Manaj në listën e Silvinjos me “pikëpyetje”, vendimi i Sivaspor për sulmuesin tregon situatën e tij

Rei Manaj mund të jetë një tjetër mungesë shumë e madhe për Kombëtaren shqiptare në ndeshjet e muajit nëntor. Sulmuesi është përfshirë në listë nga trajneri Silvinjo, por mbi këtë ftesë ka një pikëpyetje të madhe.

Edhe vetë trajneri pranoi se situata e tij, ashtu si edhe e Kumbullës dhe Bares, do të ishte nën vëzhgim, për të parë nëse ata mund të rikuperoheshin për ndeshjet e javës së ardhshme.

Por vendimi për sulmuesin ndoshta mund të vijë më shpejt se sa provat fizike që do të bëjë ai me stafin kuqezi në grumbullim.

Vetë klubi i Sivaspor ka vendosur që të mos grumbullojë Manajn as për të qenë në stol për ndeshjen e kësaj fundjave ndaj Fenerbahçes.

Stafi mjekësor i klubit turk mendon se futbollisti nuk është në gjendje të japë kontributin e tij në fushën e lojës, ndonëse ai është forca kryesore e repartit ofensiv të tyre. Kjo bën pak a shumë të qarët situatën edhe për stafin e Silvinjos, që pritet të konfirmojë mungesën e Manajt për ndeshjet e muajit nëntor.

Artikulli paraprak“Strategjikët”, “Ofshore”-t dhe partitë që s’premtojnë asgjë!
Artikulli tjetërDarka më 1899 e shtruar nga ambasadori britanik në Stamboll, përplasja e Ismail Qemalit me sulltanin! Kërkesa e lordit dhe teka e Abdyl Hamidit