Malltezi: Votat nuk do mund të numërohen nga “Shullazët” apo “Hakmarrja për Drejtësi”

Kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi sqaron në një intervistë për “Balkanweb” argumentet që e shtynë opozitën të nisë protestën e pandalshme deri në plotësimin e kushtit të saj për krijimin e qeverisë teknike.

– Z. Malltezi, çfarë kërkon të arrijë Partia Demokratike me protestën që prej disa ditësh po zhvillohet pranë Kryeministrisë?
Partia Demokratik kërkoi qysh një vit më parë kryerjen e reformës zgjedhore që përfshinte 25 rekomandime nga zgjedhjet e vitit 2013 dhe 28 nga zgjedhjet e vitit 2015. Për fat të keq nuk pati asnjë reagim nga qeveria, mesa duket për hir të ruajtjes së status quo-së së brendshme, pasi rrezikohej koalicioni. Në fund të vitit 2016, PD kërkoi votim elektronik për zgjedhjet, por KQZ u shpreh që nuk ka kohë! Meqë nuk garantojnë votim dhe numërim elektronik atëherë le të kemi qeveri teknike që të ketë garë dhe jo farsë. Thjesht duhet që shqiptarët të votojnë të lirë dhe jo t’ua numërojë Saja me Shullazin, Hakmarrjen dhe Lul Berishën.

– Cilat janë argumentet e Partisë Demokratike për protestën që po zhvillon?
1. Janë miliarda euro nga trafiku i drogës (2 miliardë sipas OSBE, 5 miliardë sipas “BBC”, 6 miliardë sipas kryeprokurorit italian), që do të përdoren për të blerë zgjedhjet dhe tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve.
2. Janë dhjetëra banda të krimit të organizuar që qeveria po liron nga burgjet për të mbajtur qytetet nën kontrollin e bandave duke përfshirë Lul Berishën, Hakmarrjen për Drejtësi me 17 krime dhe në radhë në gjykatë janë Aldo Baret etj. Këto banda janë në kontakt të vazhdueshëm me Edi Ramën dhe Sajën dhe nuk premtojnë asgjë të mirë. Kush janë banditët në këtë vend? Hallexhinjtë që nuk kanë para për të paguar energjinë burgosen dhe vdesin në burg, ndërsa bandat e krimit të organizuar lirohen.
3. Edi Rama refuzon intelektualët dhe njerëzit e ndershëm qoftë edhe socialistë dhe i ka zëvendësuar me banditët e tij dhe kështu mendon se do të mbledhë votat me dajak. Në Lezhë banditi Ndoka rrahu dhe qëlloi me armë mes Lezhës edhe ish-deputetin dhe kreun e Partisë Socialiste për atë qytet dhe nuk i hyn gjemb në këmbë, në Kavajë përdhunuesi dhe trafikanti Elvis Roshi me 5 emra vijon të jetë kryetar bashkie, ndërsa Rama bënte ironi me ligjin e dekriminalizimit, në Laç ai që plagosi 4 persona me armë zjarri brenda komisariatit të policisë vijon të jetë deputet, dhe ndonëse ka kryer krime me 9 emra, prapë Edi Rama e mban si deputet!!!
4. Ata të tredhur që nuk guxojnë t’i dalin kundra Edi Ramës dhe të heqin mandatin e Armando Prengës do i japin besim shqiptarëve se do të kenë integritet të ruajnë një proces zgjedhor të ligjshëm dhe të rregullt?
5. Mediat janë nën presion, disa të blerë me kioska, të tjera me leje ndërtimi dhe të tjera të kërcënuara me AMA dhe tatime.
6. Në vitin 1990 u rrëzua regjimi monist për të pasur liri mendimi dhe veprimi nga qytetarët. Por sot shërbyesit e Ramës që gjenden rastësisht nëpër trafiqe me vëlla Olsin po pushojnë njerëzit nga puna vetëm për bindje politike, siç ndodhi me zj. Rajna Kovaçi, vetëm pse vajza e saj këndoi tek tenda e opozitës. Deputeti socialist Majko detyrohet si në vitet ’70 të bëjë autokritikë pse djali i tij bën shenjën “V” të Churchill. Ku po shkojmë kur në vitin 2017 mendimi ndryshe konsiderohet herezi dhe shpallen armiq?!
7. Çdo institucion, përfshi ato të depolitizuarat me ligj si Garda e Republikës apo Forcat e Armatosura, po marrin të plotësojnë me detyrim formularët për rrethin e patronazhit. Kjo është vepër penale dhe nuk premton gjë të mirë për zgjedhjet.
8. Policia e Shtetit është bërë njësh me bandat apo nën urdhrat e bandave. Nuk vepron për të goditur bandat, trafikantët e drogës etj., por përdoret për të shantazhuar banditët dhe kultivuesit, për të ndarë pazaret dhe për t’i paguar haraçin qeverisë. Dhjetëra tonë droge kalojnë përditë nga Porti i Durrësit dhe drejtor policie aty qëndron prej 4 vitesh një tepelenas i Sajes me një mal skandalesh. Kriminalizimi ekstrem i policisë është vepër penale, por në këtë vend qeveria është bërë njësh me krimin e organizuar.
9. Vjedhja masive e procesit zgjedhor sidomos në Dibër vërtetoi gjithë dyshimet dhe hamendësimet e PD, qoftë për blerjen e votave, qoftë për përdorimin e administratës shtetërore në shërbim të partisë, qoftë për kriminalizimin e strukturave policore dhe përfshirjen e bandave të armatosura në procesin zgjedhor, dhe qoftë për kanosjen përmes frikësimit për arat e drogës.
Për të gjitha këto arsye dhe të tjera, për të shmangur presionin e paligjshëm të qeverisë, policisë, përfshirjen e bandave, tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve etj., më e pakta që mund të bëhet është një qeveri teknike që do të shkëpusë lidhjet e bandave me partinë në pushtet dhe nuk do të lejojë policinë që të dhunojë qytetarët dhe nën urdhrat e bandave.

– Çfarë mund të thoni për mënyrën sesi ndërthuren këto argumente me nevojat e përditshmërisë së qytetarëve?
Qytetarët dëshirojnë një jetë dinjitoze dhe rritje pagash, por ka 4 vjet pa rritje pagash dhe pensionesh. Qytetarët dëshirojnë që fëmijët e tyre të punojnë në punë të ndershme dhe të mirëpaguara dhe jo të punojnë me kokë në torbe për arat e hashashit të bandave të qeverisë. Dhjetëra të vdekur ka pasur për punë të pazareve të drogës këto vitet e fundit, të gjithë janë bij nënash dhe nuk ka njeri që të ndihet i lumtur që fëmija të punojë në punë të paligjshme. Qytetarët shohin sesi kjo qeveri i gënjeu të gjithë dhe nuk mbajti asnjë nga mbi 40 premtimet elektorale që erdhi në pushtet, dhe kjo është për çmim “Guinness”. Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë për naftën dhe gazin, po paguajnë më shtrenjtë për energjinë ndonëse iu premtuan të kundërtat. Kush qytetar pranon të qeveriset nga Prengat, Roshët, Doshët, Ndokat apo Ballat? Këta janë si tumore për shëndetin e demokracisë të Shqipërisë. Banorët e Zharrëzës po vijnë të sfilitur të protestojnë gjithashtu tek tenda e opozitës. Shkurt, qytetarët ndihen të gënjyer, të zhgënjyer, të lodhur dhe të inatosur nga kjo qeverisje. Opozita po iu mundëson një forum ku të shprehin pakënaqësinë e tyre. Tenda po bëhet zëri i qytetarëve të nëpërkëmbur dhe të zhgënjyer.

Artikulli paraprakZv/shefi i komisariatit nr 4 me parcela droge në malësinë e Tiranës
Artikulli tjetërFaqja e pare