Mamografia, koncesioni i radhës i hajdutëve Rama-Beqaj

Një tjetër koncesion abuziv i dyshes Rama-Beqja i cili po përgatitet për tu shpallur për klientët pranë qeverisë u denoncua dje nga Partia Demokratike.  Përmes një deklarate për mediat, deputetja demokrate, Albana Vokshi denoncoi dje zvarritjet e pajustifikuara të analizave për mamografinë, analiza të rëndësishme ku gratë bëjnë kontrollin në lidhje me kancerit e gjirit.
Vokshi denoncoi përpjekjen korruptive për të abuzuar me fondin e kujdesit shëndetësor. Në emër të PD, ajo i bëri thirrje Prokurorisë të nisë hetimet edhe për mashtrimin e mijëra grave që kanë kryer ekzaminimet e gjirit, por nuk kanë marrë rezultatin e analizës prej një viti.
“Epidemia e koncensioneve alla “check-up” pritet të prekë edhe këtë shërbim. Çdo grua që ka bërë mamografinë është e destinuar të presë dëshpërimisht mbase në rastet më fatkeqe edhe të humbë jetën…derisa Beqaj të mbyllë pazarin e radhës për leximin e mamografive…Vjedhja e radhës me sloganin “Paratë e Shëndetësisë për Partneritetin e Partisë” po firmoset në zyrën e Beqajt për t’u lançuar si “propaganda e Tetorit” kundër kancerit të gjirit.
Partia Demokratike denoncon këtë përpjekje korruptive për të abuzuar me fondin e kujdesit shëndetësor dhe i bën thirrje Prokurorisë të nisë hetimet edhe për mashtrimin e mijëra grave që kanë kryer ekzaminimet e gjirit, por nuk kanë marrë rezultatin e analizës prej një viti.
LDGSH dhe PD do të vazhdojnë të jenë në një terren që të sensibilizojnë gratë dhe vajzat në të gjithë Shqipërinë për vizitën e përvitshme të mamografisë dhe kontrollet mjekësore për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit‎. Po sot një gjë është e qartë. Shëndeti i qytetarëve, shëndeti i grave do të jetë më mirë pa Ilir Beqën e pa Edi Ramën” u shpreh Vokshi.
Deputetja demokrate shprehu shqetësimin se numri i rasteve të evidentuara me kancer gjiri është rritur ndjeshëm. Dy vitet e fundit kulmojnë me numrin më të lartë të diagnozave me tumor.
“Nga premtimi për “shëndetësi falas”, pas tre vitesh qeverisje të Ramës, ka mbetur vetëm dosja voluminoze e korrupsionit dhe krimit në shëndetësi…ku një prej kapitujve është edhe Tetori – muaji ndërkombëtar i sensibilizimit për luftën kundër kancerit të gjirit ku shifrat zyrtare vënë alarmin…
Referuar statistikave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ISHP, numri i rasteve të evidentuara me kancer gjiri është rritur ndjeshëm. Dy vitet e fundit kulmojnë me numrin më të lartë të diagnozave me tumor. E kjo, është e lidhur ngushtë me rritjen e varfërisë, stresit, papunësisë, ndotjes.
Instituti i Shëndetit Publik raporton se në 2015 u diagnostikuan 16.106 burra, gra dhe fëmijë me tumor. 1192 pacientë më shumë se një vit më parë. Por një statistikë e tillë nuk e ka shqetësuar aspak koordinatorin e korrupsionit, i cili ka shkurtuar shtretërit në shërbimin onkologjik, duke iu mohuar kimioterapinë dhe duke i torturuar për vdekje mijëra pacientë” u shpreh deputetja e PD.
Ajo bëri të ditur se  raportohet që prevalenca e kancerit të gjirit është më e larta ndër sëmundjet e tjera kanceroze me 23.6% të prekura. “Çdo vit evidentohen më shumë se 500 raste të reja dhe humbin jetën rreth 300 gra prej kancerit të gjirit, por qeveria po shëtit qyteteve me propagandën lëvizëse, duke shpërdoruar fondet për shëndetin.
Në Shërbimin e Onkologjisë në QSUT prej 4 muajsh nuk funksionon mamografia për ekzaminimin e kancerit të gjirit. Qindra gra udhëtojnë nga rrethet për një vizitë të specializuar, por shumica detyrohet të kthehet mbrapsht pa mundur të bëjnë asgjë për shëndetin e tyre.
Historitë e vizitave në njësitë e mamografive të lëvizshme janë kthyer në përralla, pasi përgjigjja e analizave nuk vjen kurrë. Tallje e paprecedent kjo e Ramës dhe Beqajt me gratë dhe vajzat shqiptare, të cilat në pritje të përgjigjes që nuk mbërrin kurrë mund edhe të jenë përkeqësuar apo edhe mund të kenë humbur edhe jetën” tha ndër të tjera Vokshi.
Vokshi theksoi nga ana tjetër se në faqen zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik raportohet vetëm për numrin e ekzaminimeve të kryera nga njësitë e lëvizshme dhe paraqiten fotografi plot ngjyra, por nuk jepet asnjë informacion në lidhje me rastet e evidentuara, kuruara, shëruara në vit, me kancer gjiri.
“Shkalla e sensibilizimit për kancerin e gjirit në Shqipëri ka rënë pikiatë në 2 vitet e fundit. E kjo shtron përsëri pyetjen: ku vajtën milionat e fondeve të qeverisë dhe donatorëve për sensibilizimin për luftën kundër kancerit të gjirit? Në xhepat e kujt përfunduan?
Ndërkohë që çdo ditë ministri bën punën e koncesionarit të check-up të Vilmës, duke i bërë asaj reklamë e fushatë intensive, duke shantazhuar e larguar mjekë e drejtues për dështimin e check-up për depistimin, trajtimin dhe kujdesin paliativ për gratë e prekura nga kanceri i gjirit, rekordmeni i 3P-ve nuk u kujtua asnjëherë” tha ndër të tjera deputetja demokrate, e cila njëkohësisht është edhe Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë.
Ndërkohë, tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë për ekzaminimet check up i dhënë përfshin në një megaskandal prej 120 milionë eurosh, Kryeministrin Rama, ministrin Beqaj dhe pronaren e kompanisë së favorizuar Vilma Nushi, sponsorizuese e Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për fushatën e nisur në muajin shkurt të vitit 2015 prej Ministrisë së Shëndetësisë për check up-in (kontroll mjekësor), për të cilin ministria kishte shpallur një tender të posaçëm ku ftonte kompanitë e specializuara në fushën e shërbimeve shëndetësore që të bëheshin pjesë e tenderit për të paraqitur ofertat e tyre. Chek up-i  do kushtojë kushton rreth 120 milionë euro për 10 vjet.

Arben Shahini

Artikulli paraprakPohimet e gënjeshtërta të Ramës për plehrat
Artikulli tjetërMonopoli i kompanive po mbyt tregun e Kosovës