Skuadra e Peskarës po kalon një moment aspak pozitiv në kampionatin italian të Serisë A, teksa pas 14 javësh numëron vetëm 7 pikë të grumbulluara, duke u renditur në vendin e 18, një pozicion që të rrëzon në Serinë B. Kjo performancë mjaft e dobët ka bërë që ekipi i drejtuar nga Masimo Odo të vendoset në kërkim të futbollistëve cilësorë për t’u afruar në janar. Sipas raportimeve nga mediat italiane, Peskara ka vendosur në shënjestër dy futbollistë, Adel Tarabt i Benfikës, marokeni që më parë është aktivizuar dhe me Milanin, si dhe Alesandro Rosina i Salernitanës.
Në rast të realizimit të këtyre transferimeve, të parët që janë në listë për t’u larguar janë 2 futbollistët e ardhur në huazim, Rei Manaj dhe Zhan-Kristof Bahebek.
Mediat italiane shkruajnë se sulmuesi shqiptar, i ardhur në huazim nga Interi, nuk e ka bindur trajnerin Odo, madje së fundmi ka shfaqur dhe probleme disiplinore, të cilat e lanë jashtë grumbullimit në ndeshjen e fundit në kampionat përballë Romës. Ndërkohë Bahebek i huazuar nga PSG mund të largohet për shkak të dëmtimeve të shpeshta.
Merkato e janarit po afrohet dhe tashmë nëpër media kanë filluar të qarkullojnë emrat e afrimeve apo largimeve në lidhje me çdo skuadër. Mediat italiane kanë bërë me dije se Torino në janar pritet të bëjë disa afrime të rëndësishme, por para kësaj i duhet të largojë disa futbollistë për të liruar vende në listën prej 25 lojtarësh që duhet të regjistrohet në Ligë.
Sipas raportimeve nga fqinjët përtej Adriatikut, emri i parë në listën e trajnerit Mihajloviç në merkaton dalëse është ai i mbrojtësit shqiptar, Arlind Ajeti. Futbollisti i kombëtares shqiptare pritet të largohet në huazim duke qenë se nuk bën pjesë në planet e trajnerit serb.
Ajeti u afrua në verë te Torino nga Frozinone dhe paraqitjet e tij gjatë fazës përgatitore dhanë përshtypjen se do të shndërrohej në një titullar të padiskutuar për skuadrën, por një dëmtim i rëndë i pësuar para fillimit të kampionatit dhe rezultatet mjaft të mira të Torinos gjatë këtij sezoni bënë që ai ta humbë pozicionin e tij në ekip.
Ndërkohë, Etrit Berisha nuk iu nënshtrua operacionit të planifikuar për ditën e djeshme. Portieri shqiptar i Atalantës duhej të kryente në klinikën “Villa Stuart” një ndërhyrje kirurgjikale në meniskun e gjurit të djathtë, por sipas “L’Eco di Bergamo”, operacioni është anuluar përkohësisht duke u shtyrë për në një moment tjetër. Berisha u dëmtua në ndeshjen ku Atalanta u përball me Romën dhe humbi dy ndeshjet e kaluara të skuadrës së tij, ndaj Bolonjës në kampionat dhe ndaj Peskarës në Kupë. Në ndeshjen e fundjavës në transfertë përballë Juventusit, porta e Atalantës do të mbrohet sërish nga Marko Sportielo, njësoj si në dy ndeshjet e fundit ku portieri i kombëtares shqiptare nuk ka qenë prezent.