Manaj kthehet te Interi në janar?

Mund të përfundojë pas vetëm 6 muajsh aventura e Rey Manajt te Pescara. Edhe pse drejtuesit e klubit abrucez e mohojnë diçka të tillë sa herë që u jepet rasti, sipas mediave italiane dhe më konkretisht faqes së specializuar “Tuttomercattoweb”, gjasat më të mëdha janë që 19-vjeçari shqiptar të largohet nga stadiumi “Adriatico” në merkaton e janarit. Raporti midis Rey Manajt dhe trajnerit Massimo Oddo nuk është më i njëjti dhe kuqeziu nuk preferohet më si zgjedhje e parë nga ish-lojtari i Milanit dhe Lazios për sulmin. Në këtë kontekst me shumë mundësi Manaj do të rikthehet te Interi në janar, pasi zikaltërit janë klubi që zotërojnë kartonin e tij.
Do të jetë e vështirë që 19-vjeçari nga Lushnja të qëndrojë te skuadra e Stefano Piolit dhe në këtë mënyrë gjasat më të mëdha janë që Manaj të huazohet në një tjetër skuadër. Fillimi i sezonit ka qenë shumë pozitiv për talentin shqiptar, i cili pasi shkëlqeu në miqësoret e verës ka arritur të realizojë 2 gola me fanellën e Pescarës në Serinë A. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i presidentit të klubit abrucez, Sebastiani, por edhe ky i fundit e vlerëson maksimalisht Rey Manajn, vështirë se 19-vjeçari do të vazhdojë të jetë pjesë e Pescarës deri në fund të këtij sezoni.

Exit mobile version