Manaj ëndërron Europianin

Talenti shqiptar i Interit, Rey Manaj ka shprehur haptazi synimet e tij për të qenë një prej kuqezinjve në Euro 2016. Edhe pse është vetëm 19 vjeç, në një intervistë për “Inter Channel”, kanalin zyrtar të klubit zikaltër, Manaj ka thënë se objektivi i tij më i afërt është të shkojë në Francë me Shqipërinë.
“Sigurisht që të shkoj në Europian është një objektiv i madh për mua, shpresoj ta realizoj këtë arritje. Me fanellën e kombëtares time shënova në debutim pas vetëm 12 sekondash dhe është diçka për të cilën jam krenar. Atë ditë sapo zbrita në fushë, De Biasi erdhi drejt meje duke më thënë se do të debutoja dhe unë iu përgjigja se edhe do të shënoja, por tani shpresoj të shënoj dhe në ndeshjet e Europianit. Ky kompeticion më ngacmon pasi kombëtarja jonë nuk kishte arritur kurrë një mision të tillë dhe do të shkojmë aty me një grup të mirë. Mezi po pres ta luaj”.
Nga kombëtarja te eksperienca e tij me Interin, Manaj rrëfehet gjerë e gjatë mbi shumë episode nga jeta e tij me zikaltërit, tregon se ka më tepër miqësi me Medel dhe merr shpesh këshilla nga Palacio e Jovetiç për sa i përket lëvizjeve në fushë, zbulon se futbollisti i tij i preferuar është Zlatan Ibrahimoviç dhe është një kampion në Play Station, ndërsa zbulon edhe disa prapaskena interesante në lidhje me transferimin e tij te zikaltërit, duke u shprehur. “Kishte shumë skuadra që më ndiqnin, por unë kam qenë gjithmonë interist. Kujtoj se gjatë sezonit nuk doja të mendoja për asgjë dhe të përqendrohesha vetëm në fushë. Pastaj më thanë se Inter dhe Juventusi ishin interesuar për mua dhe unë nuk pata asnjë dyshim se ku do të shkoja”.

Artikulli paraprakTrabzonspor projekton të ardhmen me De Biasin në stol
Artikulli tjetërInteri po spiunohet