“Mami mos ki frikë se asgjë nuk kam”- Nëna e 12-vjeçarit Leo Sadiku tregon momentet e fundit me të birin: Më kërkoi të shtrihesha pranë tij, ta përqafoja dhe puthja

Nëna e 12-vjeçarit Leo Sadiku që humbi jetën në spitalin e QSUT-së ka rrëfyer momentet e fundit me të birin, në një intervistë për News24.

 

Teksa kërkon drejtësi dhe akuzon mjekët për neglizhencë ndaj të birin, Roveta Sadiku tregon sesi në momentet e fundit, djali i saj i kërkoi që t’i qëndronte pranë dhe e ngushëllonte duke i thënë se nuk kishte asgjë.

“Leo kishte një djegie të paparë në trup dhe donte të zbulohej. Po digjej, kam zjarr më thoshte. Ia thamë doktoreshës por nuk bëri asgjë. Djali e pashë që i kishte duart e ftohta dhe goca ka marrë në një lokal ujë të ngrohtë që t’ia vinim në këmbë dhe duar. Në një moment Leo u ngrit i trembur. I thashë çfarë ke bir i mamit? Asgjë më tha mos ki frikë se asgjë nuk kam. Mos qaj se nuk ka asgjë, më tha djali. Më kërkoi të shtrihesha pas tij. I thashë është turp të keqen mami se ka njerëz. Mami të lutem shtrihu pas meje më lër të të puth, më puth, më shtrëngo fort po më thoshte djali. U shtriva pas djalit dhe po e përkëdhelja, nuk e dija që po i plotësoja dëshirat e fundit. Nuk zgjati shumë. Bëri një frymëmarrje jo të mirë.

I thërrita Leo bir çfarë ke? Më tha nuk mbushem dot me frymë. Lajmërova direkt, nuk erdhi doktoresha por erdhi një infermiere me një matës oksigjeni në dorë. Ia vendosi në dorë dhe matësi nuk punonte në dorën e Leos. Leo kaloi një krizë, i kërcyen sytë përpjetë.

 Në atë moment kemi thirrur si të marrë. Një zotëri ka ardhur nga një dhomë tjetër, na nxorrën me dhunë jashtë mua dhe tim vëlla. Kur më pa vëllai që po ulërija hyri me forcë. Një zotëri tjetër mori bombolën e oksigjenit, e vendosën aty dhe vetëm i thërrisnin Leo shtrëngo dajën, Leo mendo për mamin. I luteshim të bëhej i fortë, por Leon ma kishin shkatërruar, ma neglizhuan”, ka rrëfyer ajo për gazetarin Osman Stafa.

Exit mobile version