtën të mbajnë referendume vendore OSE t’i heqin fare nga Kushtetuta nenet që flasin për referendumet. (Kur bën dashuri edhe i biri i tetos mos ngeltë djalë në këmbë)”, shkruan Malltezi në reagimin e tij.

Artikulli paraprakGruevski, i vetëm në zgjedhje, java vendimtare për krizën në Maqedoni
Artikulli tjetërBylykbashi: Asnjë kufizim ndaj shkeljeve që çojnë zyrtarët e lartë përpara drejtësisë